Brazili, kualifikimi mes drithërimave
Brazili arriti një barazim 2-2 ndaj Japonisë, në ndeshjen e fundit të grupit B, në Kupën e Konfederatave. Me këtë rezultat, Brazili ka arritur të kualifikohet për në gjysmëfinale, ku do të ndeshet me ekipin e Gjermanisë. Për Brazilin luanin, që nga minuta e parë, Adriano, Kaka dhe Ronaldinjo, të cilët ishin në dyshim për këtë takim. Ekipi i drejtuar nga trajneri Parreira arriti të kalonte dy herë në avantazh, gjatë pjesës së parë, por Japonia arriti dy herë të barazonte rezultatin. Goli i parë i takimit u shënua nga Robinjo në minutën e 10-të. 17 minuta më pas, Nakamura e barazoi rezultatin për Japoninë, me anë të një gjuajtjeje spektakolare.
Në portë për Brazilin mungonte Dida, i cili u zëvendësua nga portieri Markos. Pas pësimit të golit, Brazili u hodh në kërkim të golit të dytë dhe arriti ta gjente në minutën e 33-të, me anë të Ronaldinjos. Në minutat e mbetura të pjesës së parë, Brazili pati rastin për të shënuar golin e tretë me anë të Adrianos, i cili nuk arriti ta shënjestronte portën e Kavaguçit. Në pjesën e dytë, Japonia nuk mundi të reagonte dhe u detyrua të vuante presionin e vazhdueshëm të Brazilit. Në 20 minutat e fundit, trajneri Parreira hodhi në fushë sulmuesit Baptista dhe Renato, në vend të Adrianos dhe Kakasë.
Brazili iu afrua sërish golit me anë të Robinjos, i cili u gjend i vetëm para portës, por Kavaguçi arriti ta largonte topin nga zona e tij. Në minutat e fundit të takimit, Japonia arriti ta barazonte rezultatin me anë të Oguros, i cili shënoi golin e tij të dytë në këtë kompeticion. Edhe Robinjo, me golin e shënuar dje, u ngjit në kuotën e dy golave në këtë edicion të Kupës së Konfederatave. Ronaldinjo konfirmoi formën e tij të jashtëzakonshme, pasi zhvilloi një takim spektakolar. Adriano nuk arriti të impresiononte në takimin e sotëm dhe u zëvendësua nga Parreira në minutën e 25-të të pjesës së dytë.
Ronaldinjo, i cili u shpall lojtari më i mirë i takimit, pas ndeshjes tha: "Për ne ishte e rëndësishme të fitonim, edhe pse kualifikoheshim me barazimin. Më vjen keq që nuk arritëm ta ruanim avantazhin deri në fund të takimit. Jam i lumtur që arrita të shënoja golin tim të parë në Kupën e Konfederatave, por merita është e të gjithë ekipit. Në gjysmëfinale do të luajmë ndaj Gjermanisë dhe do të jetë një ndeshje e vështirë". Pas barazimit të Meksikës me Greqinë, Brazili e mbylli grupin në vend të dytë, në kuotën e 4 pikëve, duke arritur kualifikimin falë golavarazhit. Në gjysmëfinale, Brazili do të luajë ndaj ekipit të Gjermanisë, ndërsa Meksika do të luajë ndaj Argjentinës
Krijoni Kontakt