E Hënë, 20 Qershor
Manastiri rumun, Shenjëtorja e Trefishtë, kryqëzon murgeshën 23 vjeçare: Ishte e pushtuar nga djalli
![]()
Nga Edmond Prifti
MEDIALB.com
Një ngjarje e rrallë dhe po aq e rëndë ka ndodhur në Manastirin “Sfânta Treime”, në Rumani, - ku prifti Daniel Koroxheanu, dhe katër murgesha të këtij manastiri, kanë kryqëzuar një murgeshë 23 vjeçare, - me arsyetimin se shpirti i saj ishte i pushtuar nga djalli.
Murgesha 23 vjeçare, Irina Korniç, vdiq, - pasi qëndroi 3 ditë e lidhur në një kryq druri (nga data 13 deri në datë 15 Qershor). Murgesha e re u kryqëzua nga katër murgesha dhe një prift, - gjatë një ‘riti fetar’ në një manastir ortodoks të Rumanisë lindore, dhe u la pa ngrënë dhe pa pirë, deri sa dha shpirt.
Lajmi konfirmohet nga policia e Vasluit dhe është bërë publik nga agjencia rumune e lajmeve, Mediafax. "Ajo ishte e pushtuar nga shpirtëra të këqinj, dhe ne jemi lutur për të. Nga këndvështrimi fetar jemi sjellë drejtë" - ka thënë në polici prifti, Daniel Petru Koroxheanu, - kreu i manastirit të Tënak-ut, në provincën e Vasluit.
Edhe më parë murgesha e re, ndoshta e përfshire nga shqetësime skizofrenie, ishte mbyllur për disa ditë në një ndërtesë të manastirit, me këmbë dhe duar të lidhura dhe ishte lënë pa ujë ose bukë, më datë 15 qershor 2005.
Tashmë policia, por edhe autoritetet fetare kanë nisur një hetim për të zbuluar sesi kanë rrjedhur ngjarjet. Ndërkaq kur përfaqësuesit e Kishës Ortodokse, dhe më ekzakt të Episkopisë Hushilor, kanë shkuar për të hequr nga funksionet e tij, at Koroxheanu, ka shpërthyer në revoltë. Prifti dhe disa banorë të fshatit - kanë sulmuar kleriket e Kishës Ortodokse dhe janë mbyllur brenda në manastir.
Sipas të përditshmes, Evenimentul Zilei (Evenimenti i Ditës), “Ndaj vrasësve të murgeshës Irina Korniç, - priftit Daniel Koroxheanu, dhe murgeshave Nikoleta Arkaleanu, Adina Ciopraga, Elena Otelea dhe Simona Bardanasu u mor masa e arrestit burg pa afat, nga prokurorët pranë Prokurorisë së rrethit Vaslui. Këta të fundit kanë dëgjuar deri tani 24 persona, pjesa më e madhe e tyre, murgesha të Manastirit Shenjëtorja e Trefishtë (Atit – Birit dhe Shpirtit të Shenjtë)”.
Murgesha Marta, e pranishme në këtë vrasje makabër ka deklaruar se, “me mëshirën e Zotit u lutëm, dhe në qoftë se nuk do të bëhej më mirë do t’a çonim tek doktori, por ishte dëshira e Zotit që ajo vdiq”.
Sipas Prokurorit, Ovidiu Berinde, “në këto momente po presim përgjigjen e rezultatit final të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Iash”. Po kështu, Berinde ka sqaruar për E.Z. se, “vdekja e murgeshës ka ardhur si pasojë e shokut hipovolemik (ulja e volumit të oksigjenit në gjak) që u favorizua nga shumë faktorë si, dezhidratim, gjendje stresi, konsum energjish, por edhe si pasojë e lidhjeve që i ishin bërë mbi pjesën e barkut dhe në gjoks”.
Mjeku, Dan Petroviç, - i cili diagnostikoi i pari kufomën e vajzës së re 23 vjeçare deklaroi se, “Ajo kishte disa plagë të thella në gojë dhe shenja të dyshimta në qafë...”.
![]()
![]()
Marrë nga Evenimentul Zilei & News 24
Edmond Prifti është editor për MEDIALB.com.
Krijoni Kontakt