KISHKL kërkon praninë e forcave ndërkombëtare në Luginën e Preshevës
Bujanoc, 12 gusht (presheva.com) - Këshilli për Integrimin e Shqiptarëve të Kosovës Lindore, përmes një komunikate të lëshuar ka njoftuar se "gjendja e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovën Lindore nuk është përmirësuar, por ajo ka mbetur me të njëjtin ritëm të dikurshëm". "Gjendja e rëndë politike dhe e sigurisë që po mbretëron në Kosovën Lindore është si pasojë e politikës degjeneruese serbe, me qëllim që edhe më tej ta mbajë këtë popullatë të robëruar e të okupuar, politikisht, ekonomikisht dhe kulturor", thuhet në kumtesë.
"Ngecja e procesit politik, militarizimi i plotë i rajonit me prezencën e pjesëtarëve të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbo-malazeze, arrestimet të inskenuara, vrasjet enigmatike deri më tani të pasqaruara janë vetëm një pretekst i rrejshëm për të krijuar vatra krize të reja në këtë rejon e më gjerë", ka vlerësuar Këshilli për Integrimin e Shqiptarëve të Kosovës Lindore.
Sipas kumtesës së KISHKL-së, kjo është arsyeja që popullatë ka frikë se në skenë po rikthehen tensionet jo të favorshme për të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë në këtë rajon.
"Për të qenë zgjidhja e pranueshme dhe paqja e qëndrueshme, Këshilli për Integrimin e Shqiptarëve të Kosovës Lindore propozon që të vihen forcat paqëruese ndërkombëtare të NATO-s, të përfshijë hapësirën e tri komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë dhe të demilitarizohet nga forcat e xhandarmërisë dhe ushtrisë; Faktori ndërkombëtar duhet të marrë përsipër dhe të ndërtojë rendin dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre nacionale dhe fetare", ka kërkuar KISHKL.
Krijoni Kontakt