Partia Demokratike denoncon presionet e kryeministrit në Sarandë dhe Ksamil ...
Basha: Humbja e çertifikatave, vepër e qeveritarëve hajdutë.
Partia Demokratike dënon presionin e ushtruar ndaj institucioneve vendore nga kryeministri. Zëdhënësi i fushatës elektorale të PD-së, Lulzim Basha, tha në konferencën e djeshme për shtyp se "kërcënimi që kryeministri ka lëshuar ndaj autoriteteve lokale në Ksamil dhe Sarandë ka si synim që nëpërmjet presionit, të mundësojë vënien në jetë të mekanizmit të çertifikatave të falsifikuara, një skemë kryekëput qeveritare". Duke dënuar këtë akt, "Partia Demokratike deklaron se as çertifikatat e militantes së PS në gjendjen civile, as tapitë që Xhoana Nano shpërndan sikur t'i kishte prona të saj në Ksamil dhe as fadromat e Mark Nikollit, nuk e shpëtojnë dot Fatos Nanon nga vendimi tashmë përfundimtar i zgjedhësve të Sarandës për të rrëzuar mandatin e tij".
Në përgjigje të shpifjeve të Nanos për humbjen e çertifikatave, zëdhënësi i PD-së, Basha, tha se "PD e konsideron humbjen e çertifikatave si një vepër kryekëput qeveritare. Për këtë çështje, PD është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare".
Zëdhënësi i fushatës elektorale të PD-së reagoi gjithashtu edhe rreth spoteve televizive të PS.
Duke iu referuar edhe përgjigjes së dhënë nga nënkryetarja e PD-së, Topalli, gjatë një debati televiziv, Basha tha se "përsa i përket spotit publicitar, burracakët si Nano dhe Ruçi e kanë nxjerrë jashtë kontekstit atë batutë të zonjës Topalli. Për të gjithë ata që e kanë ndjekur këtë debat në TV "Klan" është e qartë se kjo bëhet për të ilustruar në mënyrë figurative faktin që Berisha në vend të përdorimit të dhunës ndaj kundërshtarëve, dorëzoi pushtetin".
Krijoni Kontakt