KDNJ: Ministria serbe e Drejtësisë po udhëheq politikë të standardeve të dyfishta lidhur me diplomat e Kosovës

Bujanoc, 17 qershor (presheva) - Këshilli për të Drejtat e Njeriut (KDNJ) në Bujanoc ka reaguar të premten ndaj deklaratës së Ministrit të drejtësisë së Republikës së Serbisë, Zoran Stojkoviqi se në rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk ekziston problemi i diplomave të Universitetit të Kosovës dhe se gjatë muajve të fundit, gjashtë kandidatë shqiptarë e kanë dhënë provimin e jurisprudencës. Në kumtesën e lëshuar për opinion, KDNJ-ja ka akuzuar organet shtetërore të Serbisë, respektivisht Ministrinë e drejtësisë se kur është në pyetje çështja e pranimit të diplomave të Kosovës, ato po udhëheqin politikë të standardeve të dyfishta.

- Vetëm katër kandidatë shqiptarë janë pranuar për dhënien e provimit të jurisprudencës. Që të gjithë i kanë diplomat nga periudha e para vitit 1989. Dy kandidatët e vetëm të paraqitur me diploma të dhëna në formularë të UNMIK-ut dhe të vulosura nga UNMIK-u po pengohen që të paraqiten në provim, pasi që sipas zyrtarëve të Ministrisë së drejtësisë, “diplomat e UNMIK-ut janë kontestuese” - thuhet në kumtesën e KDNJ - së. “Në këtë drejtim, që të dy kandidatët i kanë humbur dy afate për dhënien e provimit, atë të muajit maj dhe të muajit qershorit”, konsideron Këshilli për të Drejtat e Njeriut duke shtuar se në këtë mënyrë po pengohet krijimi i kushteve për integrimin e shqiptarëve, posaçërisht në gjykatën e Bujanocit. “Cili ishte motivi i kësaj deklarate të ministrit Stojkoviq pikërisht në ditën kur në rajonin e Luginës së Preshevës qëndronte për vizitë një delegacion i NATO-s dhe i Këshillit të Evropës për ta vlerësuar ecurinë e realizimit të të drejtave të pakicave”, pyet KDNJ -ja. - Me sjelljet e këtilla, organet zyrtare të Serbisë nuk janë duke i dhënë shqiptarëve sinjal të qartë se janë të gatshëm të përmbushin politikën e proklamuar para bashkësisë ndërkombëtare. Aq më tepër, bazuar në këtë praktikë ekziston rreziku se Trupi i ripërtërirë Koordinues do t’i trajtojë problemet që janë konsideruar si të zgjidhura që më vitin 2001 dhe në këtë drejtim do të sillet nëpër rrethin vicioz - konstaton KDNJ-ja në kumtesën e tij, një kopje të së cilës e ka siguruar “presheva.com”-i.