Rikthehen incidentet në Londër. Bllokohet dhe evakuohet metroja. Frikë dhe ankth mes pasagjerëve

Zbulohen 4 "martirët" e dështuar
Policia londineze vret të dyshuarin si kamikaz


Nga korrespondenti ynë në Londër,
Muhamed Veliu
Gazeta Shqiptare

Incidente të reja trondisin Londrën. Disa stacione metroje u bllokuan dje, ndërsa trenat u evakuan për shkak të frikës për shpërthime e sulme të reja terroriste. Policia qëlloi për vdekje një person të dyshuar si kamikaz, ndërsa është vënë në kërkim të katër atentatorëve të cilët nuk arritën dot t'i kryenin sulmet dy ditë më parë. Zyrtarët e policisë kanë bërë thirrje për vigjilencë më të madhe, pasi atentatorët ndodhen ende në Britani dhe mund të kryejnë shpërthime të tjera të përgjakshme. Vetëm 24 orë nga tentativa e dështuar e katër personave, për të shpërthyer bomba në Londër, një tjetër incident i rëndë u shënua dje në një nga metrotë e linjës veriore. Policë të armatosur kanë hapur zjarr mbi një person, i cili nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar. Nga informacionet paraprake rezultoi se personi i goditur për vdekje nga policë të skuadrës speciale SO-19, gjatë mbrëmjes të së enjtes deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, është mbajtur nën mbikëqyrjen e policëve të armatosur. Rreth orës 10 të mëngjesit ai refuzoi t'i ndalojë policisë, por me shpejtësi ka kaluar zonat e kontrollit në stacionin e metrosë Stocwell në jug të Londrës, shumë afër stacionit të trenit Oval, ku një ditë më parë, ishte vendosur një bombë. Policët, pa hezituar aspak, e kanë qëlluar në kokë me pesë plumba personin e dyshuar, duke e lënë të vdekur atë. Sipas dëshmitarëve okularë, ai ishte një djalë me trup të shkurtër, pakistanez, i veshur me një xhaketë të gjatë dimërore, aspak e përshtatshme për stinën e verës. Pikërisht kjo xhaketë e gjatë ka ngjallur dyshime tek policia, pasi në trup ai mund të kishte vendosur një bombë. Mediat njoftuan personi i goditur për vdekje ishte njëri nga katër personat që tentuan vënien e bombave. Kjo hipotezë ra poshtë gjatë konferencës për shtyp të Sir Ian Bler, ku paraqiti katër foto të personave të shpallur në kërkim në lidhje me incidentet. Ndërkohë, katër personat, të cilët me shpërthimin e bombave në Londër, shpresonin t'u shtoheshin radhëve të "martirëve" ekstremistë, janë shpalluar tashmë si më kërkuarit në Britaninë e Madhe dhe në të gjithë botën. Pas dështimit të sulmeve, njëri prej tyre, një djalë i qethur zero, me një bluzë ku shkruhej "New York" është shfaqur në foto, duke vrapur nga stacioni i trenit për t'u zhdukur. Dy bashkëpunëtorët e tij, burra me pamje aziatike, janë regjistruar nga kamerat e sistemit CCTV në dy stacionet e tjera të metrove dhe njëri në katin e dytë të autobusit. "Kemi identifikuar personat të cilët duam t'i marrin në pyetje në lidhje me incidentet e djeshme në Londër", tha një zëdhënës i policisë. Fotot e katër personave të përfshirë në vendosjen e bombave në stacionet e metrosë në Shephers Bush, Waren Street, Oval dhe autobusin Nr-26 në rrugën Hackney Road janë publikuar dje nga policia. Shefi i "Scotland Yard", Ian Bler, pohoi se kemi të bëjmë me një hetim shumë të shpejtë, më i madhi në historinë e policisë metropolitane. Policia londineze gjatë ditës së djeshme ka ndërmarrë një sërë operacionesh kërkimi për lëndë eksplozive në pjesë të ndryshme të Londrës, si pjesë e një superoperacioni të forcave të antiterrorit.

Grupi i lidhur me al-Kaedën merr përgjegjësinë e atentateve

LONDER - Brigada Abu Hafs al Masri, një grup i lidhur me rrjetin terrorist Al-Kaeda, mori dje përgjegjësinë për sulmet e 7 dhe 21 korrikut në Londër. Njoftimi u bë nëpërmjet një faqeje në internet dhe ende nuk është verifikuar besueshmëria e tij. Por liderët e grupit të lidhur me organizatën terroriste bënë të ditur se në shënjestrën e tyre janë tashmë Danimarka, Italia dhe Holanda. Sipas ekstremistëve, këto vende mund të sulmohen shumë shpejt nga njësitet e organizatës së rrezikshme. Policia në të gjithë Europën ka ndërmarrë masa të forta sigurie për të evituar sulme të reja terroriste pas atyre të Londrës. Kontrollet kufitare si dhe në porte dhe aeroporte janë përforcuar, ndërsa policia ka shtuar masat e sigurisë pranë objekteve të rëndësishme.

Eksplozivi në laborator për të zbuluar origjinën

Ekspertët: Ja pse nuk shpërthyen bombat në metro

LONDER - Ekspertët britanikë deklaruan dje se një gabim shumë i vogël ishte shkaku i dështimit të sulmeve me bomba në stacionet e metrosë Shepersbush, Oval, Waren Street dhe në aoutobusin me numër 26 në rrugën 'Hackey Road'. Ndërkohë që detonatorët kanë arritur të shpërthejnë, eksplozivi nuk ka mundur të ndizet, pasi bombat nuk janë bashkëngjitur mirë me detonatorin. Sipas ekspertëve, detonatorët krijojnë një shpërthim të vogël, që bën të mundur shpërthimin e eksplozivit, ndërsa në rastin e bombave të djeshme mendohet që lënda kimike e përdorur për të krijuar eksplozivin nuk është përzier siç duhet. Ndërsa eksplozi i përdorur mund të ketë qënë ai i llojit TATP, i cili mund të përdoret nga përzierja e materialeve kimike që mund të blihen në dyqane të zakonshme. Pikërissht një eksploziv i tillë, i ndërtuar në këto kushte, sipas ekspertëve, është shumë i vështirë të aktivizohet në kohën e duhur. Grupet e hetimit tashmë kanë në dorë të katër bombat e pashpërthyera, të cilat po analizohen në laboratorë për të mësuar origjinën e blerjes së lëndëve kimike. Hetuesit thanë se po kërkohen edhe shenja gishtërinjsh apo ADN-të e lëna nga personat të cilët i kanë prodhuar ato.