Petersen paralajmëron formimin edhe të dy ministrive të reja të Kosovës - atë të drejtësisë dhe të rendit

Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, në ceremoninë e pavarësimit të Shtabit Rajonal të Shërbimit Policor të Kosovës në Prizren, paralajmëroi formimin edhe të dy ministrive të reja të Kosovës, atë të drejtësisë dhe të rendit. Jessen-Petersen në ceremoninë e organizuar me këtë rast, para autoriteteve më të larta vendore e ndërkombëtare tha se Shërbimi Policor i Kosovës është institucioni ku funksionojnë shumë mirë marrëdhëniet ndëretnike dhe se kjo është shumë e rëndësishme.


Puna e suksesshme e Shërbimit Policor të Kosovës ka bërë që të behët bartja e kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët dhe kjo ditë për ne është shumë e rëndësishme, tha kryeadministratori i Kosovës Soren Jessen Petersen.

“Dita e transicionit nga Policia e UNMIK-ut në Shërbimin Policor të Kosovës është e madhe dhe ky është rajoni i dytë në Kosovë që e ndërmerr një hap të tillë. Suksesi i SHPK-së ka rezultuar me demonstrimin e besimit të vet, mirëpo duhet falënderuar edhe komunitetin e Prizrenit”, ka thënë kryeadministratori Petersen.

Ndërkaq në emër të SHPK-së ka folur Ahmet Hasi, komandant për rajonin e Prizrenit, i cili ka theksuar gatishmërinë e SHPK-së për të krijuar siguri për të gjithë në Kosovë.

Sidoqoftë, në shtator të vitit 1999, kur edhe ka filluar së funksionuari SHPK-ja, ka qenë një numër i vogël i policëve, ndërsa pas 6 vitesh SHPK-ja në rajonin e Prizrenit numëron 870 policë nga të gjitha përkatësitë etnike dhe atë duke filluar që nga rreshteri e deri tek koloneli.

Nërkaq SHPK-ja në Prizren përbëhet nga 84 % nga shqiptarët, ndërsa të tjerët janë të përkatësive tjera etnike.

/Valbona Musliu/

marre nga Radio Kosova