Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 16 prej 16
  1. #11
    Permbajtja e artikullit:

    Slachtoffer van bloedwraak.
    Albaneezen, kort geleden te Weenen aangekomen, beweren dat Essad Pasja's dood te wijten is aan een bloedwraak. In November 1915 zou Essad Pasja een moordenaar hebben gelast minister Ned jekibey te vermoorden. De neef van den vermoorden nam naar oud gebruik de plicht van de bloedwraak op zich. De jonge man volgde Essad Pasja ruim vier jaar en doodde hem den 13en Juni 1.1. to Parijs.

    http://kranten.kb.nl/view/article/id/ddd%3A010493988%3Ampeg21%3Ap001%3Aa0009

    Perkthimi

    Viktime prej hakmarrjes.

    Shqiptare, qe para disa kohesh mberriten ne Vjene, rrefyen se vdekja e Esat Pashes kishte ardhur si rrjedhoje e hakmarrjes. Ne Nentor te vitit 1915 ia kishte nxitur vrasjen e ministrit Nedjeki beu (emri ndoshta nuk eshte paraqitur sakte nga shtypi i athershem hollandez) - shenimi im). Nipi i te ndjerit (Anvi Rustemi - shenimi im), sipas zakoneve te vjetra, mori persiper qe te marre hak. Ai e ndoqi Esat Pashen per 4 vite dhe e vrau ate me 16 Qershor ne Paris.
    Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 24-11-2012 më 09:24

  2. #12
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Atentati i Avni Rustemit ndaj Esat Pashë Toptanit në Paris dhe hakëmarrja ndaj tij

    Fjala e At Gjergj Fishtës në varrimin e Avni Rustemit

    Nga Frank Shkreli

    Emri:  auto_GJER1602622972.jpg

Shikime: 413

Madhësia:  36.0 KB

    “Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!”
    Unë nuk dëshiroj t’i bashkohem debatit të ditëve të fundit se kush është hero e kush është tradhtar dhe as vlerësimeve se kush meriton të dekorohet e kush jo, pasi për këtë vendosin entet e caktuara shtetërore, sipas ligjit, kushtetutës dhe precedentëve të mëparshme.

    Por debati i fundit në media dhe midis personaliteteve të larta politike dhe shtetërore të Shqipërisë mbi dekoratat e fundit të njoftuara nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta -- përfshirë dekorimin, nga ana e tij, dhënë Avni Rrustemit – m’u kujtua fjalimi që At Gjergj Fishta kishte mbajtur në varrimin e Avni Rrustemit, (1 Maj 1924) pas vrasjes së tij – që konsiderohet si një prej vrasjeve më të bujshme në historinë e Shqipërisë. Ndërsa fjalimi i përmortshëm i At Gjergj Fishtës, në varrimin e Avni Rrustemit, konsiderohet si njëri prej fjalimeve më historike të oratorisë shqiptare, ndonëse ndoshta jo më i famshmi i Fishtës. Është një fjalim që ndoshta mund të kontribuojë në këtë debat.

    Shkrimtari dhe novelisti shqiptar Sterjo Spasse, në një shkrim të botuar në “Librin Përkujtimuer”, kushtuar At Gjergj Fishtës dhe botuar në vitin 1941 pas vdekjes së Poetit Kombëtar, nën përkujdesjen e At Benedikt Dema, Spasse ka vlerësuar zotësinë që ka pasur Fishta, që sipas tij, “të trondisi zemrën e të thithi me magjinë e fjalës.” Dhe jep si “shembull të gjallë” fjalimin e Gjergj Fishtës, “Fjala mbi varrin e Avni Rrustemit”, nga i cili, sipas tij, “Burojnë lotë e vrerë, ndërsa jeta e të vdekurit përjetësohet në dritë të idealit kombëtar.”

    Është ky një fjalim ku shprehet zi për momentin e rastit por edhe për historinë e Shqipërisë së pushtuar ndër shekuj, por njëkohësisht pasqyron edhe qëndresën e shqiptarëve ndër shekuj si dhe luftërat dhe përpjekjet e tyre për liri, demokraci, përparim e zhvillim, si e gjithë Evropa, deri në ditët e sotme. Dhe u ben thirrje shqiptarëve që, “Shoq me shoq, kurrë mos me u xanë”.

    Ja edhe fjalimi i plotë klasik i At Gjergj Fishtës mbajtur në varrimin e Avni Rrustemit në vitin 1924, e që ka mundësi të ndihmojë në debatet e tanishme, që po zhvillohen në Shqipëri mbi meritat, dekoratat, heronjtë dhe tradhtarët, por edhe për gjëndjen aktuale në të cilën ndodhet sot Shqipëria:

    ***

    “E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymës s’asaj vistre të gjatë kavaljetesh, nepër të cilët pershkue âsht fati yt i mjeruem! Fort të bukur të fali Perendija, por – ofshe un i mjeri! – se tepër pa mëshirë e turp shemtuem të ká nieri. Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa bukë e shujtë dhe e shame prej gjithkuej, sa me t’ardhë mârre me u quejt me emën tand, dikur aq të lumnueshem, nuk e di a kalue ká ndo’i faqe nieri, që ti la mos të jeshë anë gjak të ndo’i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit. Nepër ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht të shporojshin parzmet e bijve tu: Nepër ty, po, u ndenë gardh ato shpata e shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tu; mbi ty, randoi pesha e pushtetsisë rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e nepër ty u përshkue, mbasandej edhè ajo dhuna e përmnershme e Azisë, që të dërmoi të gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand të kobshëm. E vertetë që tjera ndoshta kombe e fise e vende, e tjera mote e mndorje të» historis s’tyne, kanë muejtë kshtu me psue si psue ké ti, e mjera moj Shqipni; po fis as komb, as vend nuk ká kund n’Europë, që, si ty, zemra gjak t’i két pikue! Mos tjetër të bijt e atyne kombeve, fiseve, vendeve, edhè m’atëherë kur i ndrydhte nji kambë e hueja, kanë mûejtë me dashtë Atdhenë e vet, kan mûejtë me urue per té. Nder sa per bijt tuej – fat zeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perendija.

    Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazën shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet – e xhinajet i randë fort, edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndeshkohet faj i i Atdhedashnisë. Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem – i pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipninë edhè i donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet se për Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte për tjetër, veç për me i sherbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut. E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë nder sy, sa per rreth tij, si hyj ma të vogjel për qark të nji diellit të shkelqyeshem, nisi me u mbledhë tok mosha shqiptare – shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë – nji besë shqiptare se do të jetote, do të punote, do të vdiste per jetë e lulzim t’Atdheut. I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën per diell, s’dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshem, i cili me armë të s’di se kuj, e vret dhe e len shakull mbi dhè.

    Edhè kshtu sod, që lulet janë tue shpërthye mbi dhé, ky në ma të mirën lule të djemnîs së vet, lule po hin me u kalbë nen dhé.

    Pse? Pse pat dashtë Shqipninë! Kërcuna mori nana e vet, që ktij petriti të Lubohovës, dhanë i paska nji zemër bujare, fisnike; pse po zemra satrapit të tiranit ajo t’ia kishte dhanun, sod s’do ta kishte martue me tokë të zezë, por me ndo’i , zojë vashe shqiptare… I ziu more pedagogu i tij, që mbrenda ledhève të shkollës diku i paska të gjith ate njomsi ndjesie ndaj virtytit, burrnis, beses, njerzis, pse po ta kishte msue aty se me kalem e letër mund të shkelen popujt e mund të pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s’do ta kishte Libohovën nji qytetas i ndershëm, Vlonën me nji birë në shpirt, Kosoven me nji mik, mbarë djemninë shqiptare me kampionin e vet aq të dashtun e të drashtun!

    Flaka, po, i perpiftë njato kangë e letra, të cilat, tue fry neper flî t’ ambël të kësaj gjuhe hyjnore tonen, e ndezkan zhari zemren e tij ndaj Atdheut, edhè kshtu para kohe e çuekan në vorr. Oh! Po, të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejes e deri në kulm të Kepit të Stiloz, per me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret – edhè kto të pashërueshme – të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet. Jo po; ky djalë po të kishte vu dorë e vjedhë nder pasuni të Shtetit, po të kishte rrëmbye tokët e hueja, po të kishte shnjerzue gjinden e huej e per qëllime të poshtërme politike të kishte djegë ndo’i malsî e rrenue ndo’i fshat, na sod ktu s’do ta kishim m’e pa, lamë me gjak, shtri mbi rrasë të vorrit, por gjetë do ta kishim me e pa tue u tallë fron më fron, sandalle më sandalle, kolltuk më kolltuk neper oda të shtrueme, e vesh më vesh me simahorë të ndo’i klikës së mshehtë, të ndytë, tue perpilue vistret e emnavet të njatyne atdhetarvet që do t’ u bajshin flî ambicjonit të poshterm të tyne.

    Por Avni Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipninë e desht me gjith fuqinë e shpirtit të vet, prandej’ u la në gjak, prandej vdiq, shkoj, mbaroj.

    Mbaroj thashë? Më paska pasë rrshitë goja pahiri; pse Avni Rustemi s’ ka mbarue. Edhè aj jeton nder né edhè ka për të jetue dèri sa në ndo’i skaj sado të vogel të Shqipnis ku të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare. Burri i mirë s’des kurr. Fjalë drejta hyjneshë e historis, kjo,në nji fletë të historis shqiptare emnin e tij ka per ta shkrue me shkrola arit, shkrola të pa shlyeshme. Ka me dalë ndo’i poet i kombit, i cili ate emën ka per ta këndue mbi lirë të vet të hyjnueshme; e ate emen atëherë mësuesit nder shkolla kan per të ia u permendë nxansavet të censhëm: kapun në valle djemtë e vashat shqiptare neper brohori kan per ta kndue at emën; kan per ta kndue barijt e blegtorët nepër hije e mrrize të paqta të fushavet e të malevet tona, e mali e fusha e bregu e zalli kan me jehue nga ky emën e kshtû emni i Avni Rustemit, si ideali i tij, ka me mbetë i padekshëm në Shqipni. Âsht rrêjt, pra, tradhtari që thau të rijtë e tij, për në pastë mendue, me nji plumb pushke të pagueme Avniu do të mbarote. Avniu s’mbaron jo! Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollen e fajnîs n’ate vepër që m’herë të parë, në sy të gjyqtarit frang do t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta ruejtë emnin e tij të padekshëm nder sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë me gzue Shqipnin e lirë, e ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam tue folë të vertetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj Skanderbegut u pa nji verçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshem se ky i Avni Rustemit, -e të cilin pa nderlikim besimit, fisit a bajrakut, muer pjesë Shqipnia mbarë?

    Ktú ké shkëlqesa të Këshillit të Naltë edhè dhespoten fort ndershem; ké – aballarë, hoxhallarë, priften, freten e misa Kuvendit Kushtetues; bajraktarë e beglerë, qytetas e fshatarë, pasanikë e të vorfen, pleq e të rij, burra e gra, djelm e varza që kan ra e ardhë ktu në Vlonë per të kjasue loden e vet mbi’ vorr të tij. Kta, po, rrëfejnë se emni i Avni Rustemit e ideali i tij do të rrojnë të padekshëm në Shqipni të lirë.

    Stolis, pra, me rreze të nji emni të padekshëm e pajis me perdhimtime t’ambla të mbarë kombit shqiptar, mos u tut, Avni, tue u djerrë në vetmi të vorrit të errshëm, e kshtu me u dá prej nesh pergjithmonë. E vështirë, ndoshta, të vjen puna, që me u shkepë prej gjivet të prindvet tuej, por, qe, Shqipnija ka hapë gjitë e vet e të lypë per vedi. Nuk ké çka ban, do të hish në gjî të saj; pse ti, sod e mbrapa, nuk jé i kurrkujt tjetër veç se i Shqipnîs. Edhè Shqipnija në gjî të vet ka me i strukë kocat tuej, që mos t’i lendojë furia e thellimit a ndo’i fuqî tjetër kundërshtare, e ti në ate gjî ké me pushue si dikur, foshnje, pushove në gjîtë nanës sate zemër rrënueme: Jo, po, edhè Shqipnija âsht nana, e si nanë ka me ta mbajtë kujdesin, që mos ta trazojë kush gjumin e dekës në gjî të saj.

    O ju male të Shqipnisë, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tue ju lanë: që edhè sod e mbrapa t’ i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî. O ju fusha të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lanë: që mos të jeni dorështrêjt ndaj kombit shqiptar, por t’i jepni bukë e shujtë e mos ta qitni ma Shqipnin me shkop e me strajcë me lypë buk dyerve të kombevet të hueja. Ju falet nderës dhe per lulet e bukura që keni dergue per ditën e vorrimit të tij.

    O ju njerzë të Shtetit Shqiptar e misa të Kuvendit Kushtetues, lamtumirë po u thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lanë: që po kjé se âsht kush nder ju, që ndër dikasteret e nalt të shtetit ose në log të Kuvendit Kushtetues s’ka para sysh veç se punën e tagjîsë, ta mbushë strajcën pikë e për maje me gjak të shtetit edhè të shmanget në punë të vet, e mos të rrijë ma me luejt harushë mbî shpinë të nji popullit të ngratë, që as frymë nuk po mund të marrë prej lotëvet të gjakut.


    O e bardhë shpresë e kombit – djelmëni shqiptare, lamtumirë po të thotë Avni Rustemi e amanet âsht tue të lanë:
    Armët e mbushme mos me i dhanë
    Shoq me shoq kurr mos me u xanë
    Mos me u xanë as mos me u ngaë
    Kurr ujët turbull mos me i raë
    Fjalët per pajë kurr mos me i ndalë
    Zemrës së frytë me i lanun dalë.

    O zemërplasun prindët e tij, Avniu juej, qe, po ndahet pergjithmonë prej jush, edhè po ju lypë hallallin, per çka me fjalë a punë ka muejtë me ju pezmatue zemrën. Edhè ky ka kenë çilimi, ka kjenë i ri, e prandej ka mûejtë me gabue. E ty babë i mjerë, amanet âsht tue ta lanë, që kur të bajë motra me kja – qyqja motër per kaq vlla! – ta pajtojsh me fjalë t’ambla e të buta e mos ta lash, qyqen e natës, me i plasë zêmra prej dhimbjes për Avniun e vet.

    Lirë e bekue po ju thotë të gjithve ju, që keni ba faqen e bardhë e ardhë m’e percjellë deri në ket vend pushimit të tij të mbramë. E ju, Zoja të ndritshme po ju truhet per çka keni ma per zemër, që t’ia shmangni mamen prej vorrit e mos të shofë gazep me sy.

    Hajde, Avni, pra, tash me u da pergjithmonë. E sa për punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me perparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, nepër kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u përshku; në tjetrën anë Perendija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me ndikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnînë, ta bâjë me perparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme. Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!”

    (Rev. “Afrimi”, vjeti II, maj 1924.Vlorë)
    Át Gjergj Fishta: “PROZA” vëllimi i dytë 1923-1940, Botime Françeskane,

    Shkodër, 2006, f.135-139.

    Megjithë zhgënjimet e njëpasnjëshme të këtyre 30-viteve të fundit “post-komunizëm”, unë dua t’u besoj gjithnjë fjalëve të At Gjergj Fishtës të pothuaj 100-viteve më parë se, “Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!” Por me një kusht: Nëqoftse më në fund, fillojmë të dëgjojmë fjalët e Gjergj Fishtës së Madh!

    Emri:  auto_AVU1602622976.jpg

Shikime: 404

Madhësia:  36.4 KB

    Bota Sot

  3. #13
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Atentati i Avni Rustemit ndaj Esat Pashë Toptanit në Paris dhe hakëmarrja ndaj tij

    Fjala e përmotshme për vdekjen e Avni Rustemit

    Nga Fan Noli

    Në mitingun e përmotshëm të organizuar në Vlorë me rastin e varrimit të Avni Rustemit, më 1 maj 1924, F. Noli ishte oratori kryesor

    Aq sa jam helmuar për vrasjen e Avniut, aq jam mallëngjyer të shikoj që Vlora pati idenë e bukur dhe delikate ta shtjerë trupin e tij pranë Ismail Qemalit. Që të dy kanë luftuar për flamurin e Shqipërisë, që të dy kanë patur si kundërshtar Esatin. Ismail Qemali u mund prej Esatit, por ky djalosh e shtriu Esatin përdhe! Vlora ka të drejtë ta mbajë Avninë në gjirin e saj, sepse kjo e kuptoi shumë bukur se ç’rëndësi të madh ka pasur gjesti i Avniut në Paris, një gjest i cili ndërroi faqen e historisë shqiptare. Vlora, kur u kthye Avniu, i bëri një pritje aq të madhe, sa është e shkëlqyer edhe nderimi i fundit, që po i bën sot. Vlora mori vesh kuptimin e tmerruar të vrasjes së Avniut në Tiranë dhe me klithmat e saj e zgjoi tërë Shqipërinë nga letargjia në të cilën ishte mbytyr. Kjo vrasje s’është veç një incident i periudhës kritike, ku ndodhemi. Karakteristikat e kësaj periudhe janë dy:

    1) Që antikombëtarët janë në fuqi, dhe populli të mos presë gjë nga kjo qeveri dhe kjo Asamble.
    2) Që antikombëtarët nuk kënaqen vetëm me këtë, po u vënë pusi patriotëve dhe i vrasin prapa kurrizit, si e vranë Avninë.

    Çfarë masa lipset të marrë për të shpëtuar nga kjo situatë, e cila është një vetvrasje kombëtare.

    Naivët janë të mëndjes që këtë kujdes t’ia ngarkojnë qeverisë dhe Asamblesë. Në qoftë se jeni nga ky klas naivësh atëherë koburja që vrau Avninë ju ka vrarë edhe juve, dhe nuk jeni veç kufoma shëtitëse, fytyra mizerable që shëmtoni këtë tokë të bukur, e cila meritonte një fat më të mirë.

    Fatalistët, nga ana tjetër, janë të mëndjes që t’ia lënë punën Perëndisë, e cila me mëshirën dhe shpirtmadhësinë e saj mbron dhe shpëton të fjeturit, të humburit dhe të mjerët.
    Jemi fare në një mëndje me këta të fundit, por e kemi për detyrë t’u kujtojmë që Perëndia mbron ca më tepër të zgjuarit dhe ata që janë të zotërit të luftojnë për të drejtat e tyre, dhe në qoftë nevojë, të vdesin për lirinë e tyre.

    Në këtë rast detyra jonë është e shkoqur dhe në lotët e të gjithëve këndoj zotimin solemn që këtë detyrë do ta mbroni.

    Nuk duhet të flemë të qetë gjersa të gjenden dhe të dënohen fajtorët e kësaj vrasjeje; duhet t’i ndjekim vrasësit nga shpella në shpellë, nga përroi në përrua, nga bregu në breg, gjersa t’i kapim; dhe atëherë t’i bërtasim këtij dëshmori:

    “Avni, i zumë, fli i qetë, se tani Shqipëria nuk është më nën terrorin e bashibozukëve antikombëtarë, se tani Shqipëria është në udhë të mirë, në udhën e lirisë.”

    Facebook
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  4. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Atentati i Avni Rustemit ndaj Esat Pashë Toptanit në Paris dhe hakëmarrja ndaj tij

    GAZETA FRANCEZE « LE MATIN », 1920 : KUR AVNI RUSTEMI SHPJEGONTE NË GJYQIN E TIJ ARSYEN E VRASJES SË ESAT PASHËS

    Emri:  image.jpg

Shikime: 393

Madhësia:  55.3 KB
    Burimi : Cour d'assises : meurtrier d'Essad Pacha, Avni Rustem : [photographie de presse] / © Agence Meurisse - gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

    Nga Aurenc Bebja*, Francë – 20 Janar 2017



    Më 13 qershor të 1920, në kryeqytetin francez, Esat Pasha po dilte nga hotel « Continental », i shoqëruar nga një mik dhe një mikeshë, për të shkuar në drejtim të automjetit të tij, i parkuar në rrugën « Castiglione ». Avni Rustemi, i cili po priste mbi trotuar, qëllon dy herë mbi të duke e lënë të vdekur në vend.



    Si rrjedhim, gazeta franceze, « Le Matin », ka botuar, në faqen e parë të saj, më datë 30 nëntor 1920, një artikull mbi proçesin gjyqësor të kësaj vrasje të bujshme. Ajo ka botuar shkëmbimet e ndryshme në sallën e gjyqit, ku bie veçanërisht në sy gjakftohtësia e Avni Rustemit.

    Më 20 qershor 1920, Avni Rustemi shfaqet para Gjykatës së Krimeve të Rënda të « Seine-s ». Gazeta e përshkruan autorin 27 vjeçar, si të dobët fizikisht, që dukej sikur të ishte 20 vjeçar, me një pamje të mprehtë, i cili ishte i sigurtë kur shprehej, me një kokëfortësi që haset tek të gjithë vrasësit politikë. Dhe si ata, ai dinte të përdorte lehtësisht « klishetë ».

    Emri:  image.jpg

Shikime: 430

Madhësia:  41.6 KB

    Në vijim, seanca gjyqësore e rrëfyer në gazetën franceze :



    « Seanca është udhëhequr nga kryetari i gjykatës, këshilltari Z. Drioux.



    Avokati i Përgjithshëm Bloch – Laroque mbështet akuzën.



    E veja e Esat Pashës përfaqësohet , si palë civile, nga avokatët Freyssanges et Lyon – Caen.



    Avokati De Monzie (Anatole) mbron të akuzuarin.



    Pas formaliteteve, fillon marrja në pyetje e Avni Rustemit.



    I akuzuari, i lindur në një familje me prona përreth Janinës, është shkolluar në Konstandinopojë, Gjenevë dhe Romë. Ai i ishte destinuar mësimdhënies. Në vitin 1913, u bashkohet Shqiptarëve që luftonin kundra Greqisë me qëllim « lirimin e Epirit ».



    ***

    Z. Drioux : Në atë moment të caktuar, ju nuk e njihnit Esat Pashën ?



    Avni Rustemi : Oh, kanë folur shumë për të !



    Z. Drioux : Po ju paralajmëroj se do të jem tepër i kujdesshëm në këtë terren. Unë pranoj se jam i paditur në çështjet e historisë dhe politikës shqiptare. Mbi këtë bazë, unë do të ju lejoj të thoni atë që ju dëshironi.



    ***



    Rustemi përfiton nga leja për të afirmuar se në Shqipëri kishte vetëm një qeveri legjitime, ajo e cila luftoi Esat Pashën.



    …Në maj të vitit 1920, partizani i ri kthehet në Shqipëri, ku takon « një zyrtar të lartë, i cili i shpjegon situatën » dhe kuptohet se është kundra « Esatiste ». Në vijim niset për në Paris.



    ***



    Z. Drioux : Çfarë burimesh financiare keni ?



    Avni Rustemi : Pak më shumë se 6000 lireta.



    Z. Drioux : Nga vijnë këto para ?



    Avni Rustemi : Nga vëllai im.



    Avokati i Rustemit, De Monzie : Kjo dëshmon se Rustemi nuk është vrasës me pagesë.



    ***



    Rustemi e përgjonte Esatin nga hoteli i rrugës « Saint – Hyacinthe », komshi me hotelin « Continental », ku jetonte Esati. Iu desht vetëm një « hap » për ta gjetur. Më 13 qershor u takua papritmas me pashain në trotuarin e rrugës « Castiglione » dhe aty ndodhi gjithçka.



    ***



    Avni Rustemi : Kur pashë këtë njeri u turbullova dhe nuk u kontrollova dot.



    Z. Drioux : Dhe pastaj, ju qëlluat ?



    Avni Rustemi : Ishte një gjest ashtu si marrja e Bastijës !



    Z. Drioux : Ju u bëni aluzion, pa i njohur mirë, disa fakteve të historisë sonë. Shumë të huaj shprehen kështu. Në një tekst të shkruar nga pala juaj mbrojtëse, miqtë tuaj e kanë krahasuar viktimën me Luigjin e XVI ! Ju paralajmërova se mund të thoni gjithçka në lidhje me politikën shqiptare. Ne, francezët, ne nuk mund të harrojmë se Esati ishte miku ynë, që u detyrua të largohej prej austriakëve, që ka punuar në shpëtimin e ushtrisë serbe, dhe për arsye të këtyre fakteve, ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit të Nderit.



    Avokati i Rustemit, De Monzie : Franca ka besuar disa herë gabimisht.



    ***



    Proçesi gjyqësor mbyllet me këto fjalë të akuzuarit :



    Avni Rustemi : Unë nuk e kam paramenduar vrasjen. Unë kam qenë gjithmonë i shtyrë nga ndjenjat e pastra.



    ***



    Nga ky moment, mbaron proçesi i Avni Rustemit dhe fillon i Esatit.



    ***



    Dëshmitarët e parë, doktori Paul, eksperti i armëve Flobert, roja (gjuetari) Cavet që ndaloi vrasësin u dëgjuan me shpejtësi.



    Avokati i Rustemit, De Monzie, me aftësinë e madhe për të mbrojtur klientin e tij, do të tërheqë vëmendjen e sallës në vijim.



    ***



    Avokati i Rustemit, De Monzie : Një patriot shqiptar, si Rustemi, a ka pasur ndaj Esatit ankesa të bazuara (të mjaftueshme) për të eliminuar tiranin dhe tradhtarin ?



    ***



    Sipas gazetës, dhjetë dëshmitarë mbrojnë të vrarin.



    Gjenerali Gouraud i ka shkruajtur Z. Drioux për të vërtetuar bujarinë e Esatit. Z. Edouard Julia e konsideron Esatin si një mik të Francës.



    ***



    Z. Julia : Figura e tij ushtarake ishte ajo e një heroi. Ishte ai që mundësoi dialogun me mbretin Konstandin. Personaliteti i tij politik nuk ishte më pak i shquar. Ai ka kontribuar shumë në fitoren e aleatëve. Pa atë, asnjë serb nuk do t’i kishte shpëtuar fatkeqësisë, asnjëri prej tyre nuk do të arrinte në Korfuz. Unë nuk jam këtu për të shkatërruar një njeri të ndriçuar nga pasioni i tij politik, por do t’i them të akuzuarit, se duke vrarë Esatin, ai ka sakrifikuar fatin e fundit për bashkim dhe pavarësi që i kishte mbetur shtetit të tij.



    Avokati i Rustemit, De Monzie : Esati, a nuk e dorëzoj Shkodrën në 1913 armiqëve të shtetit të tij ? Dëshmitarë të tjerë do të vijnë të tregojnë. »



    ***



    Ekspertë të tjerë kanë vazhduar të flasin në gjyq si për shembull gjenerali Sarrail, ish-shefi i byrosë së ushtrisë Orientale, Z. Ancel, apo Z. Auguste Gauvain, Z. Gaston Richard, koloneli Lamouche dhe konsulli francez në Selanik, Z. Graillet.



    Të gjithë këta zotërinj nuk kanë rënë dakord me pohimet e njëri – tjetrit.

    Gjatë kësaj seance gjyqësore nuk është marrë një vendim i menjëhershëm për Avni Rustemin.


    Burimi: Aurenc Bebja, Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

  5. #15
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,963
    Postimet në Bllog
    22

    Për: Atentati i Avni Rustemit ndaj Esat Pashë Toptanit në Paris dhe hakëmarrja ndaj tij

    Nga Hasan Bello: Nën udhëheqjen e Avni Rustemit! Organizatat e para që promovuan terrorizmin politik në Shqipëri në fillim të viteve ‘20

    Nga Dr Hasan Bello

    Në dhjetor 1920 Avni Rustemi u kthye në Shqipëri dhe u përpoq të bashkonte shoqëritë e ndryshme. Për këtë nga 25-28 prill 1921 në Vlorë u mbajt një kongres, i cili krijoi Federatën "Atdheu". Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi. Për këtë federatë deputetët miratuan edhe një ndihmë financiare. Federata kishte qëllim depërtimin tek nëpunësit e shtetit dhe kapjen e pushtetit në rrugë antikushtetuese.

    Federata bëri përpjekje që degët e saj t`i shtrinte edhe në diasporën shqiptare në ShBA. Kryetari i saj Kol Tromara i shkroi shumë miqve të tij, por të gjitha përpjekjet dështuan për shkak se anëtarët e kësaj organizate ishin deklaruar kundër “Vatrës”. Për këtë arsye, drejtuesit e saj i propozuan “Vatrës” një “marrëveshje vëllazërore” dhe bashkëpunim mes dy federatave. Por diaspora shqiptare e Amerikës nuk pranoi.

    Në shtator 1921 u kthye në ShBA Faik Konica, i cili mori kryesinë e “Vatrës”. Ai konstatoi korrespondencën me Federatën “Atdheu” dhe nisi një investigim për aktivitetin politik dhe qëllimet e kësaj shoqërie. Pak kohë më parë Konica kishte qenë i pari personalitet që kishte denoncuar publikisht në parlament Avni Rustemin si “assassino” (“vrasës”).

    Në një artikull që botoi në gazetën “Dielli” Konica rreshtoi gjashtë pika përse mes Federatës “Vatra” dhe “Atdheu” nuk mund të nënshkruhej një “marrëveshje vëllazërore”. Në pikën e parë ai shkruante se të dy shoqëritë kishin ideale të ndryshme. Federata “Vatra” besonte se një shtet mund të funksiononte vetëm mbi bazën e ligjit. Ndërsa Federata “Atdheu” besonte të kundërtën, se vrasja politike ishte diçka patriotike dhe për tu lavdëruar. Ai akuzonte përpjekjet e Federatës “Atdheu” se me anën e Kol Tromarës i cili kishte qenë një nga drejtuesit kryesorë të diasporës në ShBA ishte përpjekur të vidhte listat e anëtarëve të “Vatrës” për t`i rekrutuar ata në organizatën e tyre. Sipas Konicës thuhej se, në Statutin e Federatës “Atdheu” kishte një pikë të fshehtë për vrasjen e kundërshtarëve politikë. Megjithëse ai kishte rezerva për vërtetësinë e kësaj pike, i vinte keq që asnjëherë diçka e tillë nuk ishte përgëgjeshtruar nga drejtuesit e Federatës “Atdheu”, as me fjalë dhe as me vepra.

    Për shkak të tendencave antikushtetuese të Federatës “Atdheu” qeveria e Xhaferr Ypit më 16 gusht 1922 urdhëroi shpërndarjen e saj. Një arsye tjetër ishte abuzimi me financat e kësaj organizate. Nga kontrolli i prefekturës së Vlorës rezultoi se 13.000 franga ari që i kishte dhënë arka e shtetit ishin shpenzuar vetëm për rroga dhe degët e saj nuk kishin bërë asnjë relacion financiar. Kontrollin në degën e Durrësit e zhvilloi gjyqtari Ali Tabaku dhe kryesekretari i prefekturës Mihal Bellkameni, të cilët raportuan shkelje të rënda financiare. Ata iu lutën qeverisë për të mbyllur këtë shoqëri për të mos dëmtuar popullin. Në këto kushte Avni Rustemi më 13 tetor 1922 themeloi në Tiranë shoqërinë "Bashkimi". Për këtë ai kishte hyrë në kontakt me diplomatët sovjetikë në Romë. Qëllimi i kësaj shoqërie ishte tërheqja e rinisë në radhët e saj dhe shkatërrimi i klasës politike nëpërmjet metodave terroriste.

    Në fjalimin e themelimit të kësaj organizate Avni Rustemi do të deklaroi se anëtarët “Bashkimit” që nuk i bindeshin urdhërave për detyrat e ngarkuara do t`i nënshtroheshin penaliteteve respektive. Përpjekja për vrasjen e kryeministrit në sallën e Kuvendit Kushtetues nëpërmjet Beqir Valterit më 23 shkurt 1924 si dhe dhënia me zor deputetëve të opozitës vaj recini në rrugët e kryeqytetit ishin disa nga praktikat terroriste të anëtarëve të Federatës “Atdheu” dhe transformimit të saj më pas në organizatën “Bashkimi”.

    Duhet theksuar se jo të gjithë të rinjtë e shkolluar në këto organizata ishin implikuar në veprimtari antikushtetuese. Prandaj në vijim ata do të mbajnë detyra të larta shtetërore siç ishte Fuad Asllani i cili do të bëhet ministër i Jashtëm etj.

    Emri:  -900-0-1713811947x2f1ece51-1c07-4d22-b8f5-d070c4fb5255-549.jpg

Shikime: 409

Madhësia:  34.5 KB

    (Në foto anëtarë të organizatës "Bashkimi" që në uniformat e tyre gjatë vitit 1924 kur në pushtet ishte Fan Noli mbanin simbolin “B")

    Liberale.al
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 29-06-2024 më 00:17

  6. #16
    i/e regjistruar Maska e Akuamarini
    Anëtarësuar
    19-02-2015
    Postime
    3,195

    Për: Atentati i Avni Rustemit ndaj Esat Pashë Toptanit në Paris dhe hakëmarrja ndaj tij

    Serbia nderon Esat Pashë Toptanin

    Serbia nderon zyrtarisht Esat Pashë Toptanin, që në Shqipëri konsiderohet si tradhtar.

    Atë që e kishte deklaruar në fillim të muajit tetor Marko Gjuriç për Esat Pashën, të cilin e cilësoi si hero i popullit serb, e ka realizuar dje një zyrtar tjetër i lartë i Beogradit.

    Aleksandar Vulin, ministër për Çështje Sociale në Serbi dhe ish– ministër për Kosovën, dje në Paris ka nderuar Esat Pashë Toptanin te varri i tij, raporton Koha Ditore.

    Vulin, duke vendosur një kurorë lulesh te varri i Esat Pashës, vlerësoi kontributin e tij për Serbinë.

    “Serbia i kujton heronjtë e saj, por Serbia i kujton edhe miqtë e saj dhe ne nuk do ta harrojmë Esat Pashën, i cili në momentet më të vështira ishte përkrah nesh. Esat Pasha ishte mik i serbëve, padrejtësisht i harruar dhe i anatemuar nga historia, qoftë edhe e jona”, tha Vulin,

    Sipas tij, Esat Pasha duhet kujtuar përherë, pasi përveçse u varros pranë serbëve në varrezat e Parisit, ndihmoi forcat ushtarake serbe për të depërtuar në Shqipëri.

    “Esat Pasha është shembull se si shqiptarët dhe serbët do të duhet të bashkëpunonin, rruga e tij ishte rruga e mirëkuptimit e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ai ishte shqiptar që i donte serbët, për këtë arsye nuk bën të harrohet”, ka thënë Vulin, raporton Koha Ditore.

    Drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç, Esat Pashën e kishte quajtur “aleat e komandant i famshëm dhe ministër i parë i Brendshëm e pastaj edhe kryeministër i Shqipërisë në fillimin e shekullit 20”.

    Ai kishte shtuar se Esat Pashë Toptani ka qenë “mik dhe aleat i madh i serbëve, i cili ushtrinë serbe, gjatë tërheqjes nëpër Shqipëri, me xhandarë të vet, e ka mbrojtur nga bandat kaçake dhe i cili duke përcjellë mbretin dhe Qeverinë, ka vazhduar të luftojë në anën serbe edhe në frontin e Selanikut”.

    Esat Pashë Toptani, i cili në historiografinë shqiptare njihet tradhtar i vendit, u vra nga Avni Rrustemi më 13 qershor 1920 në Paris, Francë./b.l

    Dorezimi i Shkodres nga Esat Pasha te malazezet
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Atentati ndaj Lul Berishës me raketë tokë-ajër.
    Nga BlueBaron në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 27
    Postimi i Fundit: 26-11-2009, 20:47

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •