“Brigada e vullnetarëve grekë” ka qenë prezente dikur në mediat greke
Hetohet roli i Greqisë në masakrën e Srebrenicës
Greqia ka filluar një anketë për të hetuar se deri në çfarë shkalle kanë qenë të përfshirë grekët në masakrën e Srebrenicës, më e rënda nga përfundimi i Luftës II Botërore.
Sipas një prokurori athinas, të cilit i referohej gazeta britanike “The Indipendent”, një hetim paraprak synon të gjejë se çfarë roli luajtën vullnetarët grekë në masakrimin e 8 mijë burrave e djemve boshnjakë më 11 korrik të vitit 1995. Çdo lloj përfshirjeje e Greqisë në këtë krim do të jetë një problem serioz për Athinën. Greqia ka qenë aleate e fuqishme e Millosheviçit në luftërat e viteve ’90 gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, por pavarësisht këtij fakti të njohur, nuk është hetuar asnjëherë sa duhet prania e paraushtarakëve grekë që kanë luftuar së bashku me serbët e Bosnjës. Roli i së ashtuquajturës “Brigada e vullnetarëve grekë” në Srebrenicë, një periudhë kohe ka qenë prezent shpesh në mediat greke, por veteranët e kësaj brigade duket se ranë në heshtje të plotë që nga krijimi i Gjykatës së Hagës, e cila tani po gjykon edhe Sllobodan Millosheviçin. Katër nga anëtarët e kësaj brigade janë dekoruar nga Radovan Karaxhiç brenda muajit që ra Srebrenica. Në një raport të vitit 2002 të qeverisë holandeze, paqeruajtësit e së cilës ishin kritikuar ashpër për mosveprimin dhe lejimin e masakrës, thuhet se kjo njësi e vullnetarëve grekë ka ngritur flamurin grek në qytet, pas marrjes së tij nga serbët e Bosnjës. Në raport thuhet se ka video që dëshmojnë se serbëve të Bosnjës, Greqia u ka dërguar anije më armë, në kundërshtim me sanksionet e asaj kohe. Hetimet mund të jenë një dush i ftohtë për Greqinë, e cila ka bërë shumë pak për të njohur mbështetjen greke në betejat më të këqija të nacionalizmit serb në vitet ’90. Qeveria greke deri tani ka injoruar kërkesat për hetime të plota. Ministri grek i Drejtësisë javën e kaluar ka thënë se ndoshta ka pasur pjesëmarrje të forcave greke në masakrën e Srebrenicës, po ata nuk kanë qenë anëtarë të forcave të rregullta të sigurisë. Sipas Takis Mikas, autorit të librit “Aleanca e pashenjtë: Greqia dhe Serbia e Millosheviçit”, ajo që duket e pakuptueshme gjatë luftërave në Bosnjë, apo Kosovë nuk është thjesht që Greqia ishte në anën e Millosheviçit, por që ishte me pjesën më të errët të Serbisë.
Krijoni Kontakt