Në Kodër të Diellit u shënua trevjetori i Marrëveshjes së Ohrit
Ahmeti: Kemi marrë përgjegjësi historike ta reformojmë shtetin
Ne sot jemi tubuar, që simbolikisht ta shënojmë këtë akt mjaft të rëndësishëm në historinë e Maqedonisë. Me partnerin e koalicionit kemi arritur të realizojmë disa ligje të cilat burojnë nga Marrëveshja e Ohrit tha Ali Ahmeti kryetar i BDI-së.-Përfaqëuses të LSDM-së, PLD-së qenë të pranishëm në manifestim, ndërsa nuk kishte përfaqësues të opozitës shqiptare.
Tetovë,17 gusht.-Mbrëmë në një nga lokalitetet më atraktive hotelierike të Kodrës së Diellit (Popova Shapka) u mbajt një solemnitet më i gjerë i shënimit të trevjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, që është karakterizuar si marrëveshje e paqës në këto troje, ku morrën pjesë më shumë mysafirë të BDI-së që e organizoi këtë manifestim, ministra, deputetë, drejtues të institucioneve shtetërore republikane e komunale të kësaj partie, ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni Lorenc Batler, përfaqësuesi special i BE-së në Maqedoni, Majk Sali, përfaqësues të ambasadës gjermane në Maqedoni e të tjerë., ndërsa nga nënshkruesit e Marrëveshjes në Ohër, ishte i pranishëm vetëm lideri i atëhershëm i PPD-së Imer Imeri. Munguan përfaqësuesit e opozitës maqedonase dhe shqiptare.
Të pranishmive në shënimin e trevjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, iu drejtua lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i cili pos tjerash tha: Më 13 gusht u mbushën tre vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën marrëveshje iu dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe u ndërprenë armiqësitë ndërmjet komuniteteve në Maqedoni. Ne sot jemi tubuar, që simbolikisht ta shënojmë këtë akt mjaft të rëndësishëm në historinë e Maqedonisë. Me partnerin e koalicionit kemi arritur të realizojmë disa ligje të cilat burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Javën e kaluar u miratua pakoja e ligjit të decentralizimit, që shkaktuan mjaft pakënaqësi në opozitën maqedonase. Mirëpo - tha Ahmeti, me miratimin e ligjeve të decentralizimit, Maqedonia më tepër forcon integritetin dhe sovranitetin e saj. Ne nuk përkrahim ndarjet etnike, sepse konsiderojmë se ndarjet e tilla paraqesin rrezik të vazhdueshëm për sovranitetin dhe stabilitetin e Maqedonisë. Ne, komunat nuk jemi duke i ndarë në komuna shqiptare dhe maqedonase, por në komuna të të gjithë qytetarëve njëlloj. Ne krijojmë komuna, në të cilat të gjithë qytetarët do të ndërtojnë të ardhmen e përbashkët. Koalicioni ''për Maqedoninë së bashku'' dhe BDI-ja kanë marrë përgjegjësi historike për ta reformuar shoqërinë dhe të instalojnë vlera të mirëfillta demokratike dhe kjo na bën mjaft optimist se Maqedonia në një afat shumë të shkurtër do të integrohet në NATO dhe në Bashkësinë Evropiane. Referendumi, që e organizon Kongresi Botëror Maqedonas, i përkrahur edhe nga opozita maqedonase, mendoj se nuk është i dobishëm dhe i dëmton marrëdhëniet ndëretnike. Por, sido që të jetë, alternativë tjetër përveç Marrëveshjes së Ohrit nuk ka. Ne si parti jemi të përqëndruar në dy ligje të rëndësishme, siç janë Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe Ligji për përdorimin e simboleve kombëtare. Këto dy ligje e sjellin në fazën finalizuese, Marrëveshjen e Ohrit dhe pastaj do t'u hapim rrugë proceseve të tjera të cilat si bartës të pushtetit na takojnë, siç janë zhvillimi ekonomik dhe ulja e papunësisë. Që nga përfundimi i konfliktit ne vazhdimisht e kemi pasur përkrahjen e dy qendrave vendosëse SHBA-ve dhe të BE-së. Marrëveshja e Ohrit është një proces dinamik që duhet të realizohet në kontinuitet dhe ka mbështetje nga të gjitha faktorët relevantë,-tha pos tjerash lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Përfaqësuesi special i BE-së në Maqedoni Majk Sali, pos tjerash tha se e përshëndes guximin e organizimit të shënimit të trevjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, që është një datë shumë e rëndësishme për Maqedoninë, pasi kjo Marrëveshje krijoi bazën për një shtet unitar, multietnik, demokratik dhe evropian. Ambasadori i SHBA-ve Lorenc Batler iu drejtua të pranishmive me fjalët se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, fitues më i madh ishte shteti i Maqedonisë. Megjithatë edhe pas tre viteve në Maqedoni ende ka njerëz të cilët mendojnë se duhet të përdoren mjetet e dhunës për arritjen e qëllimeve politike. Por, përgjigja ime për këta persona është se nuk do të kenë sukses sepse përgjigja e komunitetit ndërkombëtar do të jetë shumë e ashpër.
Ali Ahmeti: Shtetet e ''mëdha'' i takojnë të kaluarës
-Si i komentoni paralajmërimet nga partitë politike shqiptare dhe disa shoqatave shqiptare për krijimin e Bashkimit Kombëtar Shqiptar?
-Këto janë çështje më tepër të sajuara, sesa ka diçka të vërtetë në këtë drejtim mbi të gjitha çështjet e "Shqipërisë së Madhe", ''Maqedonisë së Madhe", "Serbisë së Madhe", apo çdo marrëzie tjetër, janë koncepte të shekullit XVIII-XIX-të. Sot jemi në shekullin XXI dhe koncepte të tjera kanë popujt e Ballkanit, por edhe ato evropiane.Kjo nuk është nismë me vend, pasi kemi shumë punë dhe shumë çështje pa u zgjidhur dhe asgjë nuk na ndihmon me një nismë të tillë.
-Si e vlerësoni Marrëveshjen Ohrit, pas tre viteve që kanë kaluar nga nënshkrimi?
-Secili i bën llogaritë e veta, mirëpo në përgjithësi Marrëveshja ka një realizim mjaft pozitiv dhe mendoj se edhe në të ardhmen, do të ketë hapa shumë pozitive në drejtim të jetësimit praktik të shumë ligjeve, të cilët tashmë kanë kaluar në Parlament. Në këtë drejtim ka vullnet mjaft të mirë, ka vendosmëri për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Unë mendoj se këtu ka përfaqësues të partnerëve të koalicionit, si nga LSDM-ja ashtu e nga partia Liberal Demokratike e Maqedonisë. Këtu është edhe Imer Imeri, njëri nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit. Ky takim është i hapur për të gjithë dhe të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë në këtë manifestim -tha Ali Ahmeti në bisedën e shkurtër me gazetarët.
Në manifestimin e trevjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, i vetmi nga protagonistët kryesor të aktit të nënshkrimit, ishte edhe lideri i atëhershëm i PPD-së e Imer Imeri. Ai me këtë rast, ishte i shkurtë në deklarimin e tij duke thënë se jam i kënaqur me realizimet e Marrëveshjes së Ohrit,megjithatë ka ende shumë gjëra për t'u realizuar.
E.Shala
Krijoni Kontakt