VAZHDON EVAKUIMI I DHUNSHËM I HEBREJVE NGA RRIPI I GAZËS
Forcat izraelite të sigurisë pasdite hynë edhe në sinagogën e lagjes Kfar Darom në Rripin e Gazës, në të cilën janë barrikaduar qindra kundërshtarë të shpërnguljes izraelite nga rajoni.
Ushtarët hynë edhe në kopshtin në Kfar Darom ku gjithashtu janë barrikaduar një grup i madh kundërshtarësh për shpërnguljen.
Siç bënë të ditur mediumet izraelite, një grua para ushtarëve u paraqit me një shiringë në dorë duke thënë se në të ka virus të SIDA-s dhe u kërcënua se do ta shpojë atë që do të tentojë me dhunë ta largojë nga lagjja.
Paraprakisht forcat izraelite të sigurisë hynë në sinagogën e lagjes më të madhe të hebrejve ardhacakë në Rripin e Gazës, Neve Dekalim, me qëllim që t'i mënjanojnë qindra të rinj kundërshtarë të tërheqjes izraelite që dje u barrikaduan në tempull.
Të rinjtë nacionalistë, të cilët e kundërshtojnë tërheqjen e forcave izraelite dhe dislokimin e 21 lagjeve hebraike nga Rripi i Gazës, vullnetarisht e refuzuan ultimatumin që ta braktisin sinagogën dhe me autobusë të largohen në Neve Dekalim.
Forcat izraelite të sigurisë planifikojnë që evakuimi i Neve Dekalim, që ardhacakët e konsiderojnë si kryeqytetin e Rripit të Gazës të përfundojë deri në fund të ditës.
Policia njoftoi se Neve Dekalimin tashmë e braktisën 400 familje, por se edhe qindra mbetën në lagje.
Autoritetet izraelite sot bënë të ditur se shpërngulja e tërësishme nga Rripi i Gazës do të pëfundojë deri të martën, shumë më shpejt se sa ishte planifikuar më parë /Makfax/
Krijoni Kontakt