Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Buena Suerte Maska e MI CORAZON
    Anëtarësuar
    21-07-2002
    Postime
    7,485
    Shpirti shqiptar në çiftet e përziera

    Njerëz të panjohur, që rastësia i bashkon përjetë, gra e burra që vendosin të martohen me partnerë të racave dhe kombësive të tjera. Disa prej çifteve të përziera, ku një partner është shqiptar, kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar. Çfarë ndodh me ta dhe me fëmijët bilingë të tyre?
    Ata janë çifte me kombësi të ndryshme, me gjuhë të ndryshme dhe që kanë jetuar në vende të ndryshme, derisa një ditë janë dashur aq shumë me njëri-tjetrin, sa kanë vendosur të bëjnë një zgjedhje të përbashkët. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një në 20 çifte përbëhet nga partnerë me kombësi dhe raca të ndryshme. Kurse në Shqipëri kjo gjë është shumë e rrallë. Por pas vitit '90 numri i martesave me të huaj sa vjen e shtohet. Dikur ishte një gjë e pamundur dhe mbase e papëlqyeshme për shqiptarët, që të martoheshin me një burrë ose grua të huaj, ndërsa sot jo. Dikur, në kohën e mbretërisë, edhe me ligj funksionarët e lartë, deputetët, ministrat, nuk lejoheshin të martoheshin me gra të huaja, ndërsa sot gjithçka është ndryshe. Në fillim ishin femrat shqiptare, ato që nisën të martoheshin me meshkuj të huaj. Më vonë edhe meshkujt shqiptarë e bënë të zakonshme këtë. Lëvizja, kontaktet, mundësia për të jetuar jashtë vendit dhe mjaft arsye të tjera, janë ato që qëndrojnë në themel të martesave të shqiptarëve me të huaj. Por, nëse numri i çifteve me një partner shqiptar dhe tjetrin të huaj rritet, nuk është se rritet edhe numri i familjeve të tilla që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri. Vetëm pak prej bashkëshortëve në martesat e përziera zgjedhin vendin tonë për të jetuar. Një pjesë tjetër zgjedh të jetojë disa vjet e të largohet, ndërsa një zgjedhje tjetër është që partnerët qëndrojnë mjaft kohë në largësi për të mos humbur punën dhe interesat në vendet e tyre. Telefonat, interneti dhe mundësia për të udhëtuar, shpesh i kanë konvertuar në disa raste martesat e përziera në martesa me një jetë të çuditshme, pak të ngjashme me çiftet tradicionale, ku burri dhe gruaja jetojnë bashkë përgjatë gjithë kohës. Në këtë numër, protagonistët që flasin për përvojat e tyre, tregojnë edhe se si e kanë zgjidhur problemin e jetës së bashku. Ata tregojnë përshtatjen me kulturat e njëri-tjetrit dhe se si transmetohet “shpirti” i prindërve të fëmijët bilingë. Çifti i përzier ka gjithmonë disa vështirësi, por pasardhësit e tij janë njerëz me fat, sepse kanë njëherësh mundësinë e të qenit të natyrshëm në dy kultura. Ndërsa studimet tregojnë se kapaciteti perceptues i këtyre fëmijëve, është deri në 30% më i madh se ai i bashkëmoshatarëve të tyre, që kanë marrëdhnëie vetëm me një gjuhë dhe me një kulturë.

    Një burrë nga Tunizia në Tiranë

    Kanë kapërcyer çdo pengesë për të arritur në lumturinë e tyre dhe të familjes që tani përbëhet edhe nga tre fëmijë. Historia e pazakontë e një burri tunizian dhe e një gruaje shqiptare.

    Një burrë nga Tunizia dhe një grua nga Shqipëria. Kanë 10 vjet martesë dhe një familje të lumtur. Aliu dhe Linda Slimani, e shoqja, janë tani një çift biznesmenësh. Por 13 vjet më parë ai ishte një burrë që mbërriti këtu për të nisur një biznes me fimrën ”Huynday”, ndërsa ajo ishte një vajzë që shkoi të punonte për kompaninë e tij, sapo pa një lajmërim për punë. Kishte mësuar mjaft dhe ishte një konkurrente e fortë, sepse njihte mirë disa gjuhë të huaja, kishte eksperiencë ndërkombëtare dhe njihte disa programe në kompjuter. ”Kështu Aliu më ofroi vendin e asistent menaxheres”, tregon Linda. Mirëpo kaq ishte vetëm fillimi. Pas një viti ajo u gjend përpara propozimit për martesë me këtë burrë, të ciline respektonte dhe e çmonte mjaft.. ”Problemi më i madh kanë qenë prindërit e mi”, tregon ajo. ”Ata nuk donin kurrsesi që unë të martohesha me Aliun. Nuk është se ishte problem diferenca e moshës. Ne kemi vetëm 9 vjet diferencë”.

    Lindës iu desh të përballonte gjithë çudinë dhe mospëlqimin e të afërmve dhe të njohurve të saj. “Por unë e doja Aliun, ai më bënte ta doja. Është aq i qetë, aq i kuptueshëm dhe nuk ka asgjë në tipin e tij që të të frenojë ose të frustrojë”. Ajo flet për bashkëshortin me një respekt dhe dashuri të pazakontë. “Është një burrë që ka ditur të hyjë në zemër të të gjithëve. Im vëlla dhe im atë, që dikur e pritën me dyshim këtë martesë, tani janë bërë aq të afërt me Alin, sa më duket e pabesueshme”, tregon Linda. Çifti ka tre fëmijë, Arlinin, vajzën e madhe 9 vjeçare, Hivën, 7 vjeçare dhe Anisin, 4 vjeçar. Fëmijët njohin më mirë anglishten ndër gjuhët e huaja. Ndjehen më shumë shqiptarë dhe flasin shumë mirë shqipen.

    Familja ka zgjedhur Shqipërinë si vendin e saj të punës dhe biznesit dhe kështu duket se do të jetë edhe në të ardhmen. Por nuk mungojnë udhëtimet e shumta kudo në botë. Gjithsesi Tunizia, Kartagjena e lashtë, mbetet një qendër graviteti për këtë familje. Linda pohon se i pëlqen shumë kuzhina e vendit, sidomos kus-kusi i njohur, që është ushqimi tradicional i tyre. Prindërit e Aliut dhe vëllezërit jetojnë në Gafsa, në qytetin e njohur për hurmat. Linda tregon se mikpritja e tyre është e mahnitshme, po ashtu edhe kostumet tradicionale. “Nuk është aspak një vend arab, në kuptimin si e mendojnë shqiptarët një vend arab”, thotë ajo. Në fakt, një përzierje e urtësisë arabe me shkollimin perëndimor dhe jetën evropiane, janë gjithë çfarë ka akumuluar babai i fëmijëve të saj. Ai pranon dhe pëlqen gjithçka pozitive nga kulturat e tjera. Kjo duket se është edhe motoja e familjes. “Fëmijëve u falim shumë dashuri dhe kujdes, por nuk u imponohemi për asgjë”, thotë Linda. Ata kanë zgjedhur shkolla private për të mësuar më shumë gjuhë të huaja dhe për të qenë më të përgatitur në një kohë më të shkurtër, në krahasim me shkollat e tjera. Por e ardhmja e tyre profesionale nuk do të jetë një zgjedhje e prindërve. Nga prindërit kanë trashëguar harmoninë dhe tolerancën.

    Beni dhe Rusana: U njohëm në Radio Sofja

    Ndonjëherë njeriut i duhen vetëm pak çaste për të bërë zgjedhjen e jetës. Dy të huaj, të panjohur, që dashurohen me shikim të parë, vendosin shumë shpejt të martohen. Zgjedhin Tiranën për të jetuar dhe pastaj Sofjen

    Ai ka nënën nga Bullgaria, por ka lindur në Shqipëri dhe ka jetuar pjesën më të madhe të jetës në Tiranë. Ndërsa ajo është 100% bullgare, por njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe. Rusana dhe Srebreni kanë 15 vjet martesë, një jetë mes Tiranës e Sofjes. Një apartament atje, një këtu. Puna e saj lidhet me gjuhën shqipe, është lektore e kësaj gjuhe, ndërsa puna e tij është biznesi, sërish me lidhje midis dy vendeve. Kanë një vajzë, Liljanën, e cila ndjehet shqiptare, edhe pse njeh më mirë gjuhën bullgare dhe pjesën më të madhe jetës e ka kaluar në Sofje. Rusana rrëfen kështu për të bijën: “Di pak shqip dhe me fjalorin dhe abetaren e kushërinjve kërkon ndihmë me ngulm nga të gjithë në familje që dinë shqip. Por të zënë, siç jemi, nuk i jemi përkushtuar aq sa duhet anës gjuhësore. Sidoqoftë sateliti shqiptar që kapim në Sofje dhe bisedimet e vazhdueshme krijojnë një dëshirë të brendshme për të qenë shqiptare. I pëlqen të jetë pjesë e një fisi të madh me shumë kushërinj nga Libohova dhe me stërgjyshër shumë të arsimuar. Në anketat shkollore regjistrohet si shqiptare dhe i mëson fëmijët e tjerë si shqiptohen tingujt e çuditshëm q, gj, y”.

    Srebren Bejleri, burri shqiptar që e dashuroi me shikim të parë gruan bullgare, tregon se kjo ishte një zgjedhje e mënjëhershme dhe e suksesshme. Ai kishte shkuar në Bullgari në fund të viteve '80, kohë kur në Lindje po “rrëzoheshin muret”. Ishte nga Tirana, kishte mbaruar shkollën e mesme atje me medalje të artë. Kishte mbaruar edhe Universitetin Teknik për Inxhinieri Mekanike. Në vitin 1988 nga shteti bullgar iu akordua një bursë trevjeçare për studime pasuniversitare. “Kur mësoja për disertacionin punoja si i jashtëm në Radio Sofja. Zakonisht shkoja në mbrëmje. Atje u njoha me Rusanën që bënte stazhin për gjuhën shqipe. Më pëlqeu thjeshtësia në sjellje dhe mentaliteti që përputhej shumë me atë shqiptar. Pas disa takimeve i propozova direkt për martesë, gjë të cilën ajo e pranoi, megjithëse njiheshim shumë pak”, thotë ai. Por pas kësaj çifti duhet të kalonte provën e përshtatjes. “Rezultoi se profesioni i inxhinierit me atë të gjuhëtares përputhen dhe natyrat tona jokonflikutale ndihmuan për krijimin e një familjeje stabile, që së shpejti (më 14 korrik) do të festojë 15 vjetorin e lidhjes se martesës”, thotë Srebreni. Në Bullgari ai punoi si pedagog në Universitetin Teknik të Sofjes për 3 vjet. “Fati e solli që edhe në biznes puna ime të lidhet me profesionin. Tani jam përfaqësues për Shqipërinë i një firme të kooperuar për prodhim ashensorësh dhe i një firme gjermane për prodhim eskalatorësh”, tregon ai. Ndërsa Rusana Hristova, tani Bejleri, është ndjerë e tërhequr që në çastet e para nga Beni, siç i thërret shkurt të shoqit. As nuk i kish shkuar në mend, se diku në studiot e Radio Sofjes, do të gjente njeriun e jetës. Por çuditë janë pjesë e ekzistencës, gjithashtu. Rusana është shumë e dhënë pas gjuhëve. Që në rininë e hershme studimet e saj lidhen pikërisht me gjuhët. Mbaroi kolegjin anglez në vitin 1986 dhe pas kësaj filloi studimet e larta për gjuhën rumune në Universitetin e Sofjes “Shën Klementi i Ohrit”. “Rastësisht dëgjova në radio një shpallje për bursë studimi për gjuhën shqipe në Sankt Petërburg të Rusisë për nevojat e Emisionit Shqip. M'u duk e jashtëzakonshme – diçka ekzotike dhe njëkohësisht që gjendej shumë afër vendit tim. Kandidova menjëherë – kishte shumë kandidatë, por jo thjesht për të provuar shansin, por me bindje dhe energji të plotë se kjo duhej fituar. Në Sankt Petërburg kam kaluar një periudhë shumë të lumtur dhe të dobishme – pedagogët e famshëm si Desnickaja, Ejntrej, Voronina, Kaminskaja më kanë ndihmuar shumë, si edhe kolegët e kursit që tashti janë bërë vetë albanologë me emër”, thotë Rusana, teksa kujton lidhjen me shqipen. Ishte po kjo gjuhë shkaku i njohjes me të shoqin. “Me Benin u njoha rastësisht në Radio dhe më bëri shumë përshtypje guximi i tij i menjëhershëm. Koha dëshmoi se zgjedhja ka qenë e drejtë. Kemi një vajzë 12 vjeçare, Liljana. Në shtëpi flasim shqip dhe bullgarisht sipas rastit dhe kalojmë nga një gjuhë në tjetrën pa e ndjerë, sipas temës”, thotë ajo. Në vitin 1995 mbrojti disertacion në Insitutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë me akademikun Jani Thomai për frazeologjinë. Gjatë periudhës '90-'95 familja e Beljerëve jetoi edhe në Tiranë, ku është apartamenti i tyre. Nga viti 2000 Rusana është pedagoge e rregullt e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe ne Universitetin e Sofjes në degën e Ballkanologjisë. Ajo pohon për punën e saj: “Nuk kënaqem të jem thjeshtë mësimdhënëse, por dua të bindem se të gjithë kanë marrë diçka me vete në jetë nga albanologjia pas kursit 5 vjeçar. Kjo mund të mos jetë detyrimisht njohja shumë e mirë e gjuhës, sepse shqipja është gjuhë e vështirë, por një qëndrim pozitiv në përgjithësi, njohje të ndonjë autori letrar, të një profili të kulturës, qoftë të pozitës shqiptare për një ose një tjetër çështje aktuale. Mendoj se të gjitha këto kanë rëndësi në një periudhë kur faktori kulturor shqiptar në Ballkan shpaloset, kjo do të thotë edhe vende të reja pune për studentët tanë. Fryt i punës në këtë drejtim është faqja e internetit ëëë.albanian.dir.bg”.

    Flutura Açka: Jeta ime midis Shqipërisë e Holandës

    Një grua nga Shqipëria, një burrë nga Holanda dhe një fëmijë biling, që rritet në Tiranë, por që më shumë ndjehet holandez. Kjo është familja jo e zakontë e Flutura Açkës, për të cilën ajo rrëfen më shumë

    Bashkëshorti i saj, Richard van den Brink, jeton në Utrecht të Holandës, është sociolog me profesion, por punon si përgjegjës i departamentit të botimeve në Institutin e Planifikimit Social-Kulturor të Holandës në Hagë. Ka qenë botues i letërsisë artistike në një shtëpi nga më të njohurat e vendit të tij për gati 15 vjet. Ndërsa djali Jerin van den Brink, 5 vjeçar, jeton në Tiranë. Deri tani ai komunikon në tri gjuhë: shqip, holandisht dhe anglisht.

    Flutura tregon për lidhjen e saj 10 vjeçare me të shoqin dhe për fmailjen e saj, pak ndryshe nga modelet me të cilat jemi mësuar të takojmë rëndom:

    “Me Richardin jam njohur diku rreth vitit 1994. Atëkohë punoja si redaktore tek “Onufri”. Ishin vitet e para të kristalizimit të biznesit privat të librit në Shqipëri dhe kureshtja ndaj tij, ishte një nga shtysat që Richardi i frekuentonte shpesh shtëpitë e reja botuese. Dikur ai ka qenë vetë botues privat dhe ka sjellë në gjuhën e tij shumë autorë të njohur. Pasioni i tij për librin e solli, jo aq rastësisht, tek unë.


    Riçardi ka qenë në Shqipëri më herët. Në fillim të viteve 70-të, grupe të rinjsh nga Evropa Perëndimore vinin shpesh tek ne, pjesa më e madhe me kureshtjen për të parë dhe shpotitur me “fanarin ndriçues në botë”. Një prej tyre ka qenë Richardi. Nga ajo kohë i pat mbetur në kujtesë dashuria dhe mikëpritja e shqiptarëve dhe kjo e riktheu në fillim të viteve 90-të, me ftesën e një miku të tij farmacist në Elbasan. Deri në lidhjen tonë, në fakt, aty nga mesi i 1998-tës, kaluan disa vite njohjeje. Unë e ndjej, Richardi ka një “virus” shqiptar, është i hapur ndaj kulturave të tjera, ka një sens kureshtjeje, nuk është snob, apo të ketë ndonjë ndjenjë shpërfilljeje ndaj më të varfërve. E ka parë ndyshimin e Shqipërisë në këto vite dhe ndonjëherë është më optimist se unë.

    Ne komunikojmë në anglisht mes nesh, pasi holandishtja ime është pothuajse asgjë, ndërsa shqipja e Richardit gjithnjë e më saktë. Kjo, pasi për mua holandishtja nuk është ende prioritet, siç është për të shqipja. Tani që djali është më i rritur, është krijuar një situatë shumë e çuditshme komunikimi, të cilën s'e kisha menduar ndonjëherë. Në të njëjtën kohë na duhet të komunikojmë në të trija gjuhët me njëri-tjetrin. Komunikimi i tyre tani në holandisht është gati i pakuptueshëm por mua, kjo më thotë se një pjesë e tim biri nuk e ka varësinë time dhe e mban të lidhur fort me të jatin, në kohën që ai nuk është mes nesh. Nuk kam as dyshimin më të vogël, se duke qenë bilingual im bir do të ketë shumë më shumë mundësira për t'u përshtatur me botën. Eshtë zgjedhja më e mirë që mund të kisha bërë për të patur një fëmijë.

    Ndonjëherë edhe për vetë holandezën lidhja jonë është e çuditshme, kështu gati si në korrespondencë. Por ai e di, pasi ka njohur me dhjetëra shkrimtarë, sa e rëndësishme është për mua “liria”, e drejta për vetmi, sikurse edhe unë e di se kjo liri është vetë burgu im. Holandezët janë shumë familjarë, nuk kam parë burra më përkushtuar për familjen. Burrat holandezë nuk i njohin kafet e pasdites me shokë, apo të gënjejnë për të ndenjir vetëm, apo, më keq akoma, të mbajnë gjëra paralele. Ata janë kalvinistë dhe e pëlqejnë transparencën, i thonë të gjitha. Të gënjesh një holandez është gjëja më e thjeshtë, për edhe gjëja më e shëmtuar për shkak të kësaj lehtësie. Ata besojnë, sepse nuk dinë të gënjejnë.

    Një pjesë të kohës ne jetojmë larg njëri-tjetrit. Unë kam nevojë për këtë atmosferë shqiptare që më ndihmon në krijim, por mbi të gjitha për profesionin tim, botuese. Nuk do të kisha qetësi po të merresha me çfarëdo pune në Holandë, do të kisha komoditet, por kjo nuk është e gjitha. Ne udhëtojmë shpesh, veçanërisht në Firenze, ku jetojnë prindërit e mi. Holanda më pëlqen shumë, kam frikë se po të rri gjatë atje do të bie në dashuri me të. Saktësia atje është gati e pabesueshme, rregulli gati bezdisës. Nga kultura e tyre kam marrë shumë në gjithë këto vite, ndjej një ndryshim për t'i shpenzuar më pozitivisht energjitë e mia, dhe më është mprehur sensi selektiv i gjërave, jam më praktike dhe i ruhem shpërdorimit të kohës, për të cilën ne si shqiptarë nuk kemi as më të voglën dhembshuri. Por mendoj se edhe miqtë tanë në Holandë mund të kenë ndryshuar mendimin për Shqipërinë duke më njohur mua, sespe për ta të jesh njëherësh edhe nënë e grua, dhe krijuese dhe botuese, thotë më shumë se kaq. Në kushtet e shoqërisë së tyre me përfitime sociale dhe me prirjen ndihmuese, sukseset e mia do të ishin të shumfishuara. Por, sërish vendos të rri këtu, sepse e dua Shqipërinë më shumë se komoditetin tim. Holanda është e bukur, por gri. Unë jam tip depresiv dhe grija më shkatërron. Kur jam nën gri, vuja nga sindromi i banesës dhe dua të mbyllem mes katër muresh. Çlirimin ma jep vetëm dielli mesdhetar shqiptar”.

    Spektër
    Where does a thought go when it's forgotten?

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    02-09-2002
    Vendndodhja
    Myslym Shyri
    Postime
    644
    Une mendoj se eshte shume e veshtire ti rritesh kalamojt me dy kultura te ndryshme, po ne te njejten koh shume e bukur dhe vecant gjithashtu.

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 70
    Postimi i Fundit: 27-04-2009, 15:33
  2. Për çiftet: Sa herë jeni ndarë e pajtuar?
    Nga theodora* në forumin Në kërkim të romancës
    Përgjigje: 77
    Postimi i Fundit: 02-01-2008, 16:53
  3. Doja te diija se kush janë çiftet e forumit?!
    Nga vampiri-femrave në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 29-12-2006, 21:41
  4. Ciftet shqiptare ne krize
    Nga Tironsja në forumin Tema shoqërore
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 08-07-2002, 02:28

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •