Shpërngulja paqësore
Belgzim Kamberi
Sa do që titulli i këtij artikulli mund të duket trishtues; mjerisht, gjendja e përgjithshme në Luginën e Preshevës flet për një situatë që përkon me këtë proces pesimist. Më shumë se një dekade pas rënies së sistemit monist dhe po aq vjet rezistence ndaj një pushteti fashist; si dhe rreth pesë vjet që nga koha e përfundimit të konflikteve të armatosura, në rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës vazhdon që të mbretërojë një pasiguri e gjithanshme; para së gjithash ekonomike, e cila po nxit në vazhdimësi shpërnguljen e qetë të popullatës vendëse. Pavarësisht se krahasuar me periudhën e mëparshme, gjendja e sigurisë është përmirësuar dukshëm për të gjithë qytetarët; rajoni shumetnik me shumicë shqiptare po reflekton ditë e më tepër sikur një vend i paperspektivë për jetesë. Mbase si kurrë më parë. Këtë e dëshmon dëshira e vazhdueshme për shpërngulje e pjesës dërrmuese të të rinjve vendës, të cilët në kërkim të nj*ë perspektive më të bujshme po përpiqen që të migrojnë në shtetet perëndimore, por edhe në qendrat fqinje. Megjithëse faktorë të ndryshëm ndikojnë në fluksin e “shpërnguljes paqësore”, nuk ka dyshim se gjendja ekonomike është katalizatori parësor i largimit të qytetarëve të brezit më me perspektivë. Por, derisa të gjitha të dhënat flasin për rritjen e vazhdueshme të numrit të migracionit, organet zyrtare të të gjitha niveleve; si dhe liderët e të gjitha taborreve politike nuk duken shumë të shqetësuar për këtë dukuri brengosëse; përpos kur përpiqen që ta materializojnë atë në dobi të qëllimeve të tyre politike apo etnike. Mjerisht, deri më tani, nuk është nxitur asnjë studim serioz dhe profesional, i cili do ta trajtonte shpërnguljen e qytetarëve nga rajoni më i pazhvilluar i vendit. Këtë nuk e kanë ndërmarrë as organizatat e pranishme ndërkombëtare në këto hapësira, përjashtuar ndonjë studimi gjysmak dhe sipërfaqësor. Sa për mediat dhe shoqatat e ndryshme joqeveritare, mos të flasim. Edhe ato të pakëta të cilat janë funksionale kanë një nivel aq të ulët profesional dhe veprimtari aq shterpe, sa që është e tepërt të pritet që ato ta trajtojnë çështjen komplekse të shtegtimit të popullatës. Pra, derisa shpërngulja ka marrë përmasa alarmuese, të gjithë heshtin dhe vazhdojnë komoditetin e tyre - disa nga fakti se ndjehen të pafuqishëm për t’u ballafaquar me të dhe disa të tjerë nga indiferenca dhe injoranca. Jokreativiteti i pushteteve ndaj çështjes së migrimit është dëshmia më e qartë se ato vazhdojnë që të jenë të përbërë nga politikanë të pushtetit dhe jo të ideve. Klasa pushtetare përqëndrohet ende ekskluzivisht në menaxhimin e pushtetit, e jo në stimulimin e ideve. Në Luginën e Preshevës mungojnë tërësisht politikat dhe strategjitë ndaj procesit të migracionit, njësoj sikur ndaj produkteve të tij – diasporës, e cila po përceptohet dhe po trajtohet më shumë sikur potencial për përfitime individuale tregtare, se sa për investime prodhuese. Andaj, faktorët relevantë të cilët kanë arritur që ta shuajnë “bombën” e konfliktit të armatosur në Luginën e Preshevës dhe t’i evitojnë kështu viktimat njerëzore, po krijojnë pa dashje “viktima të gjalla”, meqë nuk po arrijnë që ta shuajnë “bombën ekonomike”. Tashmë, ardhmëria e të rinjve nuk po rrezikohet më nga plumbat, por nga varfëria, respektivisht nga paperspektiva ekonomike. Sidoqoftë, duket se për momentin jemi larg nga përkufizimi i ndonjë strategjie premtuese. Çështja e shpërnguljes së popullatës nga Lugina e Preshevës – pavarësisht përkatësisë së saj etnike –, gjegjësisht rimëkëmbja ekonomike do të duhej të ishte njëri nga prioritetet e pakontestueshme të procesit vijues politik të Luginës së Preshevës, e jo vetëm pjesë konfuze programore e një agjende nebuloze, siç është ajo e Trupit Kooordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Edhe pse investimet në infrastrukturë dhe reformat administrative mund të kenë efekte pozitive në fushat përkatëse, ato nuk e përmirësojnë thelbësisht cilësinë e jetesës së popullatës vendëse. Bazuar në situatën në terren, ka shumë arsye për të besuar se po të bëhej sot një hulumtim i opinionit publik, pjesa dërrmuese e qytetarëve të Luginës së Preshevës do të deklaroheshin se jetojnë sot më keq se vite më parë. Ndoshta më të sigurtë fizikisht dhe me kushte më të mira infrastrukturore, por shumë më keq ekonomikisht. Parimisht, kjo betejë mund të jetë më e vështirë për t’u fituar se vetë lufta. Edhe ashtu, shtrohet pyetja: çfarë rëndësie politike dhe ekonomike mund të ketë një territor, i cili boshatiset nga shumica e popullatës më vitale të tij?
Krijoni Kontakt