Maqedoni. Reagon kryetari i PDSH-së në Maqedoni lidhur me spekulimet për tensionet në fshatin e Kondovës
Xhaferri: Kondova s'është çerdhe islamizmi
Shekulli
SHKUP- Kauzës shqiptare në Maqedoni po i vishet një petk fetar, që tensionon edhe më shumë situatën. Kështu deklaroi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Arbër Xhaferi, për gazetën “Koha Ditore”, lidhur me deklaratat në media, pas takimit mes kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti dhe kryeministrit shqiptar, Fatos Nano. Media njoftoi se të dy palët diskutuan disa ditë më parë lidhur me praninë e mundshme të “ekstremistëve islamikë në Kondovë”. I pyetur nga gazeta “Koha Ditore”, pas një aktiviteti partiak në Shkup, Xhaferri tha se “përhapja e tezave për ekzistencën e ekstremizmit islamik në Maqedoni dhe hapësirat e tjera shqiptare, ka për qëllim që akuzës shqiptare t'i vishet ajo fetare. Sipas Xhaferit, këto dyshime i takojnë arsenalit të tezave për kompromentimin e politikës shqiptare, që përgatiten nga “kuzhina” të ndryshme antishqiptare. “Në Kondovë dhe në shumë vende të tjera, do të jetojnë dhe do të ekzistojnë myslimane të devotshëm që kanë besim në Zot. Ata janë njerëz të dobishëm për çdo shoqëri, pasi e forcojnë moralin e një populli”, - tha ai. Xhaferri shtoi se “populli shqiptar në përgjithësi, nuk mund të harrojë asnjëherë kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në mbijetesën e shqiptarëve në këto hapësira. Prandaj, ata nuk mund të kenë politikë që u kundërvihet interesave të tyre. Forca terroriste të tilla që abuzojnë me fenë nuk ka dhe nuk do të ketë në hapësirat shqiptare. Ju me siguri u referoheni komenteve në gazeta, sipas të cilave, Nano dhe zoti Ahmeti paskan hedhur këtë tezë”, - tha Xhaferri. “Mendoj se ata nuk mund të jenë aq naivë, sidomos Nano, që me gojën e tij të prodhojë një shpifje që përgatisin kuzhinat e ndryshme antishqiptare”, - shtoi ai. Kreu i PDSH-së shtoi se “me këto deklarata synojnë të thonë se në Maqedoni, apo në hapësirat e tjera shqiptare, nuk paska kauzë shqiptare, paska kauzë fetare, në përgjithesi, në botë të gjitha fetë gëzojnë të drejtën e tyre, pra edhe në Maqedoni, ku njerëzit me liri të plotë i shfaqin bindjet e tyre fetare”. Sipas tij, detyrën e prodhuesit të këtyre aferave kohëve të fundit e ka marrë presidenti i Maqedonisë, Branko Cervenkovski. “Në kohën e fundit, ofruesi i aferave të tilla është presidenti Cervenkovski. Ai me siguri nuk ka çka të bëjë dhe me mërzinë e vet, prodhon fenomene të tilla. Kondova është një rast që nuk duhet të marrë kaq shumë energji dhe të krijojë kaq shumë brengosje për qytetarët”,- shtoi lideri i opozitës shqiptare në Maqedoni. “Ky problem nuk ekziston si paraqitje drejt integritetit, apo sigurise në Maqedoni. Dikush kërkon që të krijojë armiqësi, me të cilat nuk mundemi as ne dhe as kush tjetër të dalë në krye”,- theksoi Xhaferri. Lideri i opozitës shqiptare ka paralajmëruar për devijimin e procesit politik në vend, duke thënë se partia qeverisëse shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka dështuar. “Aktualisht procesi politik po devijon në mënyrë të rrezikshme. Ky kurs politik sërish i mllefos shqiptarët dhe mund të krijojë efekte shumë negative. PDSH-ja kohët e fundit po hesht, për shkak se heshtja e saj flet në të mirë të një pohimi të pranuar nga të gjithë se proceset politike në Maqedoni nuk zhvillohen si duhet dhe se partia që është në qeveri, ka dështuar totalisht”,- shtoi Xhaferi, duke theksuar se platforma politike që përfaqëson partia e tij, është varianti më i sigurt për shqiptarët. “Kohët e fundit po na atribuojnë shumë gjëra, mirëpo ju duhet që të jeni të sigurt se PDSH-ja bën një filozofi të vetën politike, ka strukturë shumë të fuqishme dhe përgjithësisht ka parasysh dy interesa parësore”, - tha Xhaferri. “Interesi kryesor është mirëqenia e shqiptarëve, pra pavarësimi i pozitës së tyre në sistem dhe çështja e dytë është siguria e shqiptarëvë në Maqedoni”, - theksoi ai. “Ne nuk do të bëjmë politikë me viktima, ne nuk do të viktimizojmë askënd, por do ta zhvillojmë betejën e fuqishme politike dhe intelektuale për t'i arritur rezultatet që i kemi parashikuar me programin tonë, për të mbrojtur ato që janë aritur deri me tani”,- nënvizoi kryetari i PDSH-së
Krijoni Kontakt