Vëzhguesit e OSBE/ODHIR-it japin përfundimet e raportit paraprak për zgjedhjet e 3 korrikut
ODHIR: Zgjedhjet, standardet u përmbushën pjesërisht
“Probleme me listat e votuesve, identifikimin e votuesve, numërimin dhe strategjia e Dushkut”
Darina Tanushi
TIRANË – Zgjedhjet në Shqipëri përmbushën pjesërisht standardet ndërkombëtare. Kështu janë shprehur dje në një konferencë për shtyp të paralajmëruar, përfaqësuesit e misionit vëzhgues të OSBE/ODHIR-it në Shqipëri. Shefi i misionit të ODHIR-it, Jorgen Grunet, tha se, “mendimi ynë i përbashkët në lidhje me zgjedhjet e djeshme dhe në lidhje me procesin deri rreth mesditës, është se që të dyja i kanë përmbushur deri në një farë shkalle angazhimet ndërkombëtare si dhe standardet për zgjedhje demokratike. Disa prej këtyre standardeve ndërkombëtare thuajse u plotësuan, disa thuajse nuk u plotësuan, ndërsa disa të tjerë ishin diku në mes”. Zgjedhjet, tha Grunet, ishin konkurruese dhe votuesve u është ofruar një shumëllojshmëri informacionesh, çka i ka pajisur ata me një bazë për të marrë vendime në kutinë e votimit. Por, sipas tij, vëzhguesit e misionit kanë vënë re edhe vështirësi në shumë vende, në lidhje me fillimin e votimit. Sipas Grunet, ka patur numër të madh njerëzish gjatë procesit, ka patur paqartësi me identifikimin e votuesve dhe të gjitha këto dhanë përshtypjen e një lloj çorganizimi. “Megjithatë deri tani, theksoi ai dje pasdite, shumë pak pretendime në lidhje me parregullsi të rënda janë përsëritur. Kjo ka lidhje edhe me frikën që shprehën edhe disa parti politike edhe përpara zgjedhjeve sidomos në lidhje me çertifikatat e lindjeve”. Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesi i Asamblesë së Këshillit të Evropës, Morten Ostergaard, përfaqësues i kryesuesit të këtij delegacioni, Jerzy Smoravinski, tha prerë se, “ka patur një përmbushje të pjesshme të standardeve”. Na mbetet të shikojmë edhe rezultatet përfundimtare të votimit, tha Ostergaard. Nga ana pozitive, Kodi Etik e bëri mjedisin e fushatës më të mirë, më të ekuilibruar dhe më konkurrues. Unë kam qenë në 20 qendra votimi, ku e kam parë se rreth 96% e komisioneve kanë bashkëpunuar mirë, ka thënë përfaqësuesi i Asamblesë së Këshillit të Evropës.
Vërejtjet
Përfaqësuesit e misionit vëzhgues të OSBE-ODHIR-it renditën edhe një sërë vërejtjesh mbi këtë proces. Sipas shefit të ODHIR-it, Grunet, “disa prej fushave ku standardet u plotësuan janë; përgatitja e zgjedhjeve. Për herë të parë për këto zgjedhje u ngrit Kolegji Zgjedhor në mënyrë eficente, rregullimi i mjeteve të komunikimut në fushatën zyrtare zgjedhore, më së fundi u respektua”. Sipas Grunet, stnadardet nuk u plotësuan në problemin e listave të votuesve. Një problem tjetër ishte sistemi i identifikimit, ku Grunet tha se ka patur një mungesë të vullnetit politik të forcave politike, si dhe të autoriteteve për të krijuar kuadrin e duhur për një proces të qetë, normal zgjedhor. Procesi i reformimit filloi tepër vonë, mund të kishte filluar më përpara zgjedhjeve. Gjithashtu edhe në lidhje me procesin e numërimit të votave. Edhe Ostergaard, theksoi se, “në anënt negative të procesit ishte fakti se, forcat politike kanë shfrytëzuar dobësitë e sistemit. Votimi strategjik të tipit “Dushk“ tregojnë vullnetin e keq politik për të kompromentuar dispozitat kushtetuese për proporcionalitetin. Listat e votuesve qysh në fillim kanë qenë një problem. Reformat e nevojshme kanë nisur tepër vonë dhe kanë kompromentuar besueshmërinë e procesit zgjedhor“, - tha ai. Por, vijoi përfaqësuesi i Asamblesë së KE-së, “reformat duhet të vazhdojnë menjëherë në drejtim të regjistrimit të besueshëm përpara zgjedhjeve lokale të vitit që vjen. Stanadardet u përmbushën pjesërisht. Procesi që ne kemi parë nuk e ndalon vullnetin e popullit që të transferohen në një rezultat përfundimtar, por reformat duhet të vazhdojnë medoemos. Populli shqiptar ka përqafuar demokracinë dhe ne duhet të kemi mundësinë që t’i ndihmojmë ata në këtë proces”, - tha ai. Por, vijoi përfaqësuesi i Asamblesë së KE-së, “reformat duhet të vazhdojnë menjëherë në drejtim të regjistrimit të besueshëm përpara zgjedhjeve lokale të vitit që vjen. Standardet u përmbushën pjesërisht. Procesi që ne kemi parë, nuk e ndalon vullnetin e popullit që të transferohen në një rezultat përfundimtar, por reformat duhet të vazhdojnë medoemos. Populli shqiptar ka përqafuar demokracinë dhe ne duhet të kemi mundësinë që t’i ndihmojmë ata në këtë proces”, - tha ai. Edhe parlamentarja Doris Pak ka thënë se “sistemi zgjedhor mbetet i hapur ndaj abuzimeve. Listat e zgjedhësve ende të pasakta krijojnë acarim dhe zhgënjim te zgjedhësit”.
Raporti i misionit vëzhgues të OSBE-ODHRI-it thekson se pas përvojës së zgjedhjeve për Kuvendin e vitit 2001, procesi zgjedhor i vitit 2005 konfirmon se sistemi zgjedhor aktual do të mbetet i hapur nga abuzimeve derisa të reformohet. Kodi Zgjedhor nuk arrin të sigurojë transparencë dhe siguri në shpërndarjen e mandateve për listat shumemërore të partive, thuhet në raport. Po kështu, sipas këtij raporti, menaxhimi i zgjedhjeve në ditën e zgjedhjeve tregoi vetem progres të kufizuar krahasuar me zgjedhjet e mëeparshme nëe Shqipëeri. Dispozitat e Kodit Zgjedhor që detajojnë sistemin zgjedhor, nuk sigurojnë realizimin e objektivit kushtetues për të arritur një proporcionalitet “në raport sa më të afërt” midis votave të marra nga listat e partive dhe përbërjes së përgjithshme të Kuvendit. Ky sistem, thuhet në raport, lejoi shumë pjesëmarrës në zgjedhje të përdorin strategji zgjedhore që sfiduan caqet e ligjit dhe venitën dallimet midis partive politike.
Vërejtjet
* Turmat e njerëzve, vonesat dhe pasiguritë gjatë identifikimit të zgjedhësve pasqyruan një përshtypje çorganizimi.
* Janë vërtetuar shumë pak pretendime për parregullsi.
* Mosveprimi i vazhdueshëm i autoriteteve shqiptare për futjen e një sistemi uniform të adresave të ndërtesave, si dhe të dokumenteve të reja personale të identifikimit në mbarë vendin zvogëloi domethënien e përpjekjeve të ndërmarra për përmirësimin e listave zgjedhore
* Mungesa e besimit midis partive politike çoi në vonesa për arritjen e një marrëveshjeje për kuadrin zgjedhor, si dhe ndikoi negativisht në përgatitjet dhe zhvillimin e zgjedhjeve.
* Pas përvojës së zgjedhjeve për Kuvendin e vitit 2001, procesi zgjedhor i vitit 2005 konfirmon se sistemi zgjedhor aktual do të mbetet i hapur nga abuzimeve derisa të reformohet.
* Votimi strategjik të tipit “Dushk“, tregojnë vullnetin e keq politik për të kompromentuar dispozitat kushtetuese për proporcionalitetin.
* Kodi Zgjedhor nuk arrin të sigurojë transparencë dhe siguri në shpërndarjen e mandateve për listat shumemërore të partive.
* Asnjë përmirësim në pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në çështje publike.
* Zhvillimi i votimit në ditën e zgjedhjeve tregoi vetëm proces të kufizuar në krahasim me zgjedhjet e mëparshme.
* Megjithëse votimi u zhvillua në një atmosferë përgjithësisht paqësore, disa incidente të dhunshme, duke përfshirë edhe një rast fatal, njollosën procesin.
05/07/2005
Gazeta Shekulli
Krijoni Kontakt