Shkrimtari i njohur flet për Nanon, Berishën dhe rotacionin e pushtetit
Agolli: Nano të japë dorëheqjen
“Nano duhet të shkojë në parti, sepse është kryetari dhe duhet të jetë mes tyre, siç ka qenë mes të mirave”
A.R
TIRANË- Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, është shprehur dje se nëse kryetari i PS-së ka deklaruar se do të japë dorëheqjen në rast se partia e tij humb zgjedhjet, duhet ta mbajë fjalën. Në një intervistë për TV Klan, ish-deputeti i PS-së Agolli, ka vlerësuar se ndërrimi i pushteteve në pluralizëm, nga njëri krah në tjetrin ishte një zhvillim mëse normal. Sipas tij, socialistët nuk kanë arsye të dëshpërohen nga kjo humbje dhe të marrin përgjegjësitë në kolektivitet. Ai ka shtuar ndër të tjera se kishte një tjetër mendim për largimin e Nanos nga kreu i PS-së. “Unë kam një mendim tjetër, pak a shumë, që këto parti nuk janë të vendosura në një fitore të përjetshme. Njëherë do të humbin dhe njëherë do të fitojnë. Po nuk duhet të luhet më ketë që po të humbësh duhet të japësh dorëheqjen. Nëse e ka premtuar, ai duhet ta zbatojë këtë, por, në fakt, nuk është vetëm puna e Fatos Nanos këtu apo nga një person i vetëm. Këtu është një kolektivitet krejt i gjerë që duhet të përgjigjet. Nuk përgjigjet vetëm një njeri, por kryesia, të gjitha forumet përgjegjëse. Domethënë, kjo është një analizë jo vetëm e një invididi, e kryetarit”, - tha Agolli. Ai ka vlerësuar më tej se përderisa gjatë kësaj kohe është duke u folur për analiza, socialistët e kanë pranuar humbjen. “Socialistët e kanë njohur humbjen përderisa thonë që të bëhen analiza. Duhet të jetë kryetari i partisë në forumet e saj. Kjo tregon që nuk kanë fituar, rezultati i deritanishëm është pranuar. Problemi është të dish të jesh i ndërgjegjshëm për fitoren apo humbjen, dhe nuk shoh ndonjë gjë alarmante. Socialistët nuk kanë pse të dëshpërohen. Në pluralizëm njëherë e merr njëri, një herë e merr tjetri. Kur e merr njëri, t’i thonë bravo të qoftë dhe tungjatjeta. Kështu që nuk ka ndodhur gjë e çuditshme, sepse këto parti nuk janë si partitë komuniste, që është vetëm një dhe kjo duhet të jetë 40-50 vjet. Edhe Partia Demokratike që i fitoi zgjedhjet, edhe ajo nuk pretendon që do të jetë e përjetshme. Pas katër vjetësh, nuk i dihet. Kështu që këto parti nuk janë si partitë e dikurshme komuniste. Njëherë kalon andej dhe njëherë andej”, - tha Agolli. Ndërkohë ai nuk ka harruar gjatë kësaj interviste t’i bëjë thirrje kryetarit të PS-së, Fatos Nano, që të kthehet në krye të partisë, ashtu siç ka qenë në ditë të mira e të këqija. “Unë nuk e di se çfarë mendimi ka ai dhe pse vonohet, apo ngurron të shkojë në forumet e partisë. Mbase ai mendon që të dijë të argumentojë, që të dijë të përgjigjet për analizat që do të bëhen. Mbase kjo është një fazë pregatitore për atë, por unë nuk e di me hollësi këtë punë dhe mendimet e tij që nuk shkon në forume. Për mua, duhet që të shkojë, sepse është kryetari i partisë dhe duhet të jetë mes tyre. Siç ka qenë mes të mirave, të jetë dhe mes fatkeqësive”, - vijoi shkrimtari i njohur. Ndër shkaqet që, sipas tij, çuan në humbjen e PS-së, janë “disa premtime që nuk u realizuan. Megjithëse ka patur arritje dhe shqiptarët që votuan menduan që po të ketë ndryshim qeverisjeje, një ndryshim në drejtim, mund të ketë një përmirësim më të mirë. Kështu e menduan, sepse as PD-ja nuk e ka patur gjithnjë fitoren në duar, por as PS-ja. Kështu që PD-ja që do ta ketë pushtetin, ajo do të marrë anët e mira të asaj periudhe dhe do të mënjanojë anët e dobëta”. Agolli ka vlerësuar më tej se Berisha gjatë qeverisjes së tij të ardhshme, do të tregojë se ka mësuar nga gabimet e mëparshme, duke u shprehur njëkohësisht se kalimi i PS-së në opozitë do ta ndihmojë atë që të përgatitet mirë dhe të mos bëjë të njëjtat gabime kur të vijë në pushtet. “Doemos, opozita e ka mësuar atë që të mos përsërisë gabimet e mëparshme. Ashtu siç do ta mësojë dhe PS-në qëndrimi në opozitë, që të shohë si përgatitet më mirë. Dhe Berisha ma merr mendja, që është përgatitur për këtë gjë, të mënjanojë gabimet që janë bërë atëherë dhe të shohë edhe arritjet që janë bërë deri tani dhe t’i vazhdojë, të mos përsërisë heqjen masive të administratës, vështrimi i njerëzve me biografi, sepse ndonjëherë dhe përsëriten këto. Unë dëgjova njërin nga drejtuesit e Partisë Demokratike që tha: “filani është kushëri i filanit dhe kështu vejmë te Partia e Punës”, tha Agolli. Ndërsa përsa i përket kalimit të Xhuvelit në koalicion me PD-në, shkrimtari i njohur tha se “ma merr mendja që po të shkonte Xhuveli te Berisha, me torbën bosh nuk do ta pranonte. Por e mbushi torbën te PS-ja dhe vajti te PD-ja dhe i tha ja si e kam torbën”.
Krijoni Kontakt