Kryeministri shqiptar takoi dje në Korçë kreun e Bashkimit Demokratik për Integrimin
Kondova mbledh Nanon e Ali Ahmetin
Diskutohet situata e tensionuar dhe shkaktarët
--------------------------------------------------------------------------------
Altin Kreka
Kryetari i partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni dhe kryeministri Nano janë takuar dje në Korçë. Çështja kryesore e diskutuar në këtë takim ishte kriza më e fundit në Kondovë të Maqedonisë e situata aty dhe në Kosovë. Takimi mes tyre ishte lajmëruar një ditë më parë dhe është realizuar dje në mesditë.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, parti në koalicionin qeverisës, ka mbvëritur dje në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës në orën 10 të paradites dhe është pritur nga miku i tij, Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve Ilir Kulla si dhe kryebashkiaku i Pogradecit. Më pas ata kanë udhëtuar në drejtim të qytetit të Korçës ku janë takuar me kryeministrin Fatos Nano në vilën Themistokli të këtij qyteti.
Pas një shëtitje nëpër qytet, Nano e Ahmeti janë ndalur në kampin e punëtorëve në kodrat sipër qytetit të Korçës. Ata kanë biseduar për rreth një orë kokë më kokë me njëri-tjetrin. Burime nga takimi thonë se është diskutuar në lidhje me situatën në Maqedoni e Kosovë. Por duket se Nano e Ahmeti kanë patur në qendër të diskutimit të tyre krizën më të fundit në fshatin Kondovë në Maqedoni ku disa ekstremistë kërcënojnë me destabilizim të vendit. Se çfarë është thënë në këtë bisedë komë më kokë, rreth shkaktarëve të krizës, zgjidhjeve dhe gjithë situatës në rajon mbetet mister. Intenerari i fundjavës së Kryeministrit Nano në Korçë dhe të vizitës së Ali Ahmetit ka vijuar në vilën Melko në fshatin Boboshticë pak kilometra larg qytetit. Në drekën e shtruar aty kanë marrë pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko njëkohësisht edhe deputet i Korçës, deputeti i Kolonjës Alfred Dalipi, prefekti i Korçës, kryetari i komitetit të kulteve Ilir Kulla dhe shefi i kabinetit të Nanos, Agim Isaku.
Biseda ka vijuar edhe më tej rreth çështjeve të diskutuara më parë. Në takim mësohet se Ali Ahmeti, kryetari i BDI i është drejtuar Nanos me fjalët: tani që nuk do jesh më kryeministër do ta shikosh se kush janë miqtë e vërtetë. Ne të falenderojmë për mbështetjen e gjithë këtyre viteve. Më pas kryeministri Nano ka ftuar kryetarin e BDI për disa ditë pushime në Shqipëri. Ali Ahmeti është deputet i BDI dhe kryetar i kësaj partie pjestare e koalicionit që qeverisës në Shkup aktualisht. Që pas zgjedhjeve të 3 korrikut kur partia e kryeministrit Nano humbi zgjedhjet ky është takimi i parë që ai ka zhvilluar dhe ku janë diskutuar çështje të rëndësishme siç është kriza më e fundit në Kondovë të Maqedonisë.
Ky fakt tregon për vetë rëndësinë e çështjes së diskutuar dje në takimin kokë më kokë mes kryeministrit Nano dhe kreut të partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni. Ky vend tani po përballet me një krizë në zonën e Kondovës ku ekstremistë provokojnë për destabilizim si dhe me çështje konfliktesh brenda komunitetit mysliman atje që përbëhet nga shqiptarët. Në Kondovë disa herë rresht ka patur përplasje me armë mes forcave të sigurisë dhe grupeve ekstremiste të cilat kundërshtojnë edhe marrëveshjen e Ohrit.
Krijoni Kontakt