Do të tallesha me politikanët, edhe duke bërë seks me ta
Fiori i Bla Bla Bla-së tregon për liderët që e ngacmojnë me mesazhe. Sipas saj, ata janë ko…
Është Fioralda ajo që nxjerr të palarat e politikanëve, që tenton të zbulojë se çfarë ka pas një figure politikani, në dukje i zoti, siç thotë vetë ajo. Ka marrë plot kërcënime nga persona të ndryshëm, por ajo nuk ka frikë nga ato. Protagonistja e Bla Bla Bla-së shprehet se e shqetësojnë shumë thashethemet që nxjerrin për të, që nuk kanë lënë politikan pa i vënë të dashur. Edhe pse Fioralda shton se nuk ka politikanë të vërtetë, si duket e ka gjetur një që ia vlen këtu në Shqipëri. Edhe pse shan të gjithë politikanët (duke theksuar se nuk i denigron aspak, por thotë vetëm të vërtetën), këmbëngul se në një të ardhme do të bëhet politikane.
Jeni zhdukur prej kohësh nga ekrani. Mos jeni duke bërë pushime?
Lavdi zotit, kam bërë një muaj pushime, më shijuan shumë, sepse ishin me të drejtë rroge. Ky fakt tregon se aksionerët dhe drejtori i TV KOHËS e kanë vlerësuar punën që kam bërë për një vit. Ndonëse veç rrogës së tyre, harxhova dhe overdraftin që ofron Banka Amerikane. Edhe pse nuk futem kurrë në det, çdo ditë të pushimeve i kam kaluar në bregdet. Vetëm para dy ditësh jam kthyer nga Saranda dhe mund të them se kam kaluar pushimet më të mrekullueshme me të dashurin tim. Tani që kam ardhur në Tiranë, nuk po e marr dot veten. Dhe as vetë nuk e di se si do të bëj kur të kthehem në punë, nuk më punohet fare. Kot se ka bërë zoti që të pushosh 11 muaj dhe të punosh vetëm 1 muaj (qesh).
Pse, je përtace?
Jam njeriu më përtac në botë, ndonëse dukem shumë e shkathët. Përtacia ime arrin deri aty sa përtoj edhe të ha. Po ç`të bëj që më duhen lekët dhe duhet të punoj?! Kështu që më duhet të lëviz ndonjëherë culon.
Fakti që ke qenë me pushime, do të thotë që ke hequr dorë nga thashethemet?
Jo, jo kjo ka qenë periudha që kam bërë thashethemet më të mëdha. Nuk kam lënë njeri pa marrë nëpër gojë, për të folur nuk përtoj kurrë. Gjatë pushimeve, fare rastësisht, kam dëgjuar plot thashetheme për të ashtuquajturit VIP-a shqiptarë. Për të mos i harruar, i kam shkruar në një bllok. Kështu që emisionin e parë e kam pothuajse gati.
Ndonjë nga ato thashethemet që kë dëgjuar?
Thashethemi më i fundit, por që doli që ishte i vërtetë, është që Valbona Selimllari ka një bebe. Në fillim nuk e besova dhe për këtë humba edhe një bast që kisha vënë me të dashurin tim, i cili më dha lajmin.
Po për veten, ke dëgjuar ndonjë thashethem këtë kohë?
Nuk kam qenë në Tiranë këtë kohë, ndoshta edhe kanë nxjerrë.
Cili është thashethemi më i bukur që ke dëgjuar për veten?
Që e kam rrogën 5 milionë. Më ka pëlqyer vërtet ky thashethem.
Po ato që nuk të kanë pëlqyer?
Nuk kanë lënë politikan pa më vënë të dashur. Vetëm Servet Pëllumbin kanë harruar. Gjynah i ziu, nuk ka patur fatin të jetë i dashuri im!
Ke patur ndonjëherë ndonjë të dashur politikan?
Po të kisha patur, me siguri do të ishin vënë në dijeni të gjithë. Nuk më duken aspak sentimentalë politikanët. Kur e imagjinoj ndonjëherë veten në krahët e ndonjë politikani, them me vete se do të tallesha edhe duke bërë dashuri me të. E vetmja kënaqësi që më dhurojnë ata, është qëndrimi i tyre prej politikani para kamerave. Kjo sjellje bën që emisioni im të jetë i suksesshëm dhe si derivat i kësaj, mua më rritet rroga. Madje më vjen për të qeshur kur ndonjëherë përpiqen të tregohen tipa për t`u dukur interesantë para kamerave. Dhe të gjithë e kanë vënë re që dalin totalisht ****. Ups! Kërkoj falje që pa dashje i thirra politikanët në emër.
Pse i shan kaq shumë politikanët?
Të thuash të vërtetën për dikë, nuk do të thotë që ta shash.
Sipas teje, si duhet të jetë një politikan perfekt?
Një politikan mund të jetë përfekt, vetëm pa politikë. Të merresh me politikë nuk do të thotë vetëm të dish të përkthesh këtë fjalë nga greqishtja e vjetër. Për mua, i vetmi që e ka kuptuar disi, por ama vetëm disi politikën, është Edi Rama. Thonë që edhe Ben Blushi është i zgjuar, por nuk kam patur asnjëherë kontakte me të.
Mendon ta testosh inteligjencën e tij?
E kam parë në ekran duke ngrënë biskota. Po hëngri makarona në emisionin tim, është i mirëpritur.
Ku e gjen guximin për t`u nxjerrë gjithçka në shesh politikanëve?
Çfarë ka për guxim këtu?! Të thuash atë që mendon dhe të pyesësh për atë gjë që të bren kureshtja, nuk është guxim. Edhe politikanët njerëz si ne janë në fund të fundit. Edhe ata hanë si ne, pijnë si ne, bëjnë seks si ne, ndoshta edhe më keq. Mund të zihen edhe kaps, siç na ndodh edhe neve. Ka edhe nga ata që bëjnë çiçin dhe po me atë dorë bëjnë saçme apo kruajnë hundën. Ja pra se sa njerëz janë?!
Po ti ke menduar ndonjëherë të bëhesh politikane?
E kam menduar, dhe është e sigurt që do të bëhem. Por jo alla Arta Dade apo alla Makbule Çeço.
Po si, atëherë?
Kur një ditë të formohet kabieti i Qeverisë Dardha, dhe nëse do të kesh shansin që ti, si gazetare e zonja, të jesh shefja e kabinetit tim, atëherë do të kuptosh se si do të jem unë politikane. Për një gjë jam më se e sigurt, se pa rregulluar veten time, nuk do të mendoj për popullin. Këtë të paktën do ta kem të përbashkët me politikanët e sotëm. Vetëm se unë do të vjedh me trastë dhe jo me thes siç bëjnë ata (qesh).
Mendon se do të të shkonte mbarë lidhja me një politikan?
Po çfarë mbarësie?! Ata janë ters për veten e tyre, jo për mua. Një shprehje thotë që: “ Kurrë, mos thuaj kurrë”. Por përderisa i dashuri im nuk ka lidhje fare me politikën, tregon se dashuria ime iu përket fushave të tjera të jetës.
Cilës fushe i përket?
Ka filluar të më ecë me artistët. Ose më saktë, më ecën mirë me njërin. Megjithëse i dashuri im, në radhë të parë, është njeri, pastaj artist. Dhe fakti që unë nuk nguroj ta them me plot gojën se e dashuroj marrëzisht, tregon se ai ka shumë vlera.
Je shprehur se ke patur shumë kërcënime. Nga kush të kanë ardhur?
Unë jam me pushime dhe prapë më kujtojnë kërcënimet. Tani e kuptoj që ato nuk kanë qenë kërcënime, por thjesht një orvatje e tyre për të bërë veten personazh. Po të kishin qenë kërcënime, unë nuk do të isha me pushime, por në ndonjë spital. VIP-i që leh, nuk të ha!, thotë një fjalë. Nuk po e them me fjalën qeni, sepse ka qenër që lehin, por edhe të ngulin ndonjë dhëmb.
Po ngacmime nga ndonjë politikan ke patur?
Si jo! Unë jam Pamela Anderson. Nga mëngjesi deri në darkë, të gjithë politikanët sytë nga unë i kanë (qesh). Megjithëse shkrihem gazit kur më dërgojnë poezi me mesazh. Më duket vetja si Çiljeta në kohën e vet, vetëm se ajo e ka masën e gjoksit gjashta apo shtata, ndërsa unë 0.5-a. Si duket është në modë gjoksi i madh?
Po me çfarë i bën për vete, atëherë?
As e marr fare mundimin që t`i bëj për vete. Atë që kam dashur e kam bërë, nuk më interesojnë të tjerat.
Mban mend ndonjë poezi të bukur nga ato që të kanë dërguar?
Të them të drejtën, kanë qenë aq shuuumë, sa nuk më kujtohen.
Edhe ti me poezi ua ktheje mesazhet?
Po! Pse çka Mimoza Ahmeti më shumë se unë?! Thjesht se është më shumë debile!
Po njerëzit në rrugë të përgëzojnë për punën që bën?
Njerëzit shkulin flokët, qajnë, mallëngjehen. Të gjithë te unë e kanë mendjen. Më thonë: “Po sa e mirë që je, moj Fiori!” Me pak fjalë jam bërë VIP. Patatet i blej më lirë se më njohin, më kanë parë në televizor. Nëpër lokalet ku pi kafe vënë pllakatin: Këtu ka pirë kafe VIP-i më i ri në Shqipëri (qesh). Po e marr më seriozisht. Ka nga ata që vërtet më përgëzojnë. Nuk më thërrasin me emrin tim, por Blablabla.
Të pëlqen kur të thërrasin kështu?
Për mua njësoj është. Në një farë mënyre emisionin unë e kam pagëzuar. Më pëlqen që vajzës sime të shtatë t’i vë emrin Blablabla.
Pse shtatë vajza do të bësh?
Kaq kam dëshirë, por ishallah ia arrij qëllimit me 43 kilogram rob që jam.
Fakti që je kaq e dobët, mos ka të bëjë me faktin tjetër që je edhe shumë nevrike?
Defekti më i madh që kam, është se jam shumë nevrike, por pesë minuta i kam.
Çfarë ti ngre më shumë nervat?
I dashuri im tallet gjithmonë me mua, duke u thënë të tjerëve se, nëse do ta shohësh Fiorin me nerva, shaji emisionin. Nuk e duroj dot këtë gjë. Gjëja e dytë që më ngre nervat, është kur jam pa lekë.
Po të ngeleshe pa lekë, si do të veproje?
Do t’i merrja borxh ose do të bëja grevë në shtëpi, duke iu qurravitur babit të më japë lekë.
Të ka ndodhur ndonjëherë të ta shajnë emisionin?
Shumë nga shoqëria ime më provokojnë shumë shpesh dhe ma shajnë emisionin, duke e ditur se unë acarohem. Dhe gjithmonë bie pre e provokimeve të tyre.
Cila është ajo gjë që t’i ul nervat?
Akullorja.
Gazeta Ekspress.
Krijoni Kontakt