Lamtumira e arkeologes së parë shqiptare
--------------------------------
Moikom Zeqo
Në datën 10 gusht 2005 u përcoll në banesën e përjetshme, një dijetare e shquar e Shqipërisë, Aleksandra Mano. Mund të thuhet se vdiq në një vetmi, që është bërë kaq familjare por dhe paradoksale për tërë racën e intelektualëve, që kanë lënë emër të pashlyeshëm në tempullin e shkencës. Funerali është një koncentrim i kujtesës për të gjithë, befas mandata e vdekjes qe një goditje apo rrufe në kujtesë, për të gjithë ata që e kishin njohur. E përcollëm, trupi i saj në varr u bë epiqendra e një vëmendjeje të thekshme, plot dritësim nga brenda. Mbylli sytë përgjithmonë një nga femrat më të rralla, më të ditura, më fisnike dhe më me dinjitet, që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Unë që e kam njohur prej vitesh, kur punoja në arkeologji Aleksandra Manon, kam shumë kujtime, por një ngulç në fyt më krijon vështirësi për t'i artikuluar idetë, apo fjalët, pikërisht ato shprehje që do të mund të përafronin sadopak, zbehtë dhe thjesht në mënyrë analogjike, të vërtetën e jetës dhe të veprës së saj shkencore. Aleksandra Mano pati fatin e çuditshëm, krejtësisht të rrallë dhe ekskluziv në jetë, që të bëhej arkeologia e parë shqiptare. Askush para saj, asnjë femër, sado e guximshme dhe ambicioze, sado sfiduese dhe vetëkërkuese nuk kishte hyrë në botën e madhe, të jashtëzakonshme dhe të pafund të arkeologjisë. Duke qenë e para, Aleksandra solli kështu një kuptim të ri për femrën shqiptare në përgjithësi. Duke qenë e para, ajo shpalosi kuptimshmërinë e lartë të shëmbëlltyrës. Ajo nuk qe vetëm e para, por arriti dhe një nivel sipëror dhe u bë tashmë një emër historik dhe i patjetërsueshëm në kalendarin tempor të arkeologjisë…
***
Aleksandra Mano lindi në 1924 në Postnam të Leskovikut.
Në rininë e saj, sidomos kur ishte nxënëse në Normalen e Elbasanit, kishte një shpirt të hapur për idetë përparimtare dhe atdhetare. Në vitin 1942 ajo qe një nga femrat e para që rrëmbeu armën dhe u rreshtua në çetën e Çermenikës dhe në batalionin me të njëjtin emër. Aleksandra është burgosur dy herë nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë. Ka duruar torturat dhe privacionet. Tërë familja e saj dha kontribut pa kursyer asgjë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. I ati i saj Pandeli Mano dhe njëra nga motrat, u internuan në kampin fashist të Porto Romanos në Durrës. Kam në duart e mia disa fotografi të vitit 1943, ku ajo është një partizane e re, e bukur, e hijshme dhe ballëndritur, me armë në duar, me një vështrim të menduar të syve. Padyshim që ajo ka pasur shumë shpresa rilindase, ajo dashuroi si askush diturinë si një koncept naimian i zhvillimit.
***
Në 1955 ajo kreu studimet e larta në Fakultetin Histori - Gjeografi dhe menjëherë nisi punën si punonjëse shkencore në Institutin e Shkencave në Sektorin e Arkeologjisë.
Ajo punoi me pasion dhe përkushtim, mori pjesë në ekspeditat e para kërkimore arkeologjike, duke u thelluar në punën studimore për kualifikimin e saj profesional. Aleksandra Mano u specializua sidomos me njohjen e qeramikës antike (ilire, greke dhe romake). Ajo u lartësua dhe zuri një pozitë qendrore në arkeologjinë e re shqiptare. Ajo drejtoi një numër të madh ekspeditash arkeologjike, por nuk do të harrohet dhe si udhëheqëse e mjaft dizertantëve për kualifikimin pasuniversitar.
Ajo ka drejtuar gërmime substanciale në qendra të rëndësishme në rrafsh kombëtar si: në Apoloni, Durrës, Dimal, Babunjë, Maliq, por edhe në Fier, Lushnjë, Vlorë. Gjeografia e gërmimeve të saj i ka zbulimet nga brenda, nga nëntoka. Ajo shkroi një numër punimesh shkencore me nivel të lartë brenda dhe jashtë vendit, ka marrë pjesë aktive në kuvende dhe simpoziume arkeologjike me rëndësi të veçantë në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare.
***
Ajo ka kryer me përgjegjësi të thellë detyra drejtuese, si Përgjegjëse e Sektorit të Arkeologjisë, pranë Institutit të Historisë në 1975, kurse në vitin 1976 qe drejtorja e parë e Qendrës së Kërkimeve Arkeologjike deri sa doli në pension. Ka qenë anëtare e Këshillit Shkencor të Institutit të Historisë, e redaksisë së revistës "Iliria", etj. Në 1980 merr titullin "Bashkëpunëtore e Vjetër Shkencore", në 1993, fiton gradën "Doktor", në 1996 titullin "Profesor".
***
Sjell ndërmend bibliografinë e shkrimeve të Aleksandrës.
Studimi i saj i parë i madh qe për shenjat simbolike mbi drahmet prej argjendi të Dyrakionit dhe të Apolonisë, botuar në vitet '50 të shekullit XX. Për herë të parë, një studim i tillë me një informacion të habitshëm, fliste për krijimtarinë monetare të lashtësisë në Shqipëri në këto dy qendra, dhe sidomos hollësisht për miniaturat figurative të monedhave, të shenjave simbolike, të lidhura me kultet mitologjike, për shenjat simbolike të lidhura me shtetarët, prytanët, veprimtaritë ekonomike, etj.
Kaq e madhe është pasuria e kësaj simbolike, sa mund ta kuptosh se miniatura pasuron mrekullisht botën, duke mbushur plotësisht boshllëqet që kanë kronikat. Akoma dhe sot ky studim i Aleksandrës nuk e ka humbur freskinë, duke qenë një pikë e përhershme reference. Një tjetër studim i saj i botuar në vitin 1965, bazohej në krahasueshmërinë dhe klasifikimin e qeramikës masive të qytetit të Apolonisë. Apolonia u bë poli magnetik i jetës, i punës i pasionit dhe botës shkencore të Aleksandra Manos. Pas dekanit të arkeologjisë shqiptare Hasan Cekës, ajo mund të quhet arkeologia kryesore e Apolonisë, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Shpeshherë kam qenë në gërmimet e saj në Apoloni, sidomos gjatë zbulimit të teatrit antik. Përkushtimi i Aleksandrës qe prekës, përkujdesja e saj e papërsëritshme, modestia e saj e pazakontë. Në një nga gjetjet, që qe shtati i një femre prej mermeri të skalitur veshur me himation, mungonte koka e statujës. Për një trill apo për një rastësi jo aq të rastësishme, Aleksandra Mano shkoi mbrapa statujës së kësaj femre të mermertë dhe aty ku ishte qafa e këputur e statujës, vuri qafën e saj dhe kështu fotografi i ekspeditës i bëri një fotografi të paharrueshme. Kur e shoh tani këtë fotografi, padyshim që tronditem, por edhe habitem, krijohet iluzioni që statuja e lashtë e shekullit IV para Krishtit, e kishte vërtet kokën e gjallë të Aleksandra Manos, kokën e dytë, pra të gjetur pas 24 shekujsh. Kjo metaforë është njëkohësisht dhe sinteza e jetës dhe shkencës së Aleksandra Manos.
***
Kryevepra e saj shkencore është monografia për kërkimet arkeologjike në Apoloni, në nekropol. Kjo monografi ndodhet në boca, është në procesin e botimit. Ditët e fundit të jetës, Aleksandra Mano e ndjeu një ankth. Ajo pyeste shpesh nëse do të botohej dhe do ta shihte vallë ende gjallë këtë libër të jetës së saj. Për fat të keq, libri do të dalë nga shtypi, por kjo dalje bëhet pas mbylljes nën dhe të trupit të saj, por në asnjë mënyrë të shpirtit. Shpirti i Aleksandrës do të mbijetojë dhe do të kujtohet, sepse është një motiv tashmë i patjetërsueshëm edhe i arkeologjisë shqiptare. Përgjithësisht studimet e saj janë akribike dhe të sakta. Është për t'u habitur se sa vizionarisht të qarta, pa asnjë lloj kompleksi, janë studimet e saj për kolonizimin helen në epokën arkaike në bregun detar të Shqipërisë, apo ideja e sinkretizmit të kulturave vendase dhe të ardhura, brenda koinesë së qytetërimit antik në Shqipëri. Një jetë e tërë nuk mund të mbyllet, as të harrohet kështu papritur. Aleksandra qe një njeri i mrekullueshëm. Kurrë nuk kam për ta harruar personalitetin e saj të qashtër, sjelljen dhe atributet e saj njerëzore. Sëbashku me burrin e saj, gjithashtu arkeolog i shquar Burhan Dautaj, Aleksandra Mano qe një Mentor i arkeologëve të rinj të Shqipërisë. Puna dhe vepra e saj do të dritësojnë përherë. Amen!
gsh
Krijoni Kontakt