MOS MË DUAJ MË
Mos më duaj më!
Nis më urre
nëse do mundësh!
Dhe qiellin(qielli jam unë!)
S’përmbyset bota
po ta humbësh!
Mos më afro më!
Nuk mund të duash
dy njëherësh!
Dhe ajrin(ajri jam unë!)
S’përmbyset bota,
po ta shkelësh!
Mos më kujto më!
Nis fshiji puthjet,
po të duash!
Dhe zjarrin(zjarri jam unë!)
S’përmbyset bota,
po ta shuash!
23 shtator 2005
LUMENJTË
Lumenjtë e duan shiun,
Sidomos kur me rebesh
fillon të bjerë!
Se veç prej tij
ata e ndrrojnë shtratin,
Dhe shkojnë e futen
nëpër shtretër të tjerë!
Unë i dua lumenjtë,
Se ata vetëm në det
pranojnë të vdesin!
Dhe tradhëtojnë rrallë,
shumë rrallë,
Jo çdo ditë si njerëzit!
DËBORA E PARË
Këtë vit,çuditërisht,
ti erdhe natën!
(Kaq shumë,njerëzve,
jua paske frikën!?)
Ti ngjan me atë nusen
në momentin pas dasmës,
Që xhvishet pranë shtratit
pasi e ka fikur dritën!
25 janar,2004
Krijoni Kontakt