Shkruan: Zef AHMETI
Bashkimi Evropian për popujt e Ballkanit është bërë si qëllim për t`iu bashkuar e për t`u bërë edhe de jure pjesë e Evropës politike. Ajo që shumëkush e quan mrekulli evropiane, pra krijimin e lirive dhe të drejtave të qytetarit, shteti juridik dhe ndarja e pushteteve në Evropën Perëndimore, është rezultat shekullor mes konkurrimit të pushtetmbajtësve. Këto liri dhe parime që përshkruajnë BE në janë vënë kusht për shoqëritë në Ballkan për t`u bërë pjesë e këtij projekti, që pas rënies së bashkimit sovjetik, BE ja vlerësohet si eksperimenti më i madh i njohur i kësaj natyre, që njëherë përnjëherë dështoi që të përfundohet edhe me nxjerrjen e kushtetutës së saj.
Shumë çështje janë hapur dhe shumë kritika po i adresohen procesit të finalizimit të projektit politik të Bashkimit Evropian. Mendimet politike janë të ndara, të simpatizantëve të BE së dhe skeptikëve. Dhe pyetjet që po shtohen, e janë shtuar edhe më herët, kanë një ton me sa vijon: a ekziston identiteti evropian? Ku fillon Evropa, përkatësisht çka e përkufizon Evropën në aspektin gjeografik dhe kulturorë? Kurse për ne shqiptarët do ishte pyetja: si duhet të sillen shqiptarët përballë këtij procesi?
Kohëve të fundit zërat kritikë përballë projektit të Evropës politike (këtu mendoj shtetin e Evropës) është bërë më i theksuar. Kështu psh. lista e kritikat drejtuar Kushtetutës së Evropës (që u refuzua nga francezët dhe holandezët) fillon kryesisht me atë se, ajo është shumë e gjatë, e komplikuar dhe e formuluar jo qartë, e që lenë hapësirë keqpërdorimi. Dhe sikur kushtetuta do ishte pranuar si bazë konstituive e BE së, atëherë parlamentet e shteteve nacionale nuk do të ishin më në gjendje të vihen në mbrojte të drejtave dhe lirive të qytetarit përballë shtetit, thuhet në argumentin tjetër. Bazuar në traditën e kushtetutave nacionale ato kanë si qëllim kryesorë që sunduesve t`u vënë kufij dhe t`i mbrojë qytetarët nga monopoli i pushtetit shtetërorë.
Ndërsa kushtetuta e BE së kritikohet në këtë aspekt ku thuhet, se ajo është e kundërta qëllimeve të kushtetutave nacionale në shtetet e Evropës (këtu theksohet kompetencat e shumta të ekzekutivit të Këshillit dhe Komisionit Evropian).
Kritika tjetër orientohet në principin e demokracisë, që vlerësohet si kastë politike e Evropës, që po varroset qetësisht, pa u hetuar. Parlamentet nacionale po quhen edhe "marioneta" për t`i zbatuar urdhrat e Brukselit, kurse Parlamenti Evropian thuhet se është parlament pa popull (sepse populli evropian nuk ekziston). Ndërsa për shtetet Evropës Lindore është e papranueshme që byroja politike e Moskës të bartet në Bruksel(!). Tendenca e Evropës për krijimin e identitetit të saj shtetëror, për ta fituar subjektivitetin në kuadër të së drejtës publike ndërkombëtare, është përcjellë me një sërë procesesh pozitive por edhe frenuese, për shkak të interesave nacionale të shteteve anëtare dhe mosgatishmëria për t`u tërhequr nga suvereniteti politik. Jo vetëm kjo, por edhe aspektet ekonomike, tregu i punës etj. po e luajnë rolin e vet.
Ekonomia
Një element i shoqërisë moderne është sot parimi se «liria e një individi përfundon atje ku fillon liria e tjetrit». Thënë ndryshe liria nuk do të thotë xhungël. Sot ekzistojnë pseudoliberalët që e mendojnë të drejtën e më të fortëve, kurë kërkojnë pakufinë e lirisë ekonomike. Në të vërtetë me liberalizëm është menduar një shoqëri në të cilën të gjithë qytetarët kanë të njëjtën të drejtë për një jetë të lirë dhe për të vendosur vet për vetveten. Dhe se si bazament i një shteti liberal është që shteti t`i mbrojë këto vlera. Ndërsa sot liberalizmi është degjeneruar në një liberalizëm ekonomik.
Dhe shoqëritë aksionare si dhe firmat bashkë me koncernet duhet të kuptojnë se shoqëria atyre u ka mundësuar një liri me kushtin që të shërbejnë për të mirën e përgjithshme. Dhe nëse kjo nuk mund të funksionojë, atëherë shoqëria duhet t`i ndryshojë rregullat e lojës.
Në tregun e punës kemi gjithnjë e më shumë të papunë dhe se ai treg nuk është i aftë ta sigurojë ekzistencën dhe integrimin social të njerëzve. Edhe në vendet e zhvilluar ku ka rritje në fitim të firmave të shumta dhe koncerneve, ku flitet për rritje ekonomike, kemi shtim të numrit të papunëve. Frika nga papunësia, fuqitë e lira punëtore që po vijnë nga vendet e Evropës Lindore, në përgjithësi frika nga standardi i jetesës nga disa vende më të zhvilluara në Evropë, së bashku edhe me Zvicrën që edhe më tutje po heziton të bëhet pjesë e projektit politik të Evropës, janë elemente që kanë shkaktuar rritje të frikës nga projekti në fjalë.
Ndërsa sukseset që po prezantojnë firmat e mëdha nacionale dhe multinacionale, thuhet se janë fokusuar kryesisht në interesat e tyre, dhe pak mendojnë për të mirën e përbashkët. Lidhur me këtë natyrë të problemit ish presidenti Brazilian Emilio G. Medici do të shprehej: "Ekonomia punët i ka mirë, por jo edhe populli".
Shtypja për efiçiencë në fitim po shtyn aktorët në treg që të jenë sa më konsekuentë në kalkulimet e tyre për fitime, kështu që si rezultat kemi sjelljet e pamëshirshme të firmave që luftojnë edhe për (mbi)jetesë, ndërsa globalizimi ka kthyer raportet mes shtetit dhe ekonomisë në 180 gradë.
Shqiptarët në kontekstin evropian
Në fillim më duhet të them se jam plotësisht i një mendjeje me kolegët e mi se "para se të jetë problem i diplomacisë evropiane, çështja shqiptare, në radhë të parë është një problem i brendshëm i vetë shqiptarëve". "Kjo në kuptimin se shqiptarët, ma saktë klasa politike shqiptare, pritet të bëjnë zgjedhjen përfundimtare në mes të qenurit objekte të paqëndrueshme dhe kalimtare politike, apo subjekte të vetëdijshme politike të një shteti demokratik dhe evropian, që priret të integrohet në kontinentin e vjetër".
Përveç faktorëve që kanë të bëjnë më ekuilibrat e brishtë ballkanik dhe evropianë, në vonesën e zgjidhjes së çështjes dhe problemeve shqiptare, sot jemi duke ndikuar më shumë ne shqiptarët. Pra, ne jemi në sprovë nga komuniteti ndërkombëtar jemi vënë në sprovë nëse mund të arrijmë të nxjerrim një lidership të besueshëm, të kualifikuar nga pikëpamja intelektuale, dhe do të dimë të shmangim gangsterët nga vendosja në zyrat qeveritare dhe strukturave të tjera shtetërore.
Kombi shqiptar në tërësi lëngon nga shumë të meta që duhet pastruar nga trupi i tij. Ato duhet të luftohen me një mençuri dhe durim. Populli ynë duhet të përgatitet e pastrohet fillimisht për vetveten, e vetëm më pastaj se duhet t`u përshtatemi integrimeve rajonale evropiane. Evropa nuk është vetëm parajsë, siç e pamë. Projekti Evropë ka edhe elemente të tjera negative. Andaj shqiptarët duhet të përgatiten mirë përballë sfidave që do ta presin nëse hyjnë në BE. Mendoj dhe jam i bindur se duhet që sistemi i të menduarit dhe të vepruarit të ndryshoj dhe t`i përshtatet frymës së integrimeve, globalizimeve, gjithnjë duke e ruajtur identitetin dhe vlerat. Nëse nga populli shqiptarë dalin elemente kriminele që kanë aftësi kooperimi dhe bashkëpunimi e deri te marrja e posteve udhëheqëse, besa edhe dominuese, pse të mos dalin edhe forca të shëndosha me energji pozitive, që do të punonin për ngritjen e popullit tonë nga një popull problematik, në një popull i respektuar?! Dhe fundja Evropa është në pritje të shfaqjeve më të mira të aftësive tona për të demonstruar aftësitë tona, si popull me potenciale pozitive. Nuk mjafton vetëm përshtatja e ligjeve në ato evropiane, nuk mjafton oratoria pa veprime. Format tradicionale shqiptare e të menduarit politikisht dhe ekonomikisht vështirë se do ndihmojnë në proceset që po e presin.
Zvicër, korrik 2OO5
Krijoni Kontakt