Fiton Kreshnik Qato, gjakoset rusi Donestkity
--------------------------------------------------------------------------------
Nga i dërguari ynë Muhamed Veliu
Kreshnik Qato kampioni shqiptar i botës në boks, ka dalë fitimtar të dielën nga ringu i sallës Ekuinoks në qendër të Londrës, pas një ndeshjeje të vështirë me Ruso- Britanikun Dhimitri Donestkity e vlefshme për eleminatoret e Federatës botërore të Boksit ËBF. Në një sallë ku dominote ngjyra kuq e Zi në prezencën e rreth 800 shqiptarëve dhe shumë britanikëve, Qatos i ka buzëqeshur fitorja, në raundin e gjashtë. Kundërshtari është tërhequr nga loja në këtë raund pas një goditje të fortë nga Qato që në raundin e 5 i shkaktoi çarjen e vetullës së djathtë. Atëherë kur duheshin vetëm 40 sekonda nga përfundimi i raundit të fundit, gjyqtari anglez duke parë gjendjen e rënduar të rusit dhe daljen e gjakut papushim nga vetulla, ka ndërprerë ndeshjen. E ndërsa rusi me kokë të ulur, i sakatosur nga grushtet e kampionit shqiptar i është drejtuar cepit të ringut për të marrë ndihmë mjekësore, salla ka gumëzhirë nga triumfi i yllit shqiptar të boksit Kreshnik Qato. Vetëm një minutë më vonë katër gjyqtarët anglezë të ndeshjes kanë dhënë rezultatin me pikë 60-me 55, në favor të Qatos. Ka qenë një moment i jashtëzakonshëm që ka provokuar një "uragan" brohoritjesh, Niku kampion- Niku kampion, valëvitje flamujsh pse jo dhe lot për të pranishmit në sallë.
Atmosfera
Shqiptarët e Anglisë kanë bërë histori të dielën,pasi për herë të parë në këto 15 vitet e fundit arena e boksit në diskon Ekuinoks ka përjetuar një atmosferë kaq energjike në mbështetje të Qatos. Ka qenë një atmosferë e zjarrtë, e cila nuk krijohet shpesh në sallën e diskos Ekuinoks e kthyer në një arenë boksi, dhe kjo falë 800 mbështetësve shqiptarë në sallë. Organizatorët anglezë të ndeshjes janë shprehur se është hera e parë në këto 15 vitet e fundit që ata janë dëshmitarë të një supermbështetjeje kaq të madhe, krijuar nga shqiptarët e Anglisë, ekskluzivisht për Qaton.
Kronologjia
Si edhe në ndeshjet e tjera kampioni Qato ka hyrë në ring duke mbajtur të lidhur pas shpatullave flamurin kuq e zi. Ai është shoqëruar në ring nga një bukuroshe indiane, e cila valëviste flamurin shqiptar. Ekzekutimi i himnit përpara ndeshjes, i kënduar nga të gjithë të pranishmit në sallë, ka ngjallur emocione të paimagjinueshme dhe habi tek joshqiptarët e pranishëm, të cilët asnjëherë nuk kanë parë aq shumë entuziazëm në sallën e Ekuinoksit. Ruso-Britaniku Donestkity, i cili jeton në qytetin e Southamptonit, pa asnjë mbështetës në sallë është ndjerë përballë një presioni psikologjik të jashtëzakonshëm, si pasojë e supermbështetjes që gëzonte kundërshtari i tij shqiptar. Raundi i parë ka qenë me plot emocione për Qaton nga vetë superatmosfera e krijuar nga shqiptarët. Kundërshtari rus ka shfaqur ashpërsi, duke goditur më shumë se Qato, duke i krijuar atij probleme. Në raundin e dytë Qato ambientohet shpejt me lojën e kundërshtarit dhe është ai që merr në dorë frenat e lojës, duke u treguar më taktik dhe më i kujdesshëm në mbrojtje. Raundi i tretë ka qenë i ekuilibruar për të dy boksierët. Ndërsa raundi katërt do të fliste tërësisht për Qaton, nga ku rusi Dhimitri Donestkity mori një mori grushtesh, por nuk e humbi kontrollin, duke rezistuar mirë. Raundi i pestë do të ishte vendimtar për fitoren e durrsakut Qato, në minutën e dytë të tij një goditje me të djathtën nga doreza kuq e zi do të bënte çorientimin e rusit dhe do shkaktonte çarjen e vetullës, megjithatë ai nuk është dorëzuar dhe ka përfunduar raundnin.
Pas ndeshjes boksieri flet për "Gazetën Shqiptare"
Qato: Është fantastike, jam krenar
Menjëherë pas përfun dimit të ndeshjes Qato u shpreh për "Gazetën Shqiptare": "Kisha shumë emocione, pasi nganjëherë tifozeria ndikon negativisht. Dua të pranoj se në raundin e parë isha në pozitë të vështirë, por e mora veten duke dalë nga një situatë aspak e favorshme për mua. Kisha shumë përgjegjësi mbi vete pasi salla ishte me mbushur me shqiptarë dhe nuk doja t'i zhgënjeja". Pyetjes nëse ai e priste fitoren, mbreti shqiptar i boksit i është përgjigjur me fjalët "E prisja fitoren. Jo në këtë mënyre siç u zhvillua, ndeshja ishte e vështirë e prisja më të lehtë. Por në boks asnjëherë nuk ka qetësi dhe lehtësira'. Ndërsa për kundërshtarin rus, Qato ka komentuar se "Ai ishte më i fortë seç e mendoja. Puna përgatitore dhe eskperinca bëri që t'ia dilja mbanë". Qato nuk ka harruar që të falënderojë mbështetësit e zjarrtë, duke deklaruar: "Sportdashësit që më kanë mbështetur dua t'i falënderoj. Është një shans për mua, për Shqipërinë që unë boksoj në Londër. Ata padyshim kanë pjesë të padiskutueshme në fitoren time. Gjithsesi, trajneri legjendar Luigi Leo priste më shumë nga boksieri i tij 'Një fitore e madhe, por isha përgatitur për një paraqitje edhe me të mirë nga Kreshniku. i thashë në përfundim të raundit të parë, vetëm qetësohu dhe përqendrohu, se do ta mposhtësh kundërshtarin". Sa për publikun, italo-briraniku thekson: "Kam njëzet vjet këtu në Londër që ndjek dhe zhvilloj ndeshje të ndryshme dhe një publik të tillë asnjëherë s'e kam ndeshur. Është fantastike të kesh në krah njerëz të tillë, kaq shumë, shumë entuziast". Dy menaxherët e Qatos, Anton Sinan-Prenga dhe Nik Berisha, të rrethuar nga gazetarët e mediave angleze, kanë dhënë disa deklarime të shkurtra mbi ndeshjen. Nik Berisha është shprehur se "Pjesë e fitores janë shqiptarët që e kanë mbështesin vazhdimisht dhe kjo do të bëjë që Kreshniku të fitojë tituj të tjerë në të ardhmen. Kundërshtarin nuk e njihnim mirë, por mund t'ju them se Kreshniku ka kohë që po kryen një stërvitje intensive dhe falë punës së tij, mbështetjes së shkëlqyer nga të gjithë të pranishmit në sallë, ia doli mbanë".
Krijoni Kontakt