Velipojë- Një nënë 30-vjeçare ka vdekur me vogëlushin e saj në gjoks, duke u përpjekur ta mbronte nga plepi që u rrëzua mbi kioskën ku gjendeshin. Por sakrifica i shkoi kot sepse edhe fëmija 6-vjeçar u shtyp nga pesha e plepit. Ngjarja e dhimbshme ndodhi në plazhin e Velipojës, duke u gdhirë dita e djeshme.
***
Stuhia që ka zgjatur rreth 45 minuta , në mesnatën e kaluar në plazhin e Velipojës, ka shkaktuar dy viktima si dhe dëme materiale. Rreth orës 02.20, të ditës së djeshme, plazhi i Velipojës është përfshirë nga një shi i rrëmbyer shoqëruar me erë të fortë, breshër e vetëtima , që ka zgjatur rreth 45 minuta. Era ka shkulur disa plepa të plazhit , kryesisht ata më të vjetrit që janë mbjellë aty në fillim të viteve 70-të, kur Velipoja filloi të funksiononte si plazh. Plepat e ndodhur në qendër të plazhit, në krahun e majtë të tij, kanë rënë , duke dëmtuar 4 kioska me llamarina, që përdoren edhe si biznese të vogla tregtare në periudhën e verës. Por njëri prej tyre ka qenë fatal, pasi trungu i është këputur rreth 20 cm mbi tokë dhe ka rënë mbi kioskën e familjes Gruda, nga Shkodra, duke e shembur atë. Plepi i thyer ka bllokuar 7 personat që ndodheshin brenda në kioskë, të cilët nuk kanë arritur të dalin jashtë. Ata kanë thirrur për ndihmë dhe fqinjët janë përpjekur të largojnë plepin, por kjo ka qenë e pamundur. Më pas u thirr në ndihmë policia e postës së Velipojës , e cila ka kërkuar edhe forca nga policia e Shkodrës. U arrit të nxirren pa dëmtime të rënda 5 persona nga ata që ndodheshin në kioskën e shembur, ndërsa kanë mbetur brenda Sidita dhe Ersin Gruda, nënë e bir, përkatësisht 30 dhe 6 vjeç. Plepi i rënë mbi kioskë i ka zënë ato nën vete. Rreth 20 persona , si dhe mjaft policë janë përpjekur të largojnë plepin, por ka qenë e pamundur. Nuk ka hyrë shumë në punë edhe një vinç i sjellë nga policia, që nuk ka mundur ta largojë plepin e rëndë e të lartë që ishte thyer mbi kioskë. Pastaj u thirr një person me motorsekë i cili ka nisur të sharrojë plepin , në mënyrë që të nxirreshin trupat e mbetur aty. Energjia elektrike në plazh, për shkak të stuhisë, u ndërpre, dhe motorseka mundi të punojë vetëm me karburant.
***
Vetëm pas rreth 2 orësh u nxorrën nga kioska trupat e pajetë të nënës dhe djalit të saj. Një nga fqinjët, që ka kioskën aty pranë thotë se “shpresonim të gjenim gjallë djalin, pasi gruan e pamë që në fillim se kishte vdekur. I kishte këmbët e ftohta. Djalin e kishte mbërthyer në gjoks, duke u përpjekur ta mbronte me trupin e saj, por pesha e plepit ka qenë e madhe dhe forca e tij i ka shtypur të dy. Këta plepa janë shumë të vjetër , ato duhen prerë, pasi përbëjnë rrezik”.
Tragjedia e familjes së Ylvi Grudës , që humbi djalin dhe gruan brenda disa minutave, tronditi banorët e plazhit , por edhe të lagjes së tij në Shkodër. Sipas një të afërmi, në kioskë kanë qenë vetë Ylviu me gruan, Siditën, dhe dy fëmijët, 6 vjeç dhe 6 muajsh, vëllai i Ylviut bashkë me të shoqen , si dhe motra e Siditës. Ato janë zgjuar nga stuhia dhe sipas Bardhyl Grudës, vëllait të Ylviut, dritat u fikën papritur. “Donim të dilnim dhe të largoheshim diku tjetër, pasi e shihnin që ishim të rrezikuar. Breshëri i madh dhe fakti që kishim me vete dy fëmijë të vegjël, na bënë që të presim sa të pushonte stuhia”.
Në këtë kohë u thye plepi, që e shembi duke e zënë nën vete kioskën. Ata nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, vetëm u përpoqën të shpëtonte kush të mundte. Pasi u nxorrën jashtë nga policia dhe fqinjtë, uniformat blu bënë evakuimin e banorëve nga zona e rrezikshme. Si pasojë e kësaj stuhie , plazhi ka mbetur pa energji elektrike , pasi janë këputur disa shtylla . Linja e tensionit të ulët është rregulluar, por ka probleme me disa shtylla elektrike të tensionit të mesëm e të lartë, në aksin Trush- Velipojë.
Kioska
Familja Gruda shiste mish në plazh
Ylvi Gruda me familjen e tij e përdorte kioskën për shitje mishi në plazhin e Velipojës, gjatë verës. Ai është tregtar që merret me këtë aktivitet , dhe në kioskë mbante gjatë verës edhe familjen. Gruaja e tij ,e cila mbeti e vrarë dje bashkë me djalin 6 vjeç, ka qenë edukatore kopshti. Çifti kishte dy fëmijë, njëri prej të cilëve vdiq dje. Kioska ndodhej në mes të disa ndërtimeve të tjera, dyqane dhe kioska llamarine, të ngritura në një vend ku dikur, para viteve 90-të, ka qenë cirku i fëmijëve.Stuhia e mesnatës së kaluar ka sjellë dëmtimin edhe të tre kioskave të tjera , të cilave u kanë rënë sipër plepa të thyer. Atje nuk ka patur viktima pasi plepat kanë rënë anash tyre, dhe jo mbi kioskë, si në rastin fatkeq të familjes Gruda.
Krijoni Kontakt