“Standartet” e ankthit!
Dr. Mirela Oktrova
Ishte një mbrëmje e nxehtë vere, e ngarkuar me deklarata politike herë të ekzaltuara dhe herë cinike, me konkluzione evazive vëzhguesish dhe rezultate paraprake të paplota, me maratona të stërgjata konferencash shtypi dhe lakimin e gjithëgjendur të fjalës “standart(e)”. “Ç´plane ke sonte?” ishte mesazhi, që disa miq, i dërguan një shoku të përbashkët, punonjës administrate, të cilin kishin dy muaj pa e parë. “Të pres të nesërmen!” erdhi përgjigjja. Më pas komunikimi u konvertua në heshtje dhe humori i mbrëmjes iu blatua reflektimit. Në këtë kohë të ngarkuar, kur nervat pulsojnë me lajme dhe platforma qeverisëse, kur temperaturat dublojnë ethet e pushtetit dhe administrata amullon në jerm, s´ishte hera e parë, që prekja ankthin... . Po tek vazhdoja të dëgjoja stërstrapacimin e fjalës „standarte“ s´di pse mendja më sajoi diçiturën më të hidhur të këtyre paszgjedhjeve, idenë se të vetmet standarte të plotësuara mbeteshin „standartet“ e ankthit...
****
Qëkurse vendosëm të mposhtim izolimin tonë dhe të synojmë drejt botës së lirë, na është bërë zakon të krahasohemi me të. Po ndërsa dëshira për të ecur drejt saj ka mbetur e pandryshuar, linjat e krahasimit me të kanë variuar në përputhje me premisat dhe interesat e krahasimit. Shpesh i kemi dhënë vetes zemër, duke u treguar romatikë idealistë, i jemi referuar traditës e pozitës gjeografike dhe jemi munduar të bindim veten, se ndryshimi s´është i thellë dhe se rruga para nesh nuk është e gjatë. Herë të tjera jemi munduar të jemi realistë dhe të vëmë gishtin në plagë, i jemi referuar mendësisë dhe komportimit tonë social duke kuptuar, se largësia që na ndan prej së pjesës së botës që synojmë është aq e thellë, sa afrimi me të duket frikësisht larg.
Krahasimi thuajse obsesiv s´u mungoi as këtyre zgjedhjeve. Propagandimi i afateve aventureske të integrimit euro-atlantik, shpërdorimi i kontakteve private dhe axhendave diplomatike për qëllimet e fushatës dhe loja me deklaratat e personaliteteve të huaja gjatë dhe pas votimit përbëjnë nga njëra anë dëshmi të shpërdorimit flagrant të dëshirës së shqiptarëve për integrim. Shndërrimi i standartit të zgjedhjeve në matës të së drejtës së Shqipërisë për integrim, varësoi vlerësimin tonë të zgjedhjeve nga ai botës për to, duke reflektuar në anën tjetër të metën tonë kronike të zhvendosjes së vendimeve përtej kufijve. Po pasi vëzhguesit ndërkombëtarë folën për plotësim të pjesshëm të standarteve, është detyra jonë tani të analizojmë, se në cilat aspekte ia arritëm t´u ngjajmë demokracive, ku synojmë dhe në cilat jo.
Nëse do të vendosnim të ishim realistë dhe të sinqertë me veten, do të duhej të pranonim se zgjedhjet tona ndryshuan thuajse në të gjithë aspektet nga përkatëset në Perëndim. Në përgatitjen e fushatës ato dëshmuan parametra të dyshimtë të përzgjedhjes së kandidatëve, mostransparencë për personalitetin dhe burimet e tyre të pasurimit, pamundësi skualifikimi për shpërdoruesit e postit për interesat e fushatës dhe lista të fallsifikuara partiake a lá Dushk. Fushata u shqua për njëtrajtshmëri dhe vulgaritet replikash elektorale, për injorim të zgjedhësve dhe instrumentalizim të dëshirës së tyre për integrim, për gabime flagrante në pasqyrimin mediatik të fushatës dhe papërgjegjësi për shpenzimet gjigande. Paszgjedhjet e çuditën botën sa me stërzgjatjet dhe zvarritjet e numërimit të votave ashtu edhe me papërgjegjësinë e deklaratave partiake, sa me tendencën për manipulim aq dhe me bezdinë e vëzhgimit, sa me arbitraritetin elektoral aq edhe me papërgjegjësinë politike.
Optimistët padyshim që do të kundërvihen me argumentin, se s´duhet nxirë një realitet, i vlerësuar si gjysëm standart prej të huajve. Natyrisht, nëse të huajt vlerësojnë se standartet tona demokratike kanë përparuar, kjo s´duhet nënvleftësuar dhe aq më pak mohuar. Po ajo, prej së cilës duhet të distancohemi ne urgjentisht është të vetkënaqurit me vlerësimin e jashtëm të një realiteti, të cilin e përditë e ndjejmë, se paraqitet shumë më kritik nga ç´duket e ç´thuhet. Ne të gjithë bëjmë mirë të kuptojmë se standartet tona jo vetëm që mund t´i ngremë vetëm vetë, por dhe mund t´i vëzhgojmë dhe vlerësojmë para së gjithash vetë. Nëse provimin e demokracisë duam ta marrim për të mësuar për të ardhmen, nuk mund të pretendojmë ta kalojmë atë duke kopjuar. Standartet e zgjedhjeve tona do të ngrihen kështu kur ne të kuptojmë se në kabinën e votimit hyhet për të votuar, se zgjedhjet nuk janë farsë por nevojë dhe se kryqi në fletën e votimit është përgjegjësia e secilit për të nesërmen.
Se për ç´standarte bëjmë fjalë ne kur në mes të Tiranës votoi babai për djalin, shoku për miqtë dhe gruaja për fisin e burrit? Ç´standart plotëson zgjedhësi i paguar, që mësyn kabinën për të këmbyer votën e plotësuar me një bosh? Ku është demokracia kur rivalët blihen dhe kërcënohen dhe shumicën e vendos një kërrabë teli, që nxjerr dhe prish vota? Sa i lirë është një vendim elektoral, që blihet me një muaj ujë, drita dhe patate? Për ç´standarte mund të bëhet fjalë kur parazgjedhjet i dominon ankthi i blerjes së votave dhe paszgjedhjet frika e zbulimit të manipulimit? Ç`mund të presë nga demokracia një zgjedhës i blerë dhe ç´i jep asaj një deputet i vjedhur?
Ka ardhur koha të kuptojmë, se lojën që kërkojmë t´ua luajmë të huajve ka kohë që po ia luajmë vetvetes, se fantazmat që na zënë frymën i kemi ngritur dhe ushqyer vetë, se nëse pushteti nuk na respekton kemi merituar të na injorojë, se korrupsionin nuk e lind një krah politik po një mendësi e tërë shoqërore, se një shoqëri e korruptuar nuk mund të mos korruptojë një sistem zgjedhor dhe se zgjedhjet e korruptuara nuk të japin dorë për të luftuar korrupsionin. Nuk mund të kërkojë zgjedhje të ndershme ai që e filloi karrierën duke vjedhur mastiç, nuk mund të denoncojë mashtrimin kush gënjeu fshatarët me çeqe dhe përralla integrimi, nuk mund të denoncojë padrejtësitë kush vodhi pasuri e kërcënoi ekzistenca, nuk mund të kërkojë luajalitet kush blen karrige e shet bindje, s´mund të pretendojë për krizë të moralit, kush s´ka respektuar vlera kurrë…
Shoqëria jonë do të nisë të ngrejë standartet, kur të bëhet e sinqertë me veten dhe të pushojë se jetuari me „sikur“. S´është nevoja të synojmë t´i bëjmë zgjedhjet si bota – le të tentojmë fillimisht të bëjmë zgjedhje. Le të punojmë pa mashtruar, të mos flasim pa dëgjuar dhe të përpiqemi të mbajmë premtimet. Për t´iu afruar botës nuk mjafton t´i mbushësh mendjen asaj se je ashtu siç do të jesh – për t´u bërë si bota duhet të duash dhe përpiqesh të bëhesh ndryshe nga ç´je. „Mos ëndërro jetën – jeto ëndrrën“, është parrulla e realistëve, “jeto liritë e tua!” është përkthimi i saj i vyer prej demokratëve.
Demokracia është fundi i traditës së pulave të lagura, fundi i metodave policore, vdekja e frikës dhe triumfi i logjikës: s´ka deklarim pasurie pa hetimin e burimeve, s´ka financim fushate pa transparencën e rrugëve e formave, s´ka zgjedhje pa votuar, s´ka pushtet pa njohur autoritetin e tij, s´ka të drejtë pa mundësinë e ushtrimit të saj.
Objektivat e qeverisjes së re janë gjigande, ashtu siç është gjigand edhe premtimi për të shbërë kujtesën negative. Antikorrupsioni, përshpejtimi i integrimit, decentralizimi dhe përgjithësisht reformat kërkojnë mobilizimin e më shumë se një force politike. Përpjekja për angazhimin e sa më shumë syresh në qeverisjen e ardhshme, pavarësisht në i vlen shumicës absolute, bashkimit të shqiptarëve apo të dyjave bashkë reflekton prirjen për përfillje. Nëse partitë e vogla dalin nga roli i vasalit dhe shumica i mbahet përfilljes, ndryshimi ka shanse ta mënjanojë ankthin. Nëse jo, shumica mund të shndërrohet në mbytëse dhe ankthi në vrasës. Qeverisja do objektiva, por realizimi do njerëz. Që njerëzit të punojnë, duhet eleminuar ankthi i flakjes, denigrimit dhe kuteve joprofesionale. Që pozita të mbajë premtimet, duhet vigjilenca e opozitës, që politika të mos shkasë, duhet shoqëria civile, mediat dhe e drejta e pacënuar për t´u shprehur hapur. Ndryshim s´do të thotë të ndryshosh arritjet pozitive, ndryshimi mund të fillojë dhe si ndryshim i konceptit për ndryshimin! Mund të fillohet dhe me çstandartizimin e ankthit!
17/07/2005
KATEGORIA: Analiza
Krijoni Kontakt