Angli/ Pasaktësitë e dokumentacionit mund të lënë në Britani
vrasësin e Yzeirëve
Rrezikohet ekstradimi i Çalës
Procesi për ish-policin e akuzuar për 3 vrasje
Nga Londra Muhamed Veliu
Ish-polici Gëzim Çala, i dënuar nga drejtësia shqiptare me 25 vjet
burg për një vrasje të trefishtë, rrezikon të mos ekstradohet nga
Anglia për në Shqiperi ku do të vuaj dënimin. Gjatë seancës
gjyqësore për ekstradimin, të zhvilluar dy ditë më parë në Londër, u
përcaktua që vendimi për nisjen e tij ose jo për në Shqipëri do të
jepet në datën 23 qershor. Procesi i ekstradimit ndaj Çalës, në
gjykatën magjistrale Bow Street Magistrate court ka filluar që në
muajin shtator 2004 dhe ka hyrë në një fazë delikate, e cila është
shfrytëzuar më së miri nga pala mbrojtëse, për bllokimin e
ekstradimit. Ndërsa motivi i deritanishëm i bllokimit të ekstradimit
kanë qenë pasaktësitë në dosjen e përgatitur nga pala shqiptare.
Pasaktësitë
Një sërë pasaktësish në dosjen shkresore dërguar javën e shkuar nga
Tirana, janë shfrytëzuar nga avokatja mbrojtëse e Çalës, për t'i
mbushur mendjen gjykatëses angleze Daphine Wickam se "ekstradimi nuk
është i drejtë". Avokatja e Çalës, Compase Lloyd-Jacob, ka shprehur
rezerva për të gjithë procesin e ekstradimit, sidomos për zhvillim e
gjyqit në mungesë, muajin prill 2005, ku ish-polici Çala u dënua me
25 vjet burg në mungesë, së bashku me Ferdinand Çalën, Agur Çalën
dhe Genci Çalën, të dënuar po ashtu me 25 vjet burg. Po ashtu, të
gjitha palët në proces kanë shprehur pakënaqësinë për anglishten e
dobët të përdorur në dokumentacionin zyrtar dërguar gjykatës
londineze nga Tirana. "Ndërkohë që Qeveria Shqiptare ka filluar një
proces ekstradimi në Angli, në Shqipëri me shpejtësi zhvillohet një
gjyq pa asnjë dëshmitar, që të dëshmonte direkt në gjykatë dhe dënon
Çalën me 25 vjet burg në mungesë. Ai është dënuar në bazë të
dëshmive në letër, marrë nga Fatime Neziri më 10 dhjetor 2000, mars
2001 dhe shtator 2001 nga Julian Neziri. Për mua, procesi nuk mund
të quhet i drejtë, kur dikush dënohet me anë të dëshmive në letër,
të cilat janë marrë tre dhe katër vjet pas ndodhjes së krimit",
është mbrojtur më pas avokatja e Çalës.
Akuza
Sikurse edhe në gjyqet e mëparshme, qeveria shqiptare, e cila kërkon
ekstradimin e 36-vjeçarit Çala, është përfaqësuar nga një avokat i
zgjedhur nga Ministria e Brendshme Britanike Home Office. Fillimisht
avokati Robert Tolhurst i ka rikujtuar gjykatës se Çala akuzohet nga
drejtësia shqiptare si pjesëmarrës në vrasjen e familjarëve të fisit
Yzeiri, ndodhur në vitin 1997, dhe se kërkesa për ekstradim është
aktive, pavarësisht se në datën 6 prill 2005 ai është dënuar në
mungesë me 25 vjet burg. Avokati Tolhurst ka pranuar përpara
gjykatës se ai nuk është vënë në dijeni për zhvillimin e këtij
procesi dhe se një gjë të tillë e ka mësuar kur ka marrë nga pala
shqiptare një dosje të re me dokumente rreth kësaj çështjeje.
Avokati i vënë në një pozitë të vështirë përballë këtij fakti, që do
të shfrytëzohej më pas nga mbrojtja, ka argumentuar përpara gjykatës
pse Çala duhet të ekstradohet dhe të përballet me drejtësinë
shqiptare. "Vendimi i gjykatës së apelit në Vlorë, për të rigjykuar
çështjen nga gjykata e Fierit, demonstron vendosmërinë e palës
shqiptare për një proces të drejtë gjyqësor për Çalën", ka thënë
avokati, duke shtuar se pavarësisht nga dënimi në mungesë për akuzat
e vrasjes në vitin 1997, kjo çështje për drejtësinë shqiptare nuk
është e mbyllur
White_Angel
Krijoni Kontakt