Duke iu përgjigjur nevojës së tregut të punës për një forcë pune të aftë, autoritetet shqiptare kanë vendosur të hapin tre universitete të reja. Duke filluar këtë vjeshtë, studentët mund të regjistrohen në universitetet e Beratit, Durrësit dhe Fierit


Nga Erlis Selimaj për Southeast European Times në Tiranë -- 10/08/05


Me shtimin e tre shkollave të reja, Shqipëria do të ketë nëntë universitete në qytetet kryesore të saj.

Duke filluar në vitin akademik 2005-2006,
Shqipëria do të ketë tre universitete të tjerë.


Më parë gjatë këtij muaji, qeveria miratoi legjislacionin duke hapur rrugën për çeljen e institucioneve të arsimit të lartë në Berat, Durrës dhe Fier.

Këshilli i Ministrave miratoi projekt-ligjin për hapjen e tre universiteteve të reja në Berat, Durrës dhe Fier, për të krijuar mundësi të reja dhe hapësira të reja zhvillimi për arsimin e lartë në universitete sipas standarteve europiane, sipas një deklarate për shtyp nga Departamenti i Informacionit i qeverisë.

Të tre universitetet do të kenë departamentë të arsimit, për të ndihmuar në përmbushjen e kërkesës për mësues në kopshte dhe shkolla fillore. Universiteti i Beratit do të japë gjithashtu diploma në administratën publike, administrimin e turizmit dhe infermieri. Studentët në universitetin në Durrës mund të ndjekin kurse në gjuhë të huaja, inxhinieri detare, shkencat sociale dhe administrimin e turizmit, ndërsa departmenti i shkencave të aplikuara të universitetit të Fierit do të ofrojë trainim në bujqësi, inxhinieri dhe punë sociale.

Vendimi i qeverisë e çon numrin e përgjithshëm të universiteteve në Shqipëri në nëntë. Autoritetet janë në procesin e gjetjes së mjediseve fizike për universitetet, ndërsa ministria e arsimit dhe shkencës ka filluar rekrutimin e personelit.

Liberalizimi i arsimit të lartë është një çështje kryesore diskutimi në akademinë shqiptare. Ndërsa reformat janë duke u miratuar dhe më shumë institucione janë duke u krijuar, shpejt mund të bëhet e mundur që çdo shqiptar që dëshiron të ketë një diplomë universitare të mund t'a bëjë këtë, me kusht që të kalojë provimin e pranimit.