Skena politike

“Hot”-fushata!!!

Partitë politike për 15 vjet kanë dëshmuar se nuk kanë platforma zhvillimore në aspektin ideor politik, ekonomik e social. Një parti që nuk ka politikë zhvillimore, si mund t’i mbrojnë interesat e qytetarëve?

HALIT AJDINI
h.ajdini@faktionline.com

Politika si në çdo vend të botës, në vetvete nuk është mort që bie mbi një popull, përkundrazi, është modeli më i mirë i rregullimit të një shoqërie. Nëse politika në demokraci është përfaqësimi dinjitoz i interesave të individit sipas parimit pakica i bindet shumicës, politikanët tanë duhet t’u japin përgjigje votuesve, sa e respektojnë principin e politikës në demokraci ?!
Fatkeqësisht për këto vite të demokracisë partitë politike shqiptare shumë pak kanë zhvilluar demokraci dhe kanë respektuar parimin elementar të demokracisë.
Zgjedhjet po afrohen. Emrin e keq apo të mirë politikës ia bëjnë politikanët. Të dish kujt t’ia japësh votën, është sa zgjuarsi po aq edhe investim për të ardhmen tënde si individ, por edhe shoqërisë në tërësi. Politikani është përfaqësues dhe mbrojtës i interesave të grupit shoqëror që e ka zgjedhur dhe si i tillë, qëndrimi i tij ka ndikim direkt në interesat e zgjedhësve. Qytetarët thonë se mund t’i numërosh me gishta politikanët që në të vërtetë kanë mbrojtur interesat e qytetarëve në këtë dekadë e gjysmë demokraci. Për çfarë duhet të votojnë qytetarët shqiptarë ku politika në Maqedoni personifikon të keqen, zhgënjimin, korrupsionin, mashtrimin, pasurimin e grupeve të vogla të cilët u mbajnë ison të “mëdhenjve” në parti.
Partitë politike për 15 vjet kanë dëshmuar se nuk kanë platforma zhvillimore në aspektin ideor politik, ekonomik e social. Një parti që nuk ka politikë zhvillimore, si mund t’i mbrojnë interesat e qytetarëve?
Qytetarët shqiptare duhet të mendojnë mirë në këto zgjedhje se kujt do t’i japin votën. Ndërsa partitë e kanë obligim kombëtar që qytetarëve shqiptarë t’u mundësojnë të votojnë atë të cilin ata mendojnë se duhet t’i udhëheq në katër vitet e ardhshme, pa mos krijuar tension, frikë dhe vdekje. Jo njëherë ditët e zgjedhjeve janë kthyer në mort në Maqedoni.
Çdo qytetar shqiptarë fatkeqësisht edhe pas 15 vjet pluralizmi bëhet armik i pashpallur i partive politike nëse nuk u bindet qorrazi veprimeve dhe obcioneve të njërës apo tjetrës parti politike. Nëse nuk pajtohesh me obcionin e njërës apo tjetrës, nuk do të thotë se je kundër. Shumica e qytetareve që do të pësojnë në këto zgjedhje do të jenë sigurisht ata të cilët do të tregojnë kulturë demokratike, për shkak se partitë tona politike ende janë skajshmërisht totalitare dhe despotike.
Partitë politike në mungesë të platformave të mirëfillta politike, ekonomike dhe sociale kanë bombarduar qytetarët shqiptar dy muaj para zgjedhjeve me akuza drejtuar njëra-tjetrës për gjëra të cilat, nuk kanë të bëjnë asgjë më përmirësimin e gjendjes së votuesve. Rritja e tensionit te votuesit nga partitë politike bëhet me të vetmin qëllim që të transferojnë vëmendjen e opinionit publik dhe për t’u ikur pyetjeve që presin përgjigje si standardi jetësor, papunësia, arsimi, shëndetësia, bujqësia, blegtoria, etj. Opinioni shqiptar është dëshmitar se asnjëra parti politike nuk ka paraqitur platformë të mirëfilltë politike në asnjë sektor të jetës dhe si arsyetim kanë dhënë “ka kohë për përgatitjen e platformave”. Këto arsyetime janë sa joserioze po aq edhe shqetësuese. Platformat politike për zgjedhjet, partitë serioze i përgatisin së paku dy vjet, ndërsa partitë shqiptare janë fenomen dhe si duket këto i bëjnë vetëm për disa ditë. Mirëpo, një gjë nuk duhet t’u mohohet. Ata kanë projekte konkrete për zhvillim të spiunazhit, përhapjen e urrejtjes, grindjes familjare, kërcënimeve, kurtheve, shpifje, etiketime, etj.
Afër tre muaj në skenën politike shqiptare nuk ka ndonjë analizë serioze për një segment të jetës, të cilin partitë politike do ta nxirrnin si ofertë të mirë për zgjedhësit. Në mungesë të ofertave serioze, s’do mend se partitë do të luajnë si zakonisht në letrën nacionale, duke bërë garë për t’u treguar më shumë shqiptar se tjetri.
Kjo fushatë do të jetë si dita e 5 korrikut- “very hot”. Do të jetë “hot”, për shkak se shumica prej partive që do të hynë në garë politike e kanë shijuar pushtetin. Shijimi i pushtetit ka barë që ata verbërisht e synojnë atë. Ai është shumë profitabil. Njëra palë do të tentojë ta ruaj, pala tjetër të fitojë, ndërsa pala e tretë do të luftojë të mbijetojë. E gjithë kjo nëse zhvillohet në bazë të rregullave normale politike është vetëm një festë politike, mirëpo në Maqedoni për gjithë këto vite, dita e zgjedhjeve gjithmonë është shndërruar në një ditë frike, tensioni dhe morti. “Hot-line” fushata do të jetë edhe më 5 korrik!.
Kjo fushatë dhe këto zgjedhje jo vetëm që do të jenë “hot”, por do të jenë edhe të egra. Ndërsa votuesit çfarë do të fitojnë nga këto zgjedhje? Si zakonisht nuk do të flasin për disa vite me anëtarët e tyre të familjes, me rrethin ku jetojnë dhe ditët do t’i gdhinë pa perspektivë!