Sina: Nano abuzoi në fushatë me tokat në Ksamil

Kreu i KSHKKPP-së akuzoi edhe komisionerët vendorë për mungesë korrektësie dhe papërgjegjshmëri, pasi nga 3895 dosje të mbartura në shkallë vendi, janë në
proces trajtimi vetëm 259 të tilla, ndërkohë që janë marrë vendime vetëm për 18 dosje

Alida Beqiri
Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sokrat Sina, akuzoi dje kryeministrin Nano se ka tentuar të shkelë ligjin me
një vendim të Këshillit të Ministrave duke u premtuar banorëve të Ksamilit - pjesë së zonës 99 ku ai kandidoi - se do t’u shpërndante toka në këmbim të
votave.
Sinaj e dënoi këtë vendim të kryeministrit Nano që sipas tij bie ndesh me ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave, gjatë analizës 6-mujore të
punës së këtij Komiteti. “Gjatë periudhës së fushatës ka patur edhe vendime, të cilat kanë cenuar ligjin dhe kompetencat e Komitetit shtetëror siç është rasti me
zonën e Ksamilit, duke tentuar të kalohet në pronësi me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 375, datë 31.08.05, sipërfaqe tokash që kanë qenë në përdorim”,
tha Sina që sqaroi se ky vendim është bllokuar prej Komitetit të pronave. Në lidhje me këtë anëtari i KSHKKPP-së, Njazi Kosovrasti, u shpreh se “Nano ka
tentuar të ndajë tokat duke bërë dhurata sikur të ishte malli i vet në këmbim të votave, pasi vendimi i marrë më 5 maj 2005, ishte vetëm nëj muaj para nises
së fushatës elektorale në Shqipëri.

Gjithashtu, kryetari Sinaj ka dënuar edhe mungesën e bashkëpunimit, madje në disa raste edhe indiferencën e treguar nga institucionet më të rëndësishme që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me subjektet e shpronësuara si dhe me mbarëvajtjen e punës së komisioneve vendore. Ndërsa Agim Toro u shpreh se përgjatë një viti ka vijuar privatizimi i ndërmarrjeve me kapital shtetëror si dhe dhënia e tokës turistike për ndërtimin e fshatrave. Toro është shprehur se rasti më i afërt është nxjerrja në shitje të uzinës së azotikut. Edhe
pse, pronarët e tokës janë shprehur të gatshëm të parablejnë ndërtesën, pushteti vendor ka vendosur që të mos ia japë këtë të drejtë. Vendimi është cilësuar i paligjshëm dhe që dëmton procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave.

Vendimi i Nanos

Kreu i komitetit është shprehur se ka bllokuar një vendim të Këshillit të Ministrave për ndarjen e tokave të lira në zonën e Sarandës. Vendimi i qeverisë ka
përcaktuar si zona me përparësi zhvillimin e turizmit territoret nga Pishë Poro në Zvërnec ato kufizuese të gjirit të Vlorës, si dhe Bregu i Liqenit të Butrintit në rrethin e Sarandës. Në këto territore përfshihen respektivisht zona e Akernisë dhe pjesa veriore e zonës së Ultësirës së Vrinës dhe fusha e Vurgut.
Ndërsa është dhënë urdhri për ndarjen e tokave të lira në këtë zonë në favor të banorëve. Por komiteti ka kërkuar respektimin e ligjit, duke mos lejuar ndarjen
e tokave të mbetura të lira. Kjo ka sjellë dhe detyrimin për të mos lejuar ndarjen e tokave. Një tjetër shqetësim për komitetin ka qenë dhe thyerja e
ligjit për pajisjen me zyra dhe me mjete pune për komisionerët.
Sipas ligjit, qeveria duhet t’i vinte të dispozicion të komitetit të pronave, zyra në të 12 qarqet e vendit. Ambientet duhet të ishin konform standardeve të kërkuara. Por dhe pse afatet janë shkelur, komisionet janë ende në ambiente tepër të
vogla që sjellin dhe bllokimin e punës.




Sina: Komisionerët vendorë, të papërgjegjshëm

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave akuzon komisionerët vendorë për papërgjegjshmëri dhe mungesë korrektësie në zbatimin e ligjit. Këto akuza të ashpra, kreu Sina i ka bërë gjatë analizës 6-mujore të këtij komisioni ku në raporte rezulton se në shkallë republike nga 3895
dosje të mbartura, janë në proces trajtimi vetëm 259 të tilla, ndërkohë që janë marrë vendime vetëm për 18 dosje.
“Këto shifra flasin qartë për mungesë përgjegjësie të theksuar në zbatimin e ligjit. Është krejtësisht e pajustifikueshme kjo gjendje, nuk e kuptoj sesi e
organizojnë punën komisionet dhe si mund të pajtoheni me këtë gjendje. Është e patolerueshme mosmarrja e përgjegjësive nga komisionet vendore dhe veçanërisht nga ju si kryetarë komisionesh.
Madje janë evidentuar edhe raste ku komisionerë të ndryshëm janë përpjekur të përfitojnë dhe të abuzojnë me detyrën. Për këto raste janë marrë edhe masa administrative, sipas
dispozitave ligjore”, tha Sina që shtoi se është pamjaftueshëm fakti që komisionet deri tani janë marrë thjesht me sistemim arshive dhe numërim dosjesh, dhe nuk kanë ushtruar kompetencat që iu ngarkon ligji,
ndërkohë që qytetarët qëndrojnë pas dyerve të tyre pa mundur të gjejnë zgjiedhje.

Dosje të mbartura Ne trajtim Vendime

Tiranë 0 13 3
Durrës 749 7 0
Vlorë 748 60 0
Elbasan 544 11 0
Fier 710 15 0
Shkoder 252 31 8
Kukës 5 7 0
Dibër 158 2 0
Korçë 407 72 6
Lezhë 30 3 0
Berat 26 0 0
Gjirokastër 266 38 1
Gjithsej 3895 259 18

“Tema” denoncoi pazaret e Nanos në Ksamil

Gazeta “TemA” ka denoncuar përpjekjen e kryeministrit Nano për të bërë pazare elektorale me tokat në Ksamil që në 29 qershor të këtj viti. Në prag të zgjedhjeve
bashkëshortja e kryeministrit dhe zyrtarë të Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit kanë nxitur dje protesta tek banorët e komunës së
Ksamilit duke u thënë se kryetari i kësaj komune Vesel Koçia është përgjegjës për zvarritjen e ndarjes së tokave të lira.
“Nëpunës të MRRTT-së më kanë kërkuar që nga 360 familje që presin t’u ndahen tokat e lira, të fillojë procedurat për t’ua shpërndarë 50 prej
këtyre familjeve, në mënyrë që stafi i Nanos t’i përdorë për qëllime elektorale. Por unë nuk mund t’i fillojë këto procedura, pasi qeveria nuk ka plotësuar
legjislacionin për këtë. Që të shpërndahen tokat e lira, duhet të zgjerohen vijat e verdha”, ka thënë Koçia.
Sipas tij, nga plani urbanistik i miratuar në mbledhjen e KRRTRSH-së disa muaj më parë në Berat, vijat e verdha janë shndërruar në vija suburbane, gjë
që do të thotë se nuk mund të ndërhyhet.

Por zonja Nano së bashku me Kryetarin e Këshillit të Qarkut Vlorë Theodhori Shia, drejtorin e tokave në ministrinë e MRrTT-së Bardhi Qilimi, këshilltarin
ekonomik të kryeministrit Shpëtim Arbana, Drejtorin e planifikimit urban në MRRTT dhe kryetarin e komunës Xarë, Dhimo Kote, kanë inskenuar një “takim për
reformën e tokës” për t’ua bërë më të besueshme banorëve të zonës se fajtori për zvarritjen e shpërndarjes së tokës, është kryetari i komunës Koçia.
Madje kryetari i komunës së Xarës u ka bërë thirrje banorëve të dalin në protesta masive.


Tema