POLLOZHANI: “UNË STABILIZOJ MAQEDONINË”

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Aziz Pollozhani, thotë se rrethi dhe prindërit në bashkëpunim me ministrinë mund të parandalojnë devijimet në arsim. Ai gjithashtu në këtë intervistë ka sqaruar se është vendosur paqja ndërmjet tij dhe sekretarit shtetëror. UEJL është shembull se si implementohet procesi i Bolonjës, ndërsa USHT-së janë duke ia zënë frymën sërish joprofesionalistët e administartës. Ministri thotë se është ai që stabilizon Maqedoninë, duke krijuart kushte për arsim të të gjithë popujve.

www.studentet.info: Z.ministër, cila është gjendja reale e arsimit në Maqedoni. Në cilin cikël ka probleme më të theksuara?

AZIZ POLLOZHANI: Arsimi në Maqedoni është në fazën e reformave në drejtim të përshtatjes së sistemit arsimor në përgjithësi, ndryshimeve të shumëpritura në të gjithë aspektet ekonomike dhe si e tillë është një fazë shumë dinamike dhe shumë delikate. Dinamike, sepse kjo imponon ndërmarrje të aktiviteteve në sistemin arsimor në të gjitha ciklet e saj. Delikate për shkak se çdo reformë, e cila nuk është në hap me kohën, mund të hakmerret në të ardhmen. Për këtë arsye ne edhe bëjmë reforma, por gjithmonë duke i përshtatur me kohën dhe me standarded evropiane. Arsimin e kemi vënë në shërbim të vlerave integruese dhe globalizuese të shoqërisë. Këto synime janë në përshtatje me zhvillimin mbarëkombëtar të shoqërisë në të gjitha aspektet, ekonomike, sociale dhe arsimore që imponohet tanimë në gjithë botën.

Kritikat shpesh ndihmojnë

www.studentet.info: Niveli i arsimtarëve dhe profesorëve duket se nuk është ai që e kërkon koha. Prindërit ankohen për joprofesionalizëm të arsimtarëve dhe se shumica e arsimtarëve kanë diploma të dyshimta. Si i shihni ju këto parregullsi?

AZIZ POLLOZHANI: Sistemi arsimor është i përbërë nga shumë faktorë dhe është mjaft delikat dhe veçanërisht është i ndjeshëm në këtë fushë që ju e përmendni. Edhe përkundër angazhimeve tona, sërish ka devijime të cilat fatkeqësisht, herë pas here, paraqiten në arsim. Kritikat shpesh ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes, pasi ato janë si rezultat i nevojave të brendshme që ndikohen nga më shumë faktorë, meqë shumica kanë për qëllim që arsimi të jetë në dinamikën e paraparë dhe që të arrihen standardet evropiane. Kritikat në media janë shumë të mirëseardhura, pasi unë si politikan nuk dua që të promovoj se çdo gjë është ideale, por ka edhe probleme të cialt së bashku mund t’i zgjidhim. Ka nevojë të madhe në përforcimin e aktiviteteve të arsimtarëve. Byroja e arsimit kryen këtë punë. Arsimi definohet si përgjegjësi publike. Në radhë të parë është vlera universale. Për këtë shkak, arsmitarët, këshillat e shkollave, nxënësit, prindërit, Byroja për zhvillimin e arsmit, shoqëria civile dhe rrethi ku gjenden nxënësit duhet së bashku t’i parandalojnë dhe t’i zhdukim këto dukuri. Vetëm në këtë formë do të mund të analizojmë mirë punën e arsimtarit.

www.studentet.info: Konkretisht, si do të avancohet arsimi dhe si do të parandalohen këto dukuri?

AZIZ POLLOZHANI: Arsimi kërkon që t’i qasemi në shumë drejtime. Projekti për modernizimin e arsimit do të ndihmojë që sa më shpejt të ndryshohen planprogramet arsimore. Nuk mund të bëjë çudi me nxënësit vetëm arsimtari. Prindërit janë një faktor shumë dominues, pasi ata kalojnë një pjesë shumë të madhe të kohës me prindërit. Pastaj, një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe faktori medial, biblioteka dhe institucionet tjera që ndihmojnë në pasurimin e nxënësve me njohuri të tjera. Universitetet janë një faktor tjetër shumë i rëndësishëm, i cili duhet të bëjë reforma në arsimm edhe pse në të shumtën e rasteve universitetet janë struktura konservative, të cilat jo gjithmonë mund të bëjnë reforma, ose i bëjnë ngadalë. Pastaj duhet të merret parasysh edhe gjendja sociale e arsimtarëve dhe punëtorëve të arsimit. Kështu që të gjitha këto do të duhet të merren parasysh për të mos e hedhur poshtë gjithë këtë punë të të gjithëve që janë inkuadruar në arsim. Në përgjithësi, arsimi po e jep provimin e tij edhe pse nuk është ideale, pasi në këtë shoqëri ai tenton ta thyejë këtë rreth të vobekësisë, pasi shoqëria e ardhshme planifikohet të jetë më e begatë dhe kjo begati pritet të vijë nëpërmjet dijes, kurse dijen e sjell arsimi.

www.studentet.info: Politizimi i arsimit?

AZIZ POLLOZHANI: Gjëja e parë për të qenë i suksesshëm arsimi është depolitizimi i tij. Tani në ligj ekziston neni i cili në njëfarë mënyre krijon një ambient të volitshëm në punën e arsmitarit. Kjo konkretizohet me disa nene tjera, pasi ne kemi vlerësuar se depolitizimi i arsimit është një ndër prioritetet e shkallës së parë. Fatkeqësisht ky aspekt nuk ka gjetur mirëkuptim në shoqëri. Pse? Sepse politizimi tjemase i arsimit, pengon realizmin ose qasjen objektive të kësaj dukurie. Në ligjin e ri unë u mundova të fus sa më tepër nene që do të ndalonin politizimin e arsimit, duke i përforcuar këshillat e shkollave ku marrin pjesë edhe arsimtarët, prindërit, nxënësit, ku më së shumti reflektohet përgjegjesi publike. Nuk kam iluzion se gjërat janë bërë ideale, mirëpo unë dhashë bazën që të avancohet ky proces në depolitizimin e arsimit, mbi të cilën do të mund të krijohet një politikë më reale dhe në funksion të realizimit të përgjegjësisë publike.

Disa arsimtarë sillen si pubertetlinj

www.studentet.info: Para disa ditësh ju personalisht keni kërkuar të suspendohet një profesor për shkak të keqpërdorimit të vendit të punës, që do të thotë se dukuritë devijuese janë në kulmin e tyre në arsim. Çfarë ndërmerr ministria më tepër se suspendim rreth këtyre devijimeve?

AZIZ POLLOZHANI: Dukritë devijuese në arsim janë dukuri që paraqiten në të gjitha shoqëritë dhe pse jo edhe në shoqërinë tonë. Këto paraqiten nga shumë arsye. Njëra ndër më dominueset është edhe faza e ndryshimeve të fëmijës deri në moshën madhore. Të gjithë fazat e rritjes fëmijës i kalojnë në shkollë dhe sjellin ndonjë devijim të mundshëm, si puberteti dhe faza të tjera ku ndikojnë edhe faktorë të tjerë.

www.studentet.info: Arsimtarët nuk janë në fazën e pubertetit?

AZIZ POLLOZHANI: Sigurisht, arsimtarët duhet të kontribuojnë në zhvillimin e fëmijës në faza të ndryshme dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një karakteri të vërtetë dhe të një morali pozitiv, duke ndërtuar vlera edhe në bazë të vlera tona kombëtare. Jo të ndodh e kundërta, si thatë edhe ju, që disa arsimitarë të sillen si pubertetlinj dhe të bien pre e emocioneve të sëmura psikike dhe budallallëqeve shizofrenike. Unë për këtë punë marr masa konkrete për persona konkretë. U bëj thirrje prindërve, arsimtarëve, nxënësve që të denoncojnë të gjithë ata që mund të keqpërdorin profesionin e shenjtë në gjënë më të shenjtë - fëmijën. Masat ligjore do të jenë maksimalisht në dispozicion, pasi unë si ministër nuk do të lejoj që të përdhosen vlerat tona morale, kombëtare dhe fetare. Karakteri i arsimtarit, fatkeqësisht, nuk mund të zbulohet me anë të konkursit. Për këtë kërkojmë që rrethi të na ndihmojë në zbulimin e këtyre maniakëve.

www.studentet.info: Procesi i Bolonjës është një domosdoshmëri e transformimit të arsimit. Realisht, Maqedonia a ka kushte për këtë proces?

AZIZ POLLOZHANI: Procesi i Bolonjës është dokument ku vullnetarisht janë marrë vesh ministrat e Arsimit që ta ndërtojnë një rrugë të përbashkët dhe ta zhvillojnë atë rrugë. Pra, arsimin e lartë ta vënë në funksion të zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë. Globalizmi në përgjithësi imponon transformim sa më të shpejtë për të kapur hapin e kohës së zhvillimit teknologjik. Dija dhe shkenca duhet të koncentrohet në gjeneratat e reja që këto gjenerata të shfrytëzohen në zhvillimin ekonomik dhe social të shoqërive. Universiteti i Evropës Juglindore ka bërë hapin më të madh në këtë drejtim. Universitetet tjera duhet të marrin shembull nga ky universitet në implementimin e mirë të procesit të Bolonjës. Maqedonia në përgjithësi ka kapacitet të realizojë këtë proces. Në një garë të implementimit të këtij procesi, Maqedonia është vlerësuar se gjendet diku në mes të të gjitha vendeve që e praktikojnë këtë proces.

www.studentet.info: A po stabilizohet gjendja në USHT?

AZIZ POLLOZHANI: Prioritet imi si ministër është stabilizimi i USHT-së dhe krijimi i kushteve akadamike. Shumë punë të mira janë bërë, por ka edhe mangësi. Këto mangësi i vëren në administratën e USHT-së. Këto vërejtje i ka bërë edhe bashkësia ndërkombëtare që janë qëllimmira. USHT-ja çalon në kontekst të menaxhimit. Patjetër duhet të punohet më shumë, pasi ajo çfarë është bërë deri tani dhe ajo që ka mbetur për t’u bërë është shumë pak. Në rend të parë, komptentët e këtij universiteti duhet të punojnë më shumë për shkak të studentëve, profesorëve. Mungesa e kapaciteteve në këtë fushë është një prioritet tjetër i ministrisë, pasi pa menaxhim të mirë nuk mund të kesh edhe cilësi të mirë.

www.studentet.info: Problemi i objekteve të shkollave të mesme në Tetovë, Shkup e qytete tjera po shkon nga zgjidhja, mirëpo ende ka mungesa të mëdha të hapësirës për mësim normal?

AZIZ POLLOZHANI: Një nga aktivitetet tona është sigurimi i kushteve për mbarëvajtjen e mësimit, duke rinovuar dhe duke ndërtuar shkolla aty ku ka nevojë. Me adaptimin e politikave të reja plotësuese do të aktivizohemi më shumë në krijimin e kushteve sa më të mira. Nevoja më e madhe është në Tetovë dhe Shkup, por nuk do të thotë se në qytetet tjera kushtet janë më të mira. Unë i orientoj mjetet aty ku ka nevojë më shumë dhe asnjëherë ashtu si thonë disa media se mjetet shkojnë vetëm në një rajon të Maqedonisë.

Maqedonisë i ndihmoj të jetë stabile

www.studentet.info: Zëvendësi juaj dhe sekretari shtetëror në ministrinë që udhëheqni dolën kundër jush. Cili është problemi?

AZIZ POLLOZHANI: Zëvendësi nuk ka pasur ndonjë pakënaqësi. Sekretari është nisur nga emocionet momentale. Ato probleme që ai i ka vlerësuar se janë shumë të mëdha, pas bisedës me mua, pa se këto probleme nuk janë të pazgjidhura, sepse problemet që i ka ngritur ai, janë edhe prioritet imi dhe i qeverisë, ndërsa tani puna vazhdon si më parë. Disa media tentuan që këto mosmarrëveshje t’i ngrenë në një rrafsh tjetër me qëllime të caktuara.

www.studentet.info: Decentralizimi i arsmit?

AZIZ POLLOZHANI: Komunat do të menaxhojnë bllok-dotacionet, mirëpo kompetencat që i ka pasur ministri do t’i marrë Këshilli i arsimtarëve dhe i prindërve. Mirëpo, edhe komunat kanë shumë përgjegjësi në menaxhimin e financave. Buxheti për arsim është dëmtuar shumë në funksion të përshtatjes së kornizës buxhetore për shkak të kërkesave të FMN-së. Duhet patjetër të ndryshojë kjo politikë që dëmton arsimin. Këto mjete duhet të plotësohen, pasi prej 1 shtatorit përgjegjësia u kalon komunave.

www.studentet.info: Gjatë këtyre viteve sa jeni ministër i Arsimit, keni kaluar një periudhë me shumë protesta, me shumë ndryshime, me shumë debate rreth jush dhe ministrisë. Mirëpo, ju nuk u dorëzuat. A do të thotë kjo se jeni këmbëngulës, pavarësisht rrethanave, që t’i shpieni deri në fund proceset e nevojshme.

AZIZ POLLOZHANI: Pakënaqësitë e krijuara te qytetarët e Maqedonisë kanë qenë të krijuara në fushën e arsmit. Për të parandaluar vazhdimin e këtyre problemeve nga të gjthë ishte e qartë se në këtë fushë duhet të punohet shumë. BDI-ja duke qenë e vetëdijshme për këtë problem, synoi Ministrinë e Arsimit dhe më zgjodhi mua si ministër. Jam munduar t’i zgjidh problemet që janë paguar shtrenjtë nga vetë qytetarët e Maqedonisë. Me punën time jam duke i ndihmuar Maqedonisë që të jetë stabile, duke krijuar kushte për shqiptarët të cilët në fushën e arsimit ishin më të diskriminuar. Frustaracionet e deputetëve maqedonas ndonjëherë ndihmojnë në zhvillimin e demokracisë dhe në rastin konkret, gjatë miratimit të Ligjit për USHT-në, këto frustracione u treguan në Parlament.

Intervistoi: Halit AJDINI