Xhusepina Matino, 50-vjeçarja italiane e ardhur në Shqipëri si vullnetare, i ka dhënë fund jetës duke u varur me filispanjë
Bizë, vetëvaret në kishë italiania
Letra e lamtumirës: Faji është i imi. Ëndrrat me mesazh fetar duket se kanë tronditur vullnetaren
Olsi Kolami/Llambi Kallço
“Zot ki mëshirë për të gjithë. Edhe për ata që do të vijnë pas. I gjithë faji është i imi, i imi, i imi”. Kanë qenë këto, fjalët e fundit që vullnetarja italiane që prej ditësh ndodhej në kishën e Bizës, ka lënë si testament pak minuta para vetëvarjes. Xhusepina Matino i ka dhënë fund jetës në banjën e fjetores, pak metra larg kishës së Bizës në Ishëm të Durrësit. Pasi ka fikur celularin, 50- vjeçarja ka vendosur letrën në çantë dhe është mbyllur në banjë, ku edhe i ka dhënë fund jetës. Viktima është gjetur rreth orës 15.00 të ditës së djeshme në banjë, nga Manushaqe Çerri, punonjëse e kishës, e cila ka lajmëruar menjëherë kryemurgeshën. “E kishim parë që ishte e shqetësuar prej disa ditësh, prandaj shkova për të parë nëse Xhusepina ndodhej në fjetinë. Kur hyra në banjë, e gjeta të varur me një fije filispanjë, gjysmë të ulur në karrige. Menjëherë lajmërova kryemurgeshën dhe brenda pak minutash erdhi policia”,-tregon dëshmitarja e vetme, Manushaqe Çerri. Ndërsa banorët e fshatit, me të cilët Matino ka kaluar ditët e fundit e kanë etiketuar vëtëvrasjen si shkak të depresionit, autoritetet e kishës nuk kanë dashur të prononcohen për ngjarjen. Kryemurgesha e kishës së Bizës, Antonia Speri, nuk ka dashur të komentojë për gazetën, duke deklaruar se nuk është momenti për të dhënë shpjegime për ngjarjen. “Është një fatkeqësi, e cila duhet respektuar”,-tha ajo. Fill pas ngjarjes, në malësinë e Bizës, përveç uniformave blu të qarkut të Durrësit, kanë mbërritur edhe përfaqësues të Ambasadës Italiane, ndërkohë që pak minuta pas kryerjes së ekspertizës, kufoma është zhvendosur me një autoambulancë drejt spitalit të Ishmit.
Vullnetarja Mationi
Rikthimi i dytë në kishën e Bizës nuk ka sjellë qetësinë shpirtërore për vullnetaren katolike, Xhusepina Matino. Një krizë e rëndë depresioni, e cila e ka përshkuar atë përgjatë tre ditëve, qysh kur ka shkelur në Shqipëri, është bërë shkak për vetëvarjen e saj. 50 -vjeçarja është gjetur e vetëvarur me një fill filispanje në banjën e fjetores, pak metra larg kishës katolike në Bizë, ndërkohë që njerëzit më të cilët ka kaluar ditët e saj të para dhe te fundit në malësinë e Bizës shpjegojnë se vullnetarja po kalonte një gjendje të rëndë depresioni. Sipas Manushaqe Çerrit, rikthimi i sivjetshëm i vullnetares italiane ishte shoqëruar me kriza të rënda psikologjike, të cilat nuk ishin shfaqur një vit më parë, kur ajo kishte qenë në kampingun e fëmijëve të Bizës. Shumë prej personave me të cilët Matino është shoqëruar gjatë këtyre ditëve, pohojnë se disa ëndrra që 50- vjeçarja kishte parë gjatë qendrimit të saj në vendin tonë, i kishin prishur dukshëm regjimin e ditës, duke patur sjellje të cilat u etiketuan prej tyre si të çuditshme. “Xhusepina ka qenë një tip pa probleme. Edhe vjet ka qenë në Bizë për dy muaj. Ka punuar me fëmijët për një kohë, gjatë stinës së verës, por sivjet ishte ndryshe. Fliste shpesh për disa ëndrra që shihte natën dhe gjatë gjithë ditës tregonte për to. Nuk rrinte në vend, ishte shpesh në lëvizje dhe nuk dinte me kë të fliste për të rrëfyer makthin e ëndrrave që i kishin prishur gjumin”-tregon një prej punonjësve të kishës, i cili ka kaluar një kohë të madhe në shoqërinë e vullnetares Matino. Mësohet se mëngjesin e djeshëm, Matino e përfshirë nga kriza e saj e depresionit, ka patur një debat me disa prej përfaqësuesve të kishës, por nuk dihet ende se cila ka qenë arsyeja. Sipas dëshmitarëve, krizat e ëndrrave që i kanë prishur dukshëm humorin Matinos, nuk janë marrë në konsideratë nga askush, edhe pse deri në momentin e fundit ajo kishte vendosur që të merrte me vetë gjithë sekretin e ëndrrave të saj. Një banor me të cilin Matino kishte qenë ditët e fundit në Tiranë, pohon se ëndrrat misterioze kanë pasur në qendër mesazhin fetar, por nuk dihet ende se përse bëhet fjalë saktësisht.
E VETËVARURA
Matino, për herë të dytë vullnetare në Bizë
BIZË- Edhe pse ngjarja e rëndë ka tronditur dukshëm banorët e fshatit Bizë, askush nuk mund të mohojë rolin pozitiv që kisha katolike ka pasur në jetën e tyre. Shumë prej tyre e pohojnë ndryshimin. Krerët e kishës dhe mbështetja nga mysafirët italianë, që vizitonin shpesh këtë zonë të thellë, kanë mundësuar ngritjen e kishës në vitin ’93 dhe më pas ndërtimin e shkollës, spitalit dhe çerdhes. Ata nuk mund të harrojnë bujarinë e murgeshës Antonia Speri, e cila nuk ka kursyer asgjë, duke mundësuar kurimin e fëmijëve dhe banorëve të zonës në spitalet italiane. Jeta e vështirë ekonomike me të cilën përballen përditë banorët e fshatit Bizë i ka shtyrë krerët e komunitetit katolik në mbështetje me Ambasadën Italiane, që të japin një ndihmë të çmuar për rritjen e mirëqenies së banorëve. Ka qenë kjo arsyeja që prej dy vjet radhazi në këtë fshat të thellë, vullnetare nga Italia kanë ndihmuar me fonde këtë zonë, ndërkohë që shumë të tjera si Xhusepina Matino, kanë dhënë kontributin e tyre, duke ndihmuar në mirërritjen dhe argëtimin e fëmijëve në një kamping të ngritur për këtë qëllim. Një vit më parë, vullnetarja katolike kishte ardhur për herë të parë në Bizë, ku ishte marrë me fëmijët e gjendja e saj kishte qenë mjaft e qetë. Por ndryshe nga viti i kaluar, misioni i sivjetshëm i Matinos ka përfunduar tragjikisht. Ajo është vetëvarur në banjon e fjetinës pranë kishës, e sipas bashkëpunëtorëve të saj, këtë vendim ekstrem mendohet ta ketë marrë për shkak të ëndrrave që ajo shihte natën.
LETRA
Pak minuta para se t’i jepte fund jetës, misionarja italiane ka shkruar pak radhë në një letër, të cilën e ka futur në çantë. “O zot, ki mëshirë për të gjithë. Edhe për ata që do të vijnë pas nesh. Faji është vetëm i imi, i imi..”,-shkruante ajo në gjuhën italiane, në letrën e lamtumirës
ËNDRRAT
Në kishën e Bizës mësojmë se Xhusepina Matino kishte ditë që shqetësohej nga ëndrra të frikshme. Misionarja kishte tentuar disa herë të fliste me murgeshat, apo punonjësit e kishës për këto ëndrra, por askush nuk kishte pranuar t’i dëgjonte. Mendohet se kjo gjë i ka shkaktuar depresion
VETËVARJA
Punonjësja e kishës, Manushaqe Çerri, ka gjetur trupin pa jetë të misionares 50-vjeçare në banjën e fjetinës pranë kishës. Xhusepina ishte e ulur në karrige, ndërsa në qafë i varej filli i filispanjës, me të cilin i kishte dhënë fund jetës, pas krizave të depresionit, që e kishin pushtuar ditët e fundit
28/07/2005
KATEGORI
http://www.shekulli.com.al/index.php...738de981e6b1ee
Krijoni Kontakt