Mungesa e energjisë elektrike prej vitesh ka qenë problem në këtë zonë. Demokratët: Fushatë e pandershme
Në zonën nr.36, aty ku kandidon drejtori i KESH-it, Andis Harasani, bum investimesh
Nuriu është lodhur aq shumë këto ditë sa që qumështi i nënës i ka ardhur në majë të hundës. Që me nisjen e fushatës elektorale, Nuri H. ka matur me krah çdo rrugicë të zonës elektorale nr. 36, aty ku kandidon për deputet drejtori i KESH-it Andis Harasani. Nuriu thotë se prej disa ditësh ka nisur fushata e elektrifikimit të kësaj zone, që përfshin lagjet ndërmjet rrugës “5 Maj” shkollës “Bajram Curri” dhe zonën e Kinostudios, në kryeqytet Ndihmëselektricisti të thotë se po vendosen shtylla të reja elektrike, ndërsa do të bëhet rehabilitimi i lidhjeve të parregullta elektrike për gjithë zonën, e populluar, pas viteve ‘90. Tashmë janë vendosur gabina të reja dhe po punohet me ritme të shpejta për vendosjen e shtyllave elektrike. “Dy tre ditë punë kemi dhe e gjithë zona nuk do të vuajë më për drita. “Gabinat elektrike janë sjellë dhe sa të vendosim shtyllat do të bëhen lidhet e reja. Të paktën kështu na kanë urdhëruar”,- thotë ndihmëselektricisti. Nuriu nuk di se kush është firma drejtuese që po realizon me shpejtësinë e dritës elektrifikimin e një prej zonave më problematike në kryeqytet. “Pronar i firmës është një i madh, ndërsa ai që merret me ne quhet Asllan Qefalia”,- rrëfen Nuriu. Por megjithëse e paguajnë mirë, Nuriu thotë se ka probleme me telin e bakrit. Sipas tij, vidhet nga vendasit. Por kjo nuk e ka ndaluar ritmin e punës për elektrifikimin e zonës. Zona elektorale nr. 36, e cila ndodhet përballë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e ka patur me pikatore rrezen e dritës, prej vitesh. Punimet që po kryhen priten mirë nga banorët, të cilët duke parë ritmet e punës të kujtojnë atë shprehjen e vjetër “nëse do qeveria edhe lepurin e kap me qerre”. Për ta pak rëndësi ka se punimet po kryhen në fushatë zgjedhjesh. “Më në fund ne do të kemi drita dhe se ai i KESH-it ka premtuar se do të bëjë lidhje të rregullta. Shyqyr se kështu siç janë gati sa nuk po merrnim flakë si lagje ”,- thotë Fran Murri.
Në tokën e Harasanit
Sapo hyn në rrugën “Sebaudin Zorba”, një nga rrugicat kryesore të zonës elektorale nr.36, flamujt e shumtë të Partisë Socialiste dhe fotot e Harasanit të lënë të kuptosh se e gjithë zona është në festë. Ndërsa disa djem të rinj rreken të shqyejnë fotot e kandidatit demokrat, Shaban Memia, për t´i zëvendësuar ato me të drejtorit të KESH-it. “Janë çunat e Harasanit të cilët natë e ditë punojnë për të”,- të thotë një banor i lagjes. Pothuajse kjo panoramë mbizotëron në të gjitha rrugicat hyrëse të kësaj zone elektorale. Nëpër lokale të mira të zonës janë vendosur shtabet elektorale të kandidatit socialist. Dhe e gjithë beteja elektorale nis e përfundon me gotat e rakisë, që sigurisht faturat, sipas të djathtëve, paguhen nga të tjerët. Në këtë zonë të thonë se votuesve iu është paguar fatura aforfe e energisë elektrike. Po ashtu dhe listat e ushqimeve nëpër dyqane. “Di që janë bërë pagesa të tilla. Madje nëpër lokale janë dhuruar dhe televizorë me ngjyra dhe dixhitalb, por këtë e bëjnë me njerëz të sigurt që iu japin votën dhe që nuk flasin. Askush nuk është i interesuar të thotë se u janë paguar dritat apo dhe listat e gjata të ushqimeve. Por këtu flasin të gjithë për një gjë të tillë. Ja dhe dritat përse po i rregullojnë”,- thotë Besnik Ahmetaj. Sipas Besnikut, punimet po bëhen shkel e shko. “Po bëhen tamam si në aksion dhe as beton nuk iu kanë hedhur shtyllave. “Po bëhen punime sa për sy e faqe”,- ndërhyn në bisedë Pali. Ndërsa për Fran Murrin dihet se kush do të jetë fitues i kësaj zone. “Nuk do të ketë aspak rëndësi se për kë do të votoj unë apo dhe të tjerët. Fitues do të dalë Andi. Është copë e madhe ai. Edhe po nuk fitoi me vota prapë ai do të dalë fitues. E di mirë unë se si po bëhen këto zgjedhje. Shumica e çunave me lekë mbështesin Harasanin, ndërsa këta, (dhe bën me dorë nga kandidatët e djathtë) kanë me vete fukarenjtë. Kush do t´ia dijë për ta ”,- thotë kuksiani.
Fushata, e pandershme
Besnik Ahmetaj udhëheq shtabin elektoral të së djathtës, në qendrën e votimin nr.1802. Ndyshe nga qendra simotra e kandidatit socialist, që është ngritur në në lokal dykatësh të kësaj zone, Besniku udhëheq grupin e tij të punës në një shtëpi në ndërtim e sipër. Në dhomën e pashtruar dhe të pasuvatuar, ka vënë ca karrige dhe një tavolinë të vjetër. “Këtu punojmë dhe presim njerëzit. Nuk iu ofrojmë para dhe nuk i qerasim. Bëjmë fushatë vetëm me bindje. Madje dhe posterat i kemi vënë nëpër shtëpi, aty ku nuk guxon t’i prekë Harasani. Se në rrugë nuk lënë asnjë poster të kandidatëve të djathtë”,- thotë Besniku. Sipas tij, fushata që po bëjnë socialistët jo vetëm që është e pandershme, por dhe vetë strukturat e shtetit janë vënë në dispozicion të drejtorit të KESH-it. Pali tregon se makinat e kësaj drejtorie heqin posterat si dhe njerëzit e tij po kopromentojnë zgjedhësit, duke iu ofruar shlyerjen e listave të gjata të ushqimeve. “Të mos flasim këtu për investimet që po bëhen pikërisht në këtë kohë. Madje dhe dritat nuk i kanë prerë më. Këtu gjithë ditën nuk ka patur ndonjëherë energji elektrike, ndërsa tani nuk na ndërpriten më”,- rrëfen Ahmetaj. Në njësinë elektorale nr. 4 nuk duhet shumë mund për të kuptuar se beteja elektorale është ndarë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Në njërin kamp janë njerëz të veshur keq, pa makina dhe të gjitha punët i bëjnë në këmbë apo pa shpenzuar shumë. Ndërsa në kampin tjetër makina luksoze dhe djem të veshur bukur, të cilët drejtojnë nga kafenetë fushatën elektorale të drejtorit të KESH-it, Andis Harasani. Megjithatë beteja është ende në nisje. Ajo që është e dukshme deri më tani janë punonjësit e elektrikut që mbajnë në krah kabuj elektrikë dhe banderola të mëdha të deputetit socialist.
Mashtrim me legalizimet
Pothuajse në të gjitha shtëpitë e njësisë së votimit nr.1802 janë shpërndarë formularë legalizimesh. Kjo zonë, e populluar kryesisht pas vitit 1997, përfshihet në hartën e banesave të palegalizuara. Duket se edhe ky fakt është kthyer në një mundësi më tepër për kandidatin e PS-së, Andis Harasani. Sipas banorëve, gjatë këtyre ditëve, në çdo shtëpi janë shpërndarë formularë të legalizimeve të banesave nga kryeplaku Pal Përvata. Madje ai iu ka bërë me dije se vetëm me këtë copë letër ka përfunduar procesi i legalizimit të shtëpisë. “Kjo që po bën kryeplaku jo vetëm është e paligjshme, por dhe po mashtron banorët e zonës me një proces që është tejet jetik për ta. Shumica e këtyre banorëve kanë ardhur në vitet e demokracisë dhe si gjithë të tjerët, kanë zënë nga një copë tokë. Ndërsa tani shkon kryeplaku derë më derë, u jep një copë letër the u thotë se shtëpitë janë të legalizuara”,- thotë Besnik Ahmetaj. Sipas tij, në këtë zonë po luhet dhe me listat zgedhore. “Me përgjegjësi të plotë them se në njësinë vendore nr1802 janë të paregjistruar në listat zgjedhore mbi 70 vetë. Dhe kur ne shkojmë në bazë të ligjit për të bërë përfshirjen e tyre në listat paraprake, nuk pranohemi që të ndjekim procedurat ligjore. Dhe këta janë votues të djathtë”,-thotë kreu i shtabit elektoral të së djathtës. Po sipas Ahmetajt, në familjet e njohura si socialistë janë shpërndarë nga pushteti lokal fletushka ku jo vetëm i vënë në dijeni zgjedhësit se janë përfshirë në listat paraprake, por u bëjnë të ditur dhe numrin rendor të listës. Besniku thotë se një fletushkë e tillë nuk është ndarë tek simpatizantët e djathtë.
Marre nga "Shekulli"
Krijoni Kontakt