50 mijë vlonjatë pushtuan dje Sheshin e "Flamurit" për të dëshmuar vullnetin e tyre dhe vendimin se do të votojnë kandidatët e Partisë Demokratike. Vlora ka qenë e gjitha në shesh, si asnjëherë tjetër gjatë gjithë këtyre 15 viteve të demokracisë. Pjesëmarrja e djeshme e vlonjatëve në mitingun e jashtëzakonshëm të PD ka konfirmuar vendosmërinë e Vlorës për t'iu bashkuar më 3 korrik ndryshimit të madh. Qytetit të "Flamurit" i është rikthyer dje dinjiteti i munguar gjatë këtyre viteve të qeverisjes së socialistëve. Për tetë vjet, vlonjatët u mashtruan nga kryetari i PS dhe qeverisja e tij, dhe dje ata i kanë thënë stop këtij manipulimi me Vlorën. Vlora ishte dje e gjitha blu. Vlora votoi dje për kandidatët e PD. Ajo iu bashkua dje festës së madhe të shqiptarëve nga Jugu në Veri. Ajo që vlonjatët kanë firmosur dje, ka qenë humbja më 3 korrik e socialistëve në atë qytet që deri dje e konsideronin si bastion të tyre. Vlora dëshmoi se është bastion i ndryshimit të madh.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte i shoqëruar nga nënkryetarja Jozefina Topalli, aleatët Lesi, Roshi, Alimadhi, Pollo si edhe nga deputetët e Vlorës, Leskaj, Meminaj, Rexhepi, Kollozi dhe Panozaqi. Berisha përshëndeti të pranishmit dhe tha se "sot, Vlora është kryeqyteti i fitores dhe i prin fitores së kombit. Unë ju sjell këtu përshëndetjen nga Saranda, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Korça, Elbasani, Tirana dhe e gjitha Shqipëria. Fitorja e madhe është agim i bardhë për çdo shqiptar. 3 korriku është fitorja e të gjithë shqiptarëve që po bashkohen me besimin tek vetja, njëri-tjetri, tek e ardhmja, flamuri, Shqipëria. 3 korriku është dita e bashkimit të shqiptarëve në një përpjekje për dinjitet, integrim, mirëqenie, punë, arsim. Më 3 korrik, Vlora hap kapitullin e ri në historinë e saj. Më 3 korrik, vlonjatët e historisë do të firmosin për fitoren e ndryshimit të madh". Nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli, tha se "kanë ngelur vetëm 3 ditë dhe Nano nuk do të jetë më kryeministër. Vlora e ndryshimit është shpresa jonë, është një mesazh i jashtëzakonshëm që i bashkohet Sarandës dhe Shkodrës, gjithë Shqipërisë". Më pas takimin e përshëndeti Nikollë Lesi, i cili iu drejtua vlonjatëve me fjalët: "Familja Nano ka bërë gati plaçkat dhe po përgatitet të largohet nga vendi me helikopter në mesnatën e 3 korrikut. Unë i kërkoj këtu nga Sheshi i "Flamurit" kryeministrit të 4 korrikut, që të mos lejojë që helikopteri i familjes mafioze Nano të ngrihet nga Rinasi. Unë i dua ata këtu dhe do të përballem përditë me ta në parlament". Në vijim, të pranishmit i përshëndetën kryetarët e partive aleate, Genc Pollo, Adriatik Alimadhi dhe Artur Roshi. Më pas përshëndetën deputetët e ardhshëm të Vlorës. Bujar Leskaj tha se "Vlora nuk është bastion i askujt. Ajo është vetëm bastion i ndryshimit". Ardian Kollozi tha se "nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Vlora ka reaguar gjithmonë në momente historike dhe sot, në një moment historik, ajo ka vendosur t'i bashkohet ndryshimit të madh". Ndërsa Panozaqi, Xhevair Rexhepi dhe Moisi Meminaj deklaruan përpara qytetarëve të Vlorës garancitë që qytetarët e zonave të tyre japin për deputetët e Partisë Demokratike.
Krijoni Kontakt