Zbulohet skandali në ministrinë e Mbrojtjes

Nga Rajmond BELO

Nga burime tepër të sigurta dhe të mirëkonfirmuara, mësohet së grupi i inspektorëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), do të mësyjë në ministrinë e Mbrojtjes, për të zbardhur abuzimet skandaloze të kryera nga strukturat e këtij dikasteri, që rerzulton të jetë ndër më kryesorët në thithjen e fondeve nga buxheti i shtetit. Kapitulli i kontrollit ka qenë një kërkesë e hershme e opozitës politike, që tashmë pritet të marrë frenat e pushtetit, me të vetmin qëllim, bërjen e terapisë së nevojshme, në lidhje me abuzimet e bëra nga pushtetaret aktualë, përfshirë edhe vetë ministrin Majko, i cili kryeson listën e abuzuesve të qeverisë në ikje. Jo pak herë, në shtypin shqiptar janë bërë të njohura abuzimet financiare me buxhetin e mbrojtjes dhe firmën e Pandeli Majkos, por ky gjithmonë ka dalë i larë, duke u shtirur si i paditur, apo për shkak të lidhjeve dhe konjukturave politike, brenda të cilave përfshihet edhe tolerimin që i ka bërë opozita.Por, kësaj here, duket se kontrolli i pritshëm i KLSH-së do të jetë serioz, i thellë dhe i detajuar, që më parë deri në detaje. Burimet tona thanë se, kur opozita ka mësuar gjendjen skandaloze financiare, në të cilën ministri në ikje, Majko po e le ministrinë e Mbrojtjes është vënë në lëvizje, duke i kërkuar me insistim KLSH-së të bëjë kontrollin e duhur në këtë institucion. Kontrolli do të drejtohet në tri fusha: prokurimet publike, shitje e mjeteve luftarake dhe armatimit, si dhe politika e personelit e dëmet ekonomike të lidhuara me të, tek të cilat mendohet se abuzimi dhe dëmi i shkaktuar fondeve publike është më i dukshëm. Përsa i përket prokurimeve, në ministrinë e Mbrojtjes abuzimet janë tepër serioze dhe përfshijnë, kryesisht rikonstruksionet e objekteve dhe blerjet e mallrave e shërbimeve, por fakti që i ka skandalizuar ekspertët e opozitës dhe ata të KLSH-së, është ai, që Majko ka prokuruar edhe fondet e viteve 2006-2007, të cilat as që kanë ekzistuar në buxhetin e MM, por kanë qenë planifikime fiktive të të ardhurave. Bile dikasteri ende pa i krijuar këto të ardhura ka bërë dhe prokurimet dy apo tre vjeçare. Vlerat e këtyre arrijnë në miliona dollarë për objekte, ndërkohë në MM, që nga viti 2003 vazhdon të thellohet borxhi ndaj të tretëve, pasi të ardhurat fiktive asnjëherë nuk realizohen, duke e çuar borxhin në disa milionë dollarë. Me të tilla fonde janë bërë godina e re e ministrisë (2.5 milionë dollarë), spitali Ushtarak (3.2 milionë dollarë), godinat e Zall-Herrit (3 milionë dollarë), Bunavija (3 milionë dollarë) etj. Pikërisht në këtë gjendje pritet ta gjejë ministrinë e Mbrojtjes qeveria Berisha, ministri i ri i të cilës duhet të paguajë faturat financiare të prokurimeve të Majkos edhe për të paktën, dy vitet e ardhshme. Të gjitha këto fonde janë shpenzuar në tendera ndërtimesh dhe rikonstruksionesh të çfardo lloji, duke devijuar nga prioritetet dhe me të vetmin qëllim, marrjen e përqindjeve të majme nga ana e grupit Majko. Tashmë e dinë të gjithë që firmat e ndërtimit kanë paguar nga 15-20% paradhënie, për fonde të cilat nuk po i vjelin dot, pasi MM nuk ka para të financojë të gjitha objektet e prokuruara. Shumë firma ndërtimi janë suprizuar nga çmimet e kripura që duhet të paguanin tek truproja e ministrit, njëkohësisht edhe tutor i familjes Majko, i cili së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Dashamir Kadëna kanë mbledhur paratë në emër të familjes Majko. Përqindjet e korrupsionit për tenderat e ndërtimit në këtë ministri kapin rekorde dhe po të llogarisësh këtu edhe fondet tre vjeçare të prokuruara, mbi të cilat llogariten bakshishet, del që ministri Majko të jetë kampion i abuzmit me tenderat publikë. Njerëzit në ministri dhe Shtabin e Përgjithshëm, deri dje, të ndrydhur nga Majko dhe truproja e tij kanë filluar të flasin, duke u dhënë organeve të kontrollit informacion të bollshëm.

GAZETA SOT.