Nisin të projektohen kërkesat e para të aleatëve për kabinetin e ri qeveritar
Aleatët, kushte Berishës për qeverinë
Nga PR pretendohet posti i zv.kryeministrit dhe nga PDR Ministria e Jashtme ose kryetari i Kuvendit
N. P
TIRANË- Votat e 17 deputetëve të opozitës, që kanë fituar deri më tani nga proporcionali, do të kushtëzojnë formimin e qeverisë së ardhshme të drejtuar nga lideri i opozitës, Sali Berisha. Për këtë arsye, aleatët kanë filluar të pretendojnë fort kundrejt synimeve që ata kanë për të qenë pjesë e kësaj qeverie. Edhe pse bisedimet nuk kanë filluar zyrtarisht, në rrugë jozyrtare përfliten mjaft emra pretendentësh nga partitë e vogla për të qenë pjesë e qeverisë. Burime nga partitë aleate thanë dje për “Shekullin” se kanë filluar të formatizohen kërkesat e para, edhe pse ato nuk janë bërë ende objekt diskutimi mes tyre dhe liderit të opozitës, Sali Berisha. Nisur nga përqindja e fituar në proporcional, Partia Republikane rezulton e para deri më tani me 20,82%, për 86 zona. Nga përllogaritjet e bëra deri më tani, rezulton se PR-ja do të ketë plot 11 karrige, një numër i konsiderueshëm ky për të pretenduar edhe përfaqësimin e tyre në rang ministri. Partia Republikane është renditur si partia kryesore aleate e PD-së dhe kësisoj, pretendohet që përfshirja e saj në qeveri të jetë po aq e rëndësishme. Kështu kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, po përflitet nga PR-ja si kandidati i mundshëm për zv.kryeministër. Duke pasur parasysh edhe begraundin e tij, republikanët mendojnë, gjithnjë në rrugë jozyrtare, që të pretendojnë edhe për Ministrinë e Jashtme ose atë të Mbrojtjes. Ndërkohë republikanët do të përfaqësohen në qeverinë e ardhshme edhe në poste zv. ministrash, por pa u caktuar ende numri dhe emrat. Një tjetër parti e rëndësishme aleate e PD-së, është edhe Partia Demokrate e Re. Deri më tani PDR-ja ka fituar 7,11% të votave. Me këtë përqindje reformatorët pritet që të përfaqësohen në Kuvend me katër deputetë, duke përjashtuar dy deputetët e PDR-së, që kanë garuar në emër të PD-së, Ferdinand Xhaferri dhe Nard Ndoka, të cilët kanë fituar bindshëm në zonat e tyre kundrejt kandidatëve socialistë. Me katër deputetë në Kuvend, edhe reformatorët kërkojnë që të përfaqësohen në rang ministri. Burime nga PDR-ja thanë dje për “Shekullin” se janë disa hipoteza që po hidhen mbi mundësinë e përfshirjes së kryetarit të PDR-së, Genc Pollo. Pretendimi i parë nga reformatorët mësohet të jetë për Ministrinë e Jashtme, gjë që ka pak gjasa që të ndodhë. Kjo sepse Ministria e Jashtme pritet që t’i jepet një prej zyrtarëve më të rëndësishëm të PD-së. Duke iu referuar gjithnjë burimeve nga partitë aleate, mësohet se reformatorët kanë kërkuar postin e kryetarit të Kuvendit ose Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Këto janë pretendimet e para të partive aleate, ndërkohë që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, për shkak se bisedimet për formimin e qeverisë do të fillojnë ditët e ardhshme. Ndërkohë, një tjetër ftesë është bërë për PBDNJ-në, zyrtarë të së cilës janë shprehur se do të japin një qëndrim zyrtar vetëm pas shpalljes së rezultatit përfundimtar nga KQZ-ja.
Republikanët fitojnë 11 deputetë në Kuvend
Reformatorët fitojnë 4 deputetë, pa Xhaferrin dhe Ndokën
Republikanët pretendojnë deri më tani një prej këtyre posteve:
Postin e zv. kryeministrit
Ministrinë e Jashtme
Ministrinë e Mbrojtjes
Republikanët pritet të përfaqësohen edhe në rang zv. ministrash
Reformatorët pretendojnë deri më tani një prej posteve të mëposhtme:
Ministrinë e Punëve të Jashtme
Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale
Kryetarin e Kuvendit
Krijoni Kontakt