MITI/ Luftë dhe miqësi kusarësh. Cilat ishin marrëdhëniet e detarëve shqiptarë me kolegët e vendeve të tjera

Kusarët shqiptarë njërën prej skelave më të njohura kishin gjirin e Valdanosit, pranë Ulqinit. Në afërsi të tij detarët kanë ndërtuar një krua, por në këtë luginë më i njohur është Kroni i Zanave, rreth të cilit janë krijuar disa vlera mitike. Njëra prej legjendave tregon që aty pranë kronit gjendej një rrasë shumë e madhe. Sa herë që vinin detarët që të luteshin e të kryenin veprime rituale, uleshin në atë rrasë gjigante. Një natë ekuipazhi i një anijeje pirateske ka ardhur aty dhe e ka luajtur atë rrasë dhe nga nëntoka e saj kanë nxjerrë një kazan të madh, i cili ka qenë përplot me para ari! Të nesërmën njerëzit aty kanë gjetur një dorëz kazani dhe disa napolona ari, që kishin pas rënë.

Legjendat mbi thesaret e fshehura

Dr. Bahri Brisku


Në dokumentet e Arkivit Kombëtar të Tiranës dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij shteti, që janë botuar në Vjetarin e Muzeut Detar në Kotorr, nr.9, më 1960, nga hulumtuesi Sllavko Mijushkoviq, përkitazi me aksionet e detarëve ulqinakë, dëshmohet se për veprimtarinë mbrojtëse dhe të rrezikshme të tyre, për aksionet strategjike në det, është interesuar metropoli i Francës - Parisi, përkatësisht shteti frëng, i cili ka kërkuar prej përfaqësuesve të vet diplomatikë të njoftojnë hollësisht për ta. Marrëdhëniet ndërmjet detarëve shqiptarë dhe atyre francezë (një kohë) ishin ashpërsuar për shkak se detarët francezë kishin pas sulmuar një anije të ulqinakëve. Në shumë këngë përmenden detarët francezë, të cilët u kanë bërë dëm dhe u kanë shkaktuar fatkeqësi tragjike detarëve shqiptarë. Më vonë detarët ulqinakë u hakmorën, saqë e tërë kjo ishte bërë çështje e qeverisë.

Legjendat

Kusarët shqiptarë njërën prej skeleve më të njohura e kishin gjirin e Valdanosit, pranë Ulqinit. Në afërsi të tij detarët kanë ndërtuar një krua, por në këtë luginë më i njohur është Kroni i Zanave rreth të cilit janë krijuar disa vlera mitike. Njëra prej legjendave tregon që aty pranë kronit gjendej një rrasë shumë e madhe. Sa herë që vinin detarët që të luteshin e të kryenin veprime rituale, uleshin në atë rrasë gjigante. Një natë ekuipazhi i një anije pirateske ka ardhur aty dhe e ka luajtur atë rrasë dhe nga nëntoka e saj kanë nxjerrë një kazan të madh, i cili ka qenë përplot me para ari! Të nesërmën njerëzit aty kanë gjetur një dorëz kazani dhe disa napolona ari, që kishin pas rënë. Mbi ekzistimin e pasurive përrallore të kusarëve te Curylat, afër Durrësit, jo vetëm që ekzistojnë të dhëna gojore, por edhe të shkruara. Të mira të tilla materiale, në orendi dhe para ari, sipas legjendës, gjenden edhe Shpella e kusarit të njohur Haxhi Alia, që ndodhet në Karaburun në afërsi të ishullit Sazan (Vlorë). Një kohë marrëdhëniet e kusarëve shqiptarë ishin shumë të mira me kusarët e Raguzës (Dubrovnikut). Kurdo që e kishin ngusht kusarët e Venedikut nga kusarët tanë, ata ngrinin në direk flamurin e Raguzës dhe në këtë mënyrë shpëtonin nga plaçkitjet.

Historia

Përpara Kongresit të Berlinit (1878) tërë tregtinë lundruese në liqenin e Shkodrës e bënin shqiptarët, kryesisht me anije që i kishin zënë rob! Por në historinë e detarisë nuk janë të rralla të dhënat që dëshmojnë që kusarët e Perasti (Boka e Kotorrit) sulmonin dhe plaçkitnin anijet dhe qytetet shqiptare, të cilëve vazhdimisht nga deti u vinin të këqijat armiqësore. Shumë ngjarje tragjike që i kanë përjetuar nga armiqtë që na vinin nga ana e detit, bënë që shqiptarët të krijojnë mbrojtjen e vet, pra kusarinë. Në një periudhë të gjatë historike, për shkaqe të pozitës strategjike, pjesa më e madhe e arabëve të brigjeve të bregdetit mesdhetar gjendej nën thundrat e robërisë, andaj detarët shqiptarë i sillnin ata në vendet e veta dhe i përdornin jo vetëm për punët lundruese, por edhe për kryerjen e punëve bujqësore, në ullishtari etj. Disa detarë sillnin edhe femra zezake, të cilat i vendosnin në banesa të posaçme dhe i përdornin si gra të dyta. Këto ishin gjellbërse të njohura, kështuqë gjellët e dasmave dhe të tubimeve të tjera kryesisht i përgaditnin zezaket. Harapeshat veç veprimtarisë amvisnore, shërbenin edhe si argëtuese të familjeve detare, duke u treguar atyre ndodhi nga jeta e tyre.

HIERARKIA/ Si ishin të organizuar kusarët shqiptarë dhe çfarë thotë rapsodia për ta

Uniteti i brendshëm i piratëve shqiptarë

Shqiptarët, piratë ose jo, kanë pasur një marrëdhënie kompakte mes tyre. Organizimi i kusarëve shqiptarë ishte perfekt, sipas një hierarkie të caktuar. Një rapsodi shqiptare shkruan se sa herë që e kërkonte nevoja e mbrojtjes së interesave lokale dhe kombëtare, detarët shqiptarë forconin unitetin e brendshëm, pajtoheshin, miqësoheshin, lidhnin besë që do të luftonin të gjithë së bashku pa hile kundër armikut. Qëndresa e pamposhtur e fortifikatave, kalave dhe kullave në regjionin e Kotorrit, Risanit, Tivarit, Ulqinit, Apolonisë, Krujës, Durrësit, Janinës, Butrintit dhe ndonjë tjetër, personifikohet fuqishëm duke hedh në pah etnopsikologjinë unike të këtij kombi:

Nji kala n`anë t`detit,

I doli karshi dauletit.

Mori kullë n`breg t`detit

Ç`po lufton asqert e mretit

Ndërsa, duke ngritur kushtrimin, këngëtari popullor kundër armikut turk, i drejtohet popullit nëpërmjet kullës:

Mori kullë, e mjera kullë,

Po vjen turku o me na marrë…

Këto vlera që trajtojnë motive të ndryshme të detarisë u krijuan gjatë robrisë nën turq, por gjenden edhe vlera paraturke, të lashta si kënga: "Ç’e mora detin me sy".

TREGTIA

Zezakët, robër të privilegjuar

Robërit ishin tregtia kryesore e kusarëve shqiptarë. Detarët i blinin zezakët nëpër skela të ndryshme të Egjiptit, Libisë, Algjerit, Tunisit, Marokut, Irakut, Libanit etj. Gjykuar sipas dëshmive, sjellja e detarëve shqiptarë ndaj zezakve ka qenë korrekte. Atyre u jepnin mbiemrat e tyre dhe i konsideronin si anëtarë të familjes. Një amvisë detare me “naze” e urdhëron zezaken për t’ia përgatitur peshkun, e cila është dhënë edhe në disa vargje rapsodie. Nga se ishin ndarë nga familjet e tyre, zezakët soditeshin nga zonjat e detarëve me një dozë mëmësie. Edhe kjo ishte një arsye më tepër që respekti ndaj tyre të jetë në nivel të fisnikërisë njerëzore.

Dita.