The Independent" i dedikon një shkrim të gjatë Ismail Kadaresë
Aventura në "Kadaria", si të jesh human në botën e frikës
--------------------------------------------------------------------------------
Nga DAVID BELLOS
"The Independent"
Nesër Ismail Kadare do të jetë në Edinburg, për të tërhequr çmimin "Man Booker International Prize". Pak ditë para kësaj ngjarjeje, në "The Indipendent" ditën e premte u publikua një shkrim i David Bellos, që gazeta e cilëson "një guidë rreth botës unike të shkrimtarit". David Bellos është përkthyesi në gjuhën angleze i një varg veprash të shkrimtarit Ismail Kadare, duke nisur që nga "Dosja H", "Piramida" "Verë lulesh, verë e ngrirë".
LAJMI
Të hënën Ismail Kadare do të pranojë për herë të parë çmimin "Man Booker International Prize", në Edinburgh.
Ai për një kohë të gjatë njihet si shkrimtari më i mirë shqiptar për brezin e tij, ndoshta i të gjitha kohërave, si dhe një nga romancierët më të admiruar europianë të shekullit të 20-të.
Veprat e tij janë të pafundme, si ato të Balzakut; kritike ndaj diktatorit, sikurse Orwell-i, dhe me fantazi shqetësuese si ato të Kafkës.
Është, gjithashtu, një zbulim dhe një reflektim se çfarë do të thotë të jesh shqiptar, një zbulim i së shëmtuarës dhe dinjitetit të një kombi të vogël. Kadareja, ndoshta, është i fundit shkrimtar nacional në historinë e Europës.
Djalë i një zyrtari të rangut të vogël dhe i një nëne nga familje pasanikësh, Kadare ka lindur në vitin 1936.
Ai u rrit në qytetin me mure të Gjirokastrës, jo larg nga kufiri me Greqinë, gjithashtu dhe vendlindja e Enver Hoxhës, "Sulltanit të Kuq" të Shqipërisë, që sundoi nga viti 1945 deri më 1985. Qyteti me atmosferën e tij, është rikrijuar në librin me titull "Kronikë në Gur", botuar në vitin 1970.
Kadare ishte një student i shkëlqyer në Universitetin e Tiranës, ku që në atë kohë do të publikonte poemat e tij të para. Shqipëria ishte një satelit i Bashkimit Sovjetik, gjë që do të bënte të mundur dërgimin e tij atje në vitin 1960, për studime të mëtejshme.
Pasi Hoxha prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, Kadare ishte i detyruar të kthehej në Tiranë. Shqipëria u kthye në një vend të izoluar, me një shoqëri të mbyllur, deri atëherë kur Hoxha prezantoi një nga aleancat më të çuditshme të kohërave moderne, me Maon e Kinës.
Pas kthimit nga Moska, Kadare do të publikonte novelën e tij të parë, e cila merret me detyrën e çuditshme të një gjenerali italian, i dërguar në Shqipëri për të mbledhur eshtrat e ushtarëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
"Gjenerali i ushtrisë së vdekur", themeloi reputacionin e tij. Libri u përkthye në disa gjuhë dhe më pas u bë edhe film, ku luante edhe Marcelo Mastroianni. Subjekti mbulon një temë të trashëguar nga mitet greke, nga Shekspiri dhe nga romanca gjermane.
Kadareja duhet t'ia dedikojë mbijetesën vetes së tij, në një vend që drejtohej me frikë dhe represion, si në librin "Dimri i Madh", në të cilin flitet për ndarjen me Bashkimin Sovjetik, e ku përfshihet edhe një foto e Enver Hoxhës.
Kadareja e përshkruan novelën si një çmim që duhej të paguante për lirinë e tij. Hoxha ishte i vendosur ta ndalonte publikimin e librit, gjë që më pas çoi te një jetë e vështirë artistike për Kadarenë.
I pandryshuari Kadare do të vihej në pozitë të vështirë, duke iu ndaluar publikimi i të tjera botimeve. Shumë prej tyre do të nxirreshin fshehurazi jashtë Shqipërisë. Fletët e shkruara do të futeshin në shishe vere bosh.
Që nga viti 1965 deri më 1998 të gjitha veprat e tij të lejuara do të përktheheshin në frëngjisht nga përthyesi shqiptar Jusuf Vrioni, dhe më pas do të botoheshin. Statusi që Kadare formoi brenda Shqipërisë, dhe në veçanti jashtë saj, e bëri atë njërin nga të paktët shqiptarë që mund të udhëtonte jashtë.
Një vizitë në Turqi, në vitin 1970, e vuri atë në kontakt me shkollarët më të mirë të Ballkanit për veprat epike.
Pas kësaj, ai do të shkruante novelën rreth vështirësive të identitetit kombëtar, me titull "Dosja H", në vitin 1981.
Kadareja mbijetoi në një ambient të rrezikshëm të krijuar nga Hoxha, i cili i detyroi shumë njerëz në Perëndim që të dyshonin se ai kishte bërë një kompromis, ose më keq akoma.
Angazhimi i tij si deputet i Parlamentit çoi në mendime të gabuara shumë vetë, të cilët mendonin se ai kishte simpati për regjimin. Ndërsa tani gjithçka duket qartë. Të gjitha këto dyshime kanë qenë të pabaza. Historia e Kadaresë ishte një histori e jashtëzakonshme e kurajos së vazhdueshme, plot vullnet dhe me fat.
Në vitin 1985 Hoxha do të pasohej nga Ramiz Alia, i cili vazhdoi rrugën e regjimit stalinist.
Kadare do të arratisej për në Paris në vitin 1990, nga ku do të përfitonte azilin politik dhe më pas do t'i jepej shtetësia franceze. Që kur regjimi i Alisë u rrëzua, jeta e tij do të ndahej në dy pjesë, mes Tiranës dhe Parisit. Si një qytetar i privilegjuar, ai ka pasur mundësinë për të promovuar edhe poetë e romancierë të tjerë shqiptarë.
Shkalla e produksionit të tij mbetet e lartë.
Me punët e tij më të reja dhe ato të hershmet të marra së bashku, universi i Kadaresë shkon shumë larg. Me të vërtetë përmbush portretin e një toke imagjinare "Kadaria", siç edhe e kanë quajtur disa, me një temë të vetme: si të jesh human në botën e frikës, udhëhequr nga dyshimi. Është një arritje madhështore, e cila për një kohë të gjatë provoi se ishte e vlefshme e mund të vlerësohet si një nder i madh.
Përktheu
Muhamed Veliu
Bellos, përkthyesi i preferuar nga Kadare
David Bellos u zgjodh para pak ditësh nga shkrimtari Ismail Kadare si përkthyesi që do të marrë çmimin me vlerën 15 000 paund. Ky çmim është dhënë nga juria e "Man booker international prize" plus çmimit të shkrimtarit, me vlerë 60 mijë paund. Ditën e shpalljes së çmimit u theksua se 15 mijë paundët i jepen shkrimtarit që ai t'ia dhurojë njërit prej përkthyesve të veprës së tij në gjuhën angleze. I zgjedhuri i shkrimtarit në këtë rast ishte David Bellos.
Krijoni Kontakt