Rrëmbehet një ish-ushtar i UÇK-së, kërcënohet me vdekje
Bardhyl Berberi
Një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është rrëmbyer dje nga persona të panjohur në Maqedoni. Rrëmbyesit kanë kërkuar për lirimin e tij gati 600 mijë euro, duke vënë në alarm jo vetëm familjen e tij, por edhe policinë e UNMIK-ut. Lajmi tronditës ka mbërritur dje pasdite në familjen Foniqi në Miradi të Sipërme të Kosovës. Një telefonatë nga Maqedonia nga persona të panjohur, i kanë thënë Xhevat Foniqit se vëllai i tij, Iliri, është rrëmbyer në Maqedoni dhe për lirimin e tij duhen 600 mijë euro. Pak ditë me parë Ilir Foniqi u përcoll nga vëllai i tij, Xhevati, në stacionin e autobusëve të Prishtinës në drejtim të Shkupit. Dhe që nga dita e martë e javës që kaloi, familja nuk kishte marrë asnjë njoftim prej tij. Para dy ditësh, nga një telefon fiks, një herë nga Shkupi dhe herën tjetër nga Tetova, i është telefonuar familjes Foniqi se Iliri ndodhej në duart e disa personave të shërbimeve sekrete serbe dhe për lirimin e tij ata kërkojnë 600 euro. Përndryshe, në rast se nuk dërgohen lekët, Ilirin do ta vrasin. Ilir Foniqi ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është plagosur në Junik gjatë konfliktit të armatosur me serbët. Policia e Kosovës dhe UNMIK-u kanë njoftuar urgjentisht Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Funksionari i MB-së së Maqedonisë, Brace Peshovki, theksoi se “ne do të vihemi vërtet në kërkim të qytetarit Foniqi, nëse ai është rrëmbyer”. Familja Foniqi ka sqaruar se Iliri kishte shkuar në Maqedoni të takonte disa shokë të tij. Ai është babai i tre fëmijëve. Ndërkohë zhdukja e tij mbetet ende mistër. Kohët e fundit ka patur mjaft lajme për trazira të mundshme në Maqedoni. Madje një raport i Grupit Ndërkombëtar të Krizave ka thënë së fundi se në Kondovë të Maqedonisë po krijohen tensione të reja, që mund të kërcënojnë stabilitetin në vend. Gjithsesi këto informacione janë hedhur poshtë deri tani nga autoritetet maqedonase.
09/08/2005
KATEGORIA: Maqedoni
Krijoni Kontakt