Shekulli, 29/06/2005
Berisha: Ulja e taksave që javën e parë
Kryetari i opozitës, takime në Orçë, Librazhd dhe Përrenjas. Premtime për pensionet dhe punësimin
“Përgjysmimi i taksave për biznesin e vogël dhe ulja 1/3 e taksave për bizneset e tjera në javën e parë të qeverisjes”
J. Gj
Nën një ambient festiv të krijuar nga grupi “Elita 5”, lideri i opozitës, Sali Berisha, ka deklaruar dje në Korçë se atje ai po sillte mesazhin e fitores. “Sot shqiptarët po ndahen me varfërinë, kjo është fitorja e qytetarëve shqiptarë që duan që liria të jetë ylli polar i tyre”, - tha ai, duke shpalosur më pas platformën për të rinjtë. Kryetari i PDK-së, Nikollë Lesi, ka vijuar më pas fjalën, duke theksuar se selia kryeministrore ka paketuar plaçkat për të ikur nga pushteti. Ndërsa në qytetin e Përrenjasit kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi kandidatin e kësaj zone, Bashkim Vaskun. Lideri demokrat u shpreh se pas 3 korrikut në Përrenjas dhe në zona të tjera do të zbatohen projekte të veçanta për të kapërcyer krizën e madhe që i ka kapur këtë zonë. “Fitorja e tre korrikut për Përrenjasin, Selenicën, Bulqizën, Memaliajn do të thotë projekte të veçanta për të kapërcyer krizën e madhe që ka mbërthyer këto qytete pas dështimit të ndërmarrjeve të mëdha të kohës së diktaturës”, - u shpreh Berisha.
Ai tha se përgjysmimi i taksave të biznesit të vogël dhe ulja 1/3 e taksave të bizneseve të tjera do të fillojë që në javën e parë të mandatit të demokratëve. Sipas Berishës, minatorët e kësaj zone që kaluan të gjithë jetën e tyre në galeri, nuk do të marrin një pension të barabartë me faturës e aforfesë së energjisë elektrike, por pensioni i tyre do të dyfishohet. “Ne do të ulim taksat që javën e parë të qeverisjes sonë. Përgjysmimi i taksave për biznesin e vogël dhe ulja 1/3 e taksave për bizeneset e tjera është zotimi ynë. Fitorja do të jetë për minatorët që shkrinë jetën e tyre në galeri dhe që kanë një pension të barabartë me faturat aforfe të energjisë elektrike. Fitorja e 3 korrikut është fitore për shqiptarët; fitorja e tre korrikut është fitore për ata që përballen me varfërinë; fitorja e tre korrikut është fitore për shkolla moderne, spitale moderne dhe rrugë moderne. 700 minatorë sot në këtë qytet mbahen me 50 m ijë lekë pension. Siguroj ata se pensionet do të dyfishihen dhe pensionet e fshatit do të barazohen me ato të qytetit”, - u shpreh më tej lideri demokrat.
Ndërsa në takimin e zhvilluar në Librazhd Berisha u shpreh se fitorja e tre korrikut është fitorja e 2 milionë të papunëve. “Zotimi ynë është që nuk do të ketë më pensione qesharake. Ne ju premtojmë dyfishimin e pensioneve dhe barazimin e pensioneve të fshatit me të qytetin”, - u shpreh ai. Duke prezantuar para qytetarëve të Librazhdit platformën e arsmit të Partisë Demokratike, Berisha tha se nga një tetori dyert e universiteteve do të jenë të hapura për të gjithë maturantët, ndërsa shtoi se në çdo shkollë do të ketë anglisht dhe internet.
Aliaj: Nano, forca speciale në Sarandë
Kandidati i PD-së në zonën elektorale nr. 99, Besnik Aliaj, përmes kësaj deklarate për shtyp denoncoi dje përpjekjet, sipas tij, të kandidatit të Partise Socialiste në Sarandë, Fatos Nano, për përdorimin e forcave speciale policore para dhe ditën e zgjedhjeve në Sarandë. “Kryeministri shqiptar dhe kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Sarandë përmes zëdhënësit të qeverisë dhe në takimet elektorale në Ksamil ka insinuar përfshirjen e elementëve me rekorde të dyshimta pranë partive opozitare. Në këtë kontekst, Aliaj i bën thirrje kandidatit të Partisë Socialiste dhe qeverisë shqiptare të denoncojnë në Prokurori emrat konkretë të dyshuar për trazira dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete tani! Në të kundërt, kjo është një alibi për përdorimin e forcave speciale para dhe ditën e zgjedhjeve dhe që i shërben rritjes së tensionit dhe manovrave për manipulim të zgjedhjeve”, - thuhet në deklaratën për shtyp të shtabit elektoral të kandidatit Aliaj. Ai ftoi kanditatin e Partisë Socialiste të ruajë gjakftohtësinë dhe “të mos urdhërojë njerëzit e tij në polici dhe administratë publike të kryejnë veprime që rrezikojnë seriozisht integritetin e zgjedhjeve dhe imazhin e Shqipërisë”.
KATEGORIA: Politike
Krijoni Kontakt