ANGLI/ Vata tërheq akuzat ndaj ish-të dashurit

Lirohen pengmarrësit e këngëtares




ANGLI
Dy nga tre pengëmarrësit e një këngëtareje shqiptare në Londër kanë
fituar lirinë në sallën e gjyqit. Besohet se një presion i mundshëm
ndaj dëshmitarëve në proces dhe mosdëshira e tyre për të dëshmuar,
ka shkaktuar rrëzimin e akuzave nga "Crown Prosecution Service"
(prokuroria angleze). Kur dosja hetimore ishte gati për gjykim,
Manushaqe Vata ka tërhequr akuzat për pengmarrje për ish-të dashurin
e saj. Shkodrani Bari Doni, së bashku me bashkëpunëtorin e tij në
rrëmbim, Astrit Bushi, që mbaheshin në burg me akuzat për
pengmarrrje dhe burgim të rremë që nga shtatori 2004, kanë fituar
lirinë në gjykatë, ndërsa Arjan Gjana ka mbetur në burg për t'u
gjykuar më vonë, për disa akuza që kanë të bëjnë me një sasi droge.
Rrëmbimi ka ndodhur në datën 29 shtator 2004, në një lagje të
Londrës. Këngëtarja shqiptare Manushaqe Vata me origjinë nga
Burreli, së bashku me një person tjetër që besohet të ishte me
origjinë nga Kosova, ishin duke ecur në zonën "Arthur Grove", kur
një makinë tip "Volkswagen Golf" ka ndaluar me shpejtësi para
këmbëve të tyre dhe 4 vetë kanë zbritur nga makina dhe e kanë
tërhequr zvarrë këngëtaren, duke e futur në makinë.


Muhamed Veliu