“Hekurani më detyroi të rrija pranë Kadriut deri në arrestimin e tij”
Ka qenë ora 08:00 e mëngjesit e datës 15 tetor të 1982, kur në banesën e tij në qendër të Tiranës, është prangosur ish-ministri i Brendshëm dhe njeriu që kishte një aktivitet 47-vjeçar në sigurimin e shtetit, Kadri Hazbiu.
Atë ditë, si në një sinkron të çuditshëm, në gjithë Shqipërinë, pa pritur akoma njoftimin zyrtar, u hap fjala për armikun e fundit të Shqipërisë. Kjo ndodhi kur populli i tejlodhur me armiq, sapo kishte dëgjuar një propagandë të shfrenuar disa mujore në demaskimin e Mehmet Shehut si poliagjent, por që çuditërisht kishte qenë për 30 vjet në krye të qeverisë shqiptare. E ndërsa nuk ishte shuar akoma ajo zhurmë, zëri i Enver Hoxhës oshtiu fuqishëm në mediat dhe sheshet publike, ku i tregonte popullit për armikun e rrezikshëm që kishte asgjësuar partia duke e konsideruar si një fitore shembullore. Por ndryshe nga sa pritej, njerëzit pas këtij lajmi filluan të shprehin mosbesim për udhëheqësin që deri në atë kohë e kishin konsideruar të pagabueshëm. Ai kishte urdhëruar që Kadri Hazbiu të rrinte në një izolim ekstrem, deri sa të hiqej ndaj tij imuniteti i deputetit të Kuvendit Popullor. Pas këtij urdhri, Kadri Hazbiu është detyruar të rrijë për pesë ditë pa gjumë dhe nën një presion psikologjik të paparë, derisa së fundmi iu vunë prangat. Pikërisht ish-truproja e tij personale, Shkëlqim Lazaj, i cili është vetëm 60 vjeç, ato ditë të arrestit është urdhëruar që të rrijë brenda në shtëpinë e Kadriut për t’a mbajtur atë nën survejim, ndërkohë që ishin me dhjetëra ata që qarkonin banesën.
Zoti Shkëlqim, ju i keni ndenjur pranë Kadri Hazbiut gjatë ditëve që ai ka ndenjur nën arrest shtëpie. Mund të na përshkruani momentet e ditëve të fundit të ish-ministrit të Brendshëm?
Ishte momenti që unë u ktheva nga Ministria e Brendshme ku dorëzova armatimin, ai që më shkaktoi një tjetër tronditje më të madhe se të tjerat. Kjo ndodhi për faktin se kur arrita te porta e shtëpisë së Kadriut, nga ushtari i shërbimit mësova se ai ishte kthyer sërish në shtëpi, pikërisht me “Gjipin” që e kishte çuar në Ministrin e Mbrojtjes. Për herë të parë, Kadri Hazbiu ishte kthyer pa eskortë dhe pa e shoqëruar kush. Kishte hapur vetë derën e makinës, kishte zbritur, dhe sigurisht nën një mbikëqyrje të rreptë, kishte shtyrë derën e oborrit për t’u futur jo më në shtëpi, pasi ajo mund të konsiderohej si kafaz izolimi. Fakti që në ministri nuk e kishin mbajtur asnjë orë, më la të kuptoja se atë e kishin larguar nga shtëpia me qëllim që unë të merrja armatimin e tij personal për ta dorëzuar. Por, mënyra se si e çuan dhe si e sollën nga Ministria e Mbrojtjes, sikur të mos kishte qenë asnjëherë funksionar, më shkaktoi përbrenda një lëmsh dhimbjeje. Më vinte për të qarë, por nuk e jepja veten, pasi mund të të akuzonin kur të doje. Ishte ligj i pashkruar që “Partia ka gjithmonë të drejtë”, dhe në rast se ti nuk ishe dakord me këtë, do të thoshte se ishe një armik i pandreqshëm i saj. Kështu që mua nga një anë më vinte për të qarë, dhe nga ana tjetër bëja sikur nuk më bënte përshtypje asgjë, duke thënë se i di vetë Partia punët e saj. Nuk kishe si të veproje ndryshe.
Hytë prapë brenda në vilën e tij?
Kisha pak çaste që kisha marrë informacionin nga ushtari dhe po rrija pas portës duke menduar dhe duke parë nga rruga e përreth shtëpisë së tij, e cila ishte mbushur me forca speciale sikur të kishin rrethuar një kriminel të kalibrit ndërkombëtar. Nuk mund të hyja brenda, se nuk e shikoja të përshtatshme. Kur më vinte mua të ulërija, merre me mend se çfarë ndjente familja e tij dhe ai vetë. Pastaj mendoja se çfarë nevoje mund të kishte ai për mua? Çfarë kërkoja unë më aty? Mirëpo, ndërsa rrija në këto momente pranë ushtarit të portës, ktheva rastësisht kokën nga ballkoni i godinës së Drejtorisë sonë, i cili binte mbi oborrin e vilës së Kadriut dhe pashë një oficer sigurimi i cili priste që ta shikoja duke ma bërë me dorë për të shkuar lart. Kur shkova më tha se më kërkonte urgjent drejtori në zyrë. Ashtu bëra, hyra menjëherë në zyrën e drejtorit ku kisha qenë rreth një orë më parë dhe nga ku kisha marrë urdhrin e çarmatosjes së Kadriut. Menjëherë, pa pritur të më thoshte gjë, i raportova për dorëzimin e armatimit në Ministrinë e Brendshme.
Ia dorëzuat vërtetimin që kishit marrë nga drejtori i Armatimit të Ministrisë për këtë gjë?
Atë doja ta mbaja për vete në dokumentet e mia personale për ndonjë rast që mund të më dukej i nevojshëm, sepse me atë kohë që kishte ardhur, nuk duhej t’i besoje as xhaketës që kishe veshur.
Për çfarë ju donte drejtori?
Hyrja ime në zyrën e tij koinçidoi sërish me rënien e ziles së telefonit sekret dy numërosh, të cilin e përdorte vetëm Byroja Politike, dhe kuptova se sërish ishte Hekuran Isai, i cili nga sa nuhata e pyeste për masat që ishin marrë në drejtim të izolimit të Hazbiut. Raqi Fica ma bëri sërish me dorë që unë të dilja jashtë dhe të prisja sa të mbaronte bisedën sekrete. Ashtu bëra. Pasi këto ishin rregullat që diheshin nga ne, edhe pa ma thënë drejtori. Kur dola te dera dëgjoja nga vrima e çelësit copërat e bisedës që mundeshin të depërtonin deri te unë, dhe me to mundohesha të zbardhja dialogun që bënin ata. Kuptova se Raqi i raportonte Ministrit të Brendshëm për çarmatosjen e Kadri Hazbiut dhe për masat që kishte marrë në përqendrimin e forcave speciale në shtëpinë e tij. Ndërsa dëgjoja të gjithë bisedën, të cilën nuk e vija në dyshim se raportohej te Enver Hoxha, mendoja me vete; “kaq i rrezikshëm u duket Kadri Hazbiu këtyre njerëzve që po tronditin Ministrinë e Brendshme dhe të gjitha forcat e tjera për ta mbajtur në këtë lloj izolimi!? Ai duket njerëzor dhe nuk po shpreh as revoltën më të vogël, qoftë dhe vetëm me një fjalë, por qëndron i qetë dhe dinjitoz, pavarësisht se ka ditë që nuk vë gjumë në sy. Pse t’ia bëjnë kështu? Ku t’i ketë shkelur në kallo vallë?” Në këtë vorbull meditimi, Raqi e përfundoi telefonatën me Hekuranin dhe më thërret mua ku më komunikon; “shoku Shkëlqim, ju do të vazhdoni të rrini pranë Kadri Hazbiut, siç keni qenë deri tani. Por, këtë herë ndryshon mënyra e funksionimit tënd. Ti je oficer i denjë i Partisë, je anëtar i saj, prandaj duhet t’i shërbesh me besnikëri deri në fund. Do të shkosh te Kadri Hazbiu dhe do të jesh pranë tij për të marrë masa për çdo tentativë që do të mundet të bëjë. Nuk duhet që në asnjë rast ta ulësh vigjilencën. Ai është Deputet i Kuvendit Popullor. Do ta mbajmë kështu në gjendje arresti, derisa të mblidhet seanca e Kuvendit për t’i hequr imunitetin dhe ta rrasim brenda.
Çfarë i thatë ju?
U trondita tmerrësisht. Ai ma komunikonte këtë lloj detyre sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Unë kisha ndenjur dhjetë vjet me radhë pranë Kadri Hazbiut, pa iu ndarë asnjë hap. Ai më kishte ardhur në të gjitha gëzimet familjare të miat dhe ma kishte dëgjuar llafin kur i kisha kërkuar ndonjë gjë. Këtë ta them se më kishte imponuar një respekt, saqë nuk dija si ta shprehja. Ai më kishte trajtuar më shumë si shok, se sa si truprojë. Dhe tani, vinte një moment që unë duhej të rrija pranë tij me qëllim djallëzor, për ta dëgjuar dhe survejuar nga afër, për çfarëdo gjëje që do të thoshte dhe çfarë kishte ndërmend të bënte për të raportuar te Sigurimi i shtetit. Akoma më tronditës ishte shprehja e drejtorit kur më tha se, për dy-tre ditë do të rrasej brenda. Ju si gazetar e dëgjoni tani, por po ta përfytyroni veten në atë kohë, ku të niseshit në mëngjes për të shoqëruar ministrin për në zyrë dhe për dy orë të merrje vesh ato që mësova unë, aq më shumë kur u mësua se për 3-4 ditë do të arrestohej, mund ta imagjinosh se çfarë ndjen. Unë gjithsesi, pyeta drejtorin në mënyrë kundërshtuese se si mund të rrija më pranë tij, kur ai nuk mbante më postin e lartë qeveritar. Pastaj i thashë se “çfarë do t’i them unë? Si do ta justifikoj”? Të them të drejtën nuk kisha dëshirë të shkoja pasi e dija gjendjen psikologjike të tij dhe të familjes. Pastaj, nuk dija si ta justifikoja dhe ai menjëherë do ta kuptonte se unë kisha shkuar për të siguruar rrethimin më të afërt të tij. Pra, të bëja pranë tij spiunin.
Si ta priti mendimin drejtori?
Sigurisht, Raqi s’kish ç’të thoshte ndryshe, se atë mendim nuk e kishte të tijin, të Hekuran Isait. Por ai u mundua të më mësonte si të justifikohesha te Hazbiu për vazhdimin e qëndrimit tim pranë tij. Duhej t’i thosha se ai ishte deputet, prandaj nuk më kishin hequr?
Mendoje se do e besonte një justifikim të tillë Hazbiu?
Absolutisht jo. Kush mund t’ia hidhte Kadri Hazbiut. Prandaj ata e kishin frikë se ishte shumë i zgjuar. Madje ai e dinte shumë mirë që do të arrestohej dhe kjo s’ka asnjë dyshim.
Po atëherë ?
Ata mundoheshin të gjenin një justifikim çfarëdo që të ishte, sepse nuk ishte problem sipas tyre, nëse Kadriu po mësonte gjithë prapaskenën që po i bënin.
Si përfundim çfarë vendosët?
Detyrimisht do të zbatoheshin urdhrat që jepeshin, kjo s’kishte asnjë diskutim, aq më shumë që në atë moment kam folur direkt me Hekuran Isain, i cili më urdhëroi shumë prerë, madje edhe më ofendoi për të zbatuar detyrën me një përpikmëri absolute.
Si ndodhi që u lidhët direkt me Hekuran Isain?
Ndërsa ishim duke diskutuar me Raqi Ficën për problemin e vazhdimit të shërbimit tim pranë Kadriut, bie sërish telefoni dy numërsh që fliste Hekuran Isai. Unë do të detyrohesha të dilja sërish jashtë. Pasi ai bisedoi pak me Hekuranin, më thërret edhe mua brenda dhe më jep receptorin duke më bërë me shenjë se Ministri i Brendshëm kishte kërkuar të fliste me mua.
Çfarë të tha?
Ai më foli ashpër dhe prerë. Pa e zgjatur theksoi; “Shkëlqim do të zbatosh me përpikmëri të gjitha porositë që të ka dhënë Raqi. Për çdo parregullsi, do të mbash përgjegjësi penale. Do të jesh aty oficer i Sigurimit të shtetit që do të raportosh dhe do të zbatosh për çdo gjë që do të të thuhet. Do të plotësosh çfarëdo gjëje që do të kërkojë ai. Pra, do të veprosh sikur ke qenë në fillim. Unë i thashë se si mund të rrija dhe si do të justifikohesha kur Kadri Hazbiu do ta kuptonte menjëherë që unë kisha shkuar me qëllim për ta survejuar. Pas kësaj ai tepër i revoltuar shpërtheu duke mbyllur telefonin “Ik ore qërohu, je oficer Sigurimi apo ç’je ti...!?
Çfarë bëtë pas kësaj?
Nuk e zgjata fare, por shkova aty pa as më të voglin hezitim. Të fusnin brenda kur të duash ata. Të akuzonin për moszbatim urdhri dhe kaq ishte e gjithë puna. Kur hyra brenda, sërish Kadriun e pashë të lëvizte në oborr. O perëndi çfarë situatash kalonte ai njeri në ato momente! Më rrëshkiti padashur një pikë lot nga sytë, të cilin ma pa dhe Kadriu vet. Iu afrova dhe e ndiqja për t’i dhënë të kuptonte se unë nuk kisha qëllim të keq, që isha pranë, por aty isha për të zbatuar detyrën. Unë do të vazhdoja të isha në shërbim të tij, deri në momentin që do të më largonin. Edhe ai këtë e dinte mirë. Pas një ore dola jashtë dhe shkova në një kafe. U ktheva sërish dhe po vija vërdallë. Për çudi nuk po takoja asnjë koleg për të shkëmbyer qoftë dhe një bisedë të thjeshtë. Më pas kuptova se të gjithë më shikonin së largu, më fshiheshin duke ndërruar rrugë për të mos më takuar. Frika e kujtdo ishte se ata mendonin se kushedi si mund të rridhnin ngjarjet dhe mund të akuzohesha edhe unë si bashkëpunëtor i tij, ashtu siç ishin akuzuar bashkëpunëtorë të Mehmet Shehut, edhe Gani Kodra, Ali Çeno etj.
I treguat për porositë që ju kishin dhënë për ta survejuar?
Hezitova disa herë duke menduar si të bëja, t’ia thosha apo jo? Më vinte shumë zor. Mendoja se ishte i tensionuar, dhe nuk doja ta tensionoja akoma. Ai kishte ditë që nuk vinte gjumë në sy. Por nuk më durohej dhe i fola; “ shoku Kadri, që të jem i sinqertë me ju, po ju them se jeni vënë në arrest....,”. Ai menjëherë më bëri me shenjë duke më shkelur fort buzën e tij dhe duke bërë një lëvizje me dorë që do të thoshte të mos flisja gjëra të tilla, se isha në survejim të plotë. Unë në fakt e dija që kishte kamera dhe përgjues, por nuk e dija që Kadriu ishte shumë i informuar për gjithçka. Shkuam mbrapa vilës ku nuk mund të përgjoheshim dhe i tregova gjithçka.
Çfarë tha ai?
Qeshi lehtë, dhe më tha që të kisha kujdes se edhe unë kisha përgjues. “Kur të largohesh nga shtëpia ime” më tha, “duhet të shkosh drejt e në shtëpi e të mos takosh askënd”.
Pra,ai ishte në dijeni dhe dinte edhe planet e tyre.
Pse mund të përgjoheshit juve?
Në momentin që mua më vunë me shërbim pranë Kadriut, dikë tjetër e kishin vënë për të më survejuar mua. Kjo bëhej se mos Kadriu më jepte ndonjë porosi për të takuar dikë. Pra, se mos vepronte nëpërmjet meje. Gjithsesi, unë bëja vetëm lëvizjet për në shtëpi për të ngrënë bukë dhe kthehesha përsëri. Një mbasdite, kur isha kthyer nga shtëpia, pashë që ishte bërë një rrethim i jashtëzakonshëm. Çfarë të shikoje! Kudo të zinte syri veç ushtarë garde, forca policie dhe oficera sigurimi. Nuk kisha nga ta ktheja kokën, se veç ata shikoje. Ndenja deri në darkë dhe së fundmi u ktheva për në shtëpi.
Shkuat prapë të nesërmen?
Patjetër që shkova. Në orën 07:00 isha në oborrin e tij. Atë mëngjes ishte bërë më keq. Dukej sikur kaloje në rreshta ushtarësh kur kapërceje postblloqet e sampistëve, derisa hyra brenda. E gjeta në oborr. Kishte një shprehje shumë të dhimbshme. Ndoshta nuk e kishte pritur që të bëhej gjithë ajo zhurmë me të. Ndjehej i zhgënjyer nga njerëzit që u kishte shërbyer tërë jetën. Ata po e trajtonin më keq se një kriminel të sprovuar. Sa hyra më tha; “e more Shkëlqim, e shikon se çfarë bëhet për mua”?. Por edhe këtë ma ka thënë në një vend të caktuar të oborrit, se kishte kamera dhe përgjues kudo. Unë nuk i fola, se s’kisha çfarë t’i thosha. Pastaj më tha; “Shkëlqim, Edija është shumë e sëmurë nga zemra. Gjatë natës ka pasur shumë probleme,(Edija ishte gruaja e tij). Prandaj interesohu me shokët e drejtorisë që ta çojmë në spital për vizitë. Aty do të shkoj edhe unë”.
Çfarë bëtë juve?
Menjëherë shkova te drejtori, Raqi Fica, të cilit i thashë atë që më kishte thënë Kadriu. Ai u befasua madje edhe Hekurani kur mësoi këtë gjë u befasua akoma më shumë. Po të shkonte Kadriu në spital, do të thoshte që të merrnin masa të jashtëzakonshme për ta shoqëruar dhe siguruar. Kjo kërkonte një plan të hollësishëm veprimi. Megjithatë, ata më thanë që të prisja se do të më tregonin ata se si do të veprohej. Unë pas kësaj, shkova dhe i thashë Kadriut përgjigjen e tyre, i cili bëri sikur s’më dëgjoi. Ma merr mendja se e dinte përgjigjen e tyre. Ndërsa rrija në oborr, më thoshte herë pas here; “shiko, shiko çfarë bëhet për mua?!
Në këtë kohë ishte njoftuar kardiologu, Sali Berisha, i cili hyri brenda për t’i bërë vizitë Edijes. Unë u largova në drekë, ndërkohë që Kadriu më tha të shkoja aty nga ora pesë deri në pesë e gjysmë që të shkonim në spital me të shoqen. Pas kësaj shkova në shtëpi, hëngra drekë dhe u ktheva jo në pesë, por në orën katër.
Shkuat në spital?
Kur shkova, Kadriu më tha që nuk do të shkonim. Ai i dinte të gjitha problemet dhe ma merr mendja e kishte bërë vetëm për provokim. Gardhi i ushtarëve sa vinte e dendësohej. Shtëpia ishte bërë si qendra e një operacioni ushtarak. Ndenja deri në darkë dhe u ktheva sërish në shtëpi.
Të nesërmen pati ngjarje të reja?
Unë shkova si për ditë në shtëpinë e tij. Sa shkova, më tha atë që kishte menduar. Kështu që atë mëngjes, eca për nga mbrapa vilës ku nuk ishin përgjuesit dhe kamerat dhe më tha; “ta kam thënë dhe një herë. Ka dy ditë që të survejojnë me intensitet, prandaj nuk do të ndryshosh asnjë drejtim, por do të lëvizësh drejt e në shtëpi”. “Ashtu bëj” i thashë. Pas kësaj ndryshuam bisedë. Më pyeti se kë kishin vënë zëvendësministra të Mbrojtjes. I thashë që kishin vënë Bajram Manaj, Simon Ballabanin, Kiço Mustaqin dhe Jaçe Lulën. Këta më duket se kanë qenë në s’gaboj. Ai si u mendua pak më tha; “Shumë mirë kanë bërë. Ata që të gjithë janë njerëz të mirë dhe ushtarakë të përgatitur. Mirë fare”. Aty nga mbasditja më thotë që “Bencin” dhe “Aeron” që ishin në oborr ta mbyllnim në garazh dhe t’u jepej çelësi shokëve të drejtorisë.
Tashmë shtëpia binte në sy që ishte djerrë. Të gjithë nuk e ngrinin kokën. Ishin shtrirë brenda dhe nuk dilnin as në dritare. Aty nuk kishte më, as kuzhinier, as pastruese dhe asnjë punonjës. Kishte rënë zia. Në çdo moment të vinte për të ulëritur. Në këtë situatë shkoi edhe e nesërmja që ishte dita e tretë e arrestit. Çdo moment, forcat ndryshonin shtrirje dhe rrethim, sikur të ishin para një sulmi të madh.
Por, kur u arrestua?
Ditën e katërt të arrestit. Ka qenë ora 08:00 e datës 15 tetor të atij viti, pra të 1982-shit. Atë mëngjes, unë si çdo ditë siç edhe jua përshkrova edhe më lart shkova në shtëpinë e Kadriut sipas detyrës që kisha. Edhe atë ditë si edhe të tjerat u befasova akoma më shumë me njerëzit e armatosur që kishin qarkuar shtëpinë. Njerëzit e shtetit ishin vënë në rreshta. Kur arrita te porta ka qenë ora 08:00 e mëngjesit. Atë moment ma bëjnë me dorë nga ballkoni i drejtorit duke më treguar se më kërkonte ai. Shkova dhe ai më ftoi të ulesha. Ai po më pyeste për gjëra pa rëndësi. Unë ndërkohë mendoja duke thënë me mendje; “na q... nënën, ç’na gjeti ore ç’na gjeti”. Po ku ta dija unë se në atë moment po arrestohej Kadri Hazbiu dhe mua më kishin tërhequr për të mos asistuar në atë çast.
Po kur u kthyet?
Nuk kaloi as 10–15 minuta që unë ndenja te drejtori kur ai më la të lirë. Dola jashtë dhe shkoj te porta e Kadriut, por ç’të shikoj.... Të dy kanatat e portës së oborrit ishin të hapura. As ushtari nuk ishte te dera dhe asnjë roje nuk ishte në asnjë vend. Ajo tashmë dukej një shtëpi e braktisur. Kadri Hazbiun e kishin prangosur. Oborri dukej i shkretë. U befasova dhe nuk mbajta dot lotët në fytyrë. Hyj brenda në shtëpi dhe gjej të shoqen e tij si dhe të dy djemtë Agronin dhe Petritin, të cilët kishin rënë përmbys në sallon dhe qanin me ngashërim. Ata qanin dhe mua më merreshin mendtë, sikur do të më binte të fikët. Ishte ditë e tmerrshme. “Shyqyr” thashë me vete, “ që nuk janë dhe dy vajzat e Kadriut, Moza dhe Lena, se do të ishin bërë keq po të kishin parë të atin të prangosur”. Ishte hera e parë që po kujtoja popullin duke menduar; “ta dinte ky popull se çfarë ishte Kadri Hazbiu për të, duhet të dilte duke qarë në rrugë”. Gjithsesi më mbrapa kam marrë vesh se atë ditë nëpër Shqipëri kanë qarë fshehtas shumë njerëz, ndërsa e vërteta është se i gjithë opinioni nuk e pranoi hipotezën e Enver Hoxhës, se Kadriu ishte “armik”. U ekzekutua në prill të vitit 1983.
Krijoni Kontakt