Rifati dhe Frida ishin divorcuar para një viti, por jetonin në të njëjtën shtëpi. Kishin 5 fëmijë
“Më tradhtonte, e kapa. E ruaja që prej dy javësh”,-ka thirrur Rifat Kurti pasi ka qëlluar me çifte mbi Fridën
Një 59-vjeçar ka vrarë dje me çifte ish-gruan e tij dhe më pas edhe njërën nga vajzat e tyre. Krimi i radhës brenda një familjeje shqiptare ka tronditur fshatin Fushë-Kuqe të Laçit, dje në mbrëmje. Pasi ka ekzektuar ish-bashkëshorten, Frida, dhe pasi ka thirrur “Më tradhtoi, e ruaja prej dy javësh”, Rifat Kurti ka varur çiften në një gardh të fshatit dhe ka ikur në drejtim të paditur. Por më parë, ai ekzekutoi edhe të bijën, Mirelën, 21 vjeçe.
Ngjarja
Historia e çiftit Kurti kishte filluar të tronditej kohë më parë, por bashkëjetesa e tyre përfundoi para një viti, kur ata u divorcuan. Rifati dhe Frida kishin tre djem dhe 2 vajza. Dy prej djemve, Arturi dhe Ritvani, janë emigrantë në Itali. Fëmijët, të gjithë, kishin zgjedhur të jetonin me babanë e tyre, pas divorcit mes prindërve. Ndryshim bënte vetëm më e vogla e vajzave, Mirela, e cila shkonte herë tek e ëma, herë tek i ati.
Edhe pse të divorcuar, Rifati dhe Frida, 50 vjeçe, jetonin brenda së njëjtës shtëpi. Gjykata i kishte dhënë gruas një dhomë në shtëpinë e përbashkët, ku edhe ndodhi krimi i djeshëm.
Siç ka treguar nusja e djalit të madh të Kurtëve, Lida, e cila ka qenë e pranishme kur vjehrri ka vrarë ish-gruan dhe vajzën e tij, ka qenë ora 20.00 e mbrëmjes, kur Rifati ka hyrë në dhomën e Fridës dhe e ka qëlluar atë me çifte. Saçmet e kanë zënë gruan në trup dhe në kokë, duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. “Më tradhtoi e poshtra, e kapa, kisha 2 javë që e ruaja”,-ka thërritur ai në sy të nuses së lebetitur. Por nuk është mjaftuar me kaq. Afër banesës ai ka qëlluar në kokë me çifte edhe Mirelën 21-vjeçare, vajzën më të vogël që kishte me Fridën. Sipas familjarëve, ai kujtonte se e bija e ndihmonte dhe ruante të ëmën, që kjo e fundit ta tradhtonte e qetë. Rifati ishte xheloz për Fridën edhe pse ajo nuk ishte më që prej një viti gruaja e tij. Saçmet i kanë hequr nga fytyra vajzës thuajse gjithë nofullën. Viktimat, sipas hetimeve, kanë vdekur në vend dhe ishte e kotë të niseshin drejt spitalit.
Hetimet
Krimi i dyfishtë ka lemerisur banorët e fshatit, të cilët nuk kishin parë kurrë një gjë të tillë. Pasi është lajmëruar, në vendngjarje ka shkuar policia. Por Rifati nuk u gjet, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, megjithëse u kërkua në shumë vende. Askush nuk e dinte ku kishte shkuar 59-vjeçari, dëshmitarët mbanin mend vetëm që ai kishte thirrur dhe kishte varur çiften tek një gardh.
Sipas policisë, dy mund të kenë qenë arsyet që e çuan Kurtin në këtë vrasje. Më e mundshmja është dyshimi i tij i fortë se ish-gruaja shkonte me dikë tjetër. Por nuk është lënë mënjanë edhe mundësia e pronësisë së shtëpisë. Rifati nuk ishte dakord që ish-gruaja të merrte një dhomë të banesës që ata kishin pasur dikur bashkë.
Burimi: Gazeta Shekulli
Krijoni Kontakt