Një delegacion i NATO-s vizitoi Luginën e Preshevës
Në kuadër të aktiviteteve të monitorimit të situatës politike dhe të sigurisë, si dhe të njoftimit me problemet aktuale në sferat e ndryshme të Luginë së Preshevës, një delegacioni i Shtabit të NATO-s me seli në Napoli, qëndroi sot në një vizitë pune në Zyrën e Misionit të OSBE-së në Bujanoc. Ata u takuan me përfaqësuesit e subjekteve politike të të gjitha bashkësive nacionale si dhe me përfaqësuesit e organizatave të ndryshme ndërkombëtare që veprojnë në këtë rajon. Nga spektri politik shqiptar, në këto takime morën pjesë kryetari i Komunës së Preshevës dhe Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës e kryetari i Bashkimit Demokratik të Luginës, Skender Destani dhe kryetari i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu. Kjo ishte vazhdimësi e takimeve të mëherëshme të përfaqësuesve shumë të lartë të NATO-s që zhvillohen prej konfliktit të armatosur në Luginën e Preshevës në vitin 2001.
Përfaqësuesit shqiptar i paraqitën në përgjithësi situatën politike, gjendjen e sigurisë, situatën shumë të rëndë ekonomike, problemet e integrimit të shqiptarëve në institucionet shtetëtrore, problemet e shumta në lëmin e arsimit, shëndetësisë, kulturës, infrastrukturës dhe në sferat tjera. Ata në veçanti i potencuan problemet në realizimin e të drejtave individuale e kolektive të bashkësisë nacionale të shqiptarëve, ku nuk mund t’i realizojnë edhe të drejtat më elementare, si përdorimi zyrtar i gjuhës dhe i shkrimit, përdorimi i simboleve nacionale, kultivimi i vlerave nacionale, e të tjera.
Të dy palët e potencuan se kanë kaluar kohërat e luftërave dhe se të gjitha problemet dhe vështirësitë mund të zgjidhen vetëm se me mjete politike dhe me ativitetet e përbashkëta nëpërmjet institucioneve të sistemit.
Përfaqësuesit e NATO-s theksuan se prezenca e tyre dhe e subjekteve tjera ndërkombëtare do të jenë në këtë rajon derisa ajo vlerësohet se është e nevojshme nga të gjitha palët. Rtv Presheva
Krijoni Kontakt