FASHIZMI SI MODEL AKTUAL PËR FUTJEN NË DORË TË SHTETIT

KËMISHA E ZEZË NËN KËMISHËN E KUQE


Dr. Aurel Plasari

Përse, vallë, gjatë periudhës së diktaturës komuniste nuk na e mësonin në shkolla historinë e fashizmit? Termi fashizëm ishte ndër më të nxirët prej agjit-propit komunist; fashistët renditeshin ndër armiqtë më të egër të regjimit në të cilin ne jetonim; antifashizmin dhe lëvizjen antifashiste na e idealizonin dhe himnizonin; megjithëkëtë, historinë e fashizmit në shkolla nuk na e mësonin. Vetëm mbas ngjarjeve të viteve të vitit ‘90, - për Shqipërinë, - kur konkurimi politik për marrjen dhe, përkatësisht, mbajtjen e pushtetit u bë një realitet faktesh tanimë i dukshëm, u mundësua të konstatohet se ai që quhet fashizëm nuk qenkësh vetëm një “rrymë politike dhe sociale e së majtës ekstreme, që përfaqëson diktaturën terroriste të elementeve të kapitalit financiar” etj. etj., por edhe një varg teknikash për marrjen e pushtetit me mjete jolegale, të cilat vijnë duke u legalizuar po me të njëjtat teknika, dhe vijojnë të përdoren mandej edhe për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit të marrë kësisoji. Ç’duket më interesantja: qenkësh fjala për teknika që përbëjnë një model i cili nuk i përket as vetëm të djathtës, as vetëm së majtës, specifikë që nuk mund mos të kujtojë formulën e Mussolinit, që nuk ishte vetëm një batutë: “Nën këmishën e zezë unë mbaj këmishën e kuqe”.
Në historinë moderne politike të shtetit shqiptar mund të regjistrohen një sërë recidivash kërshërore prej modelit fashist italian, d.m.th. të shtetit që pati qenë më pranë Shqipërisë, më shumë mendërisht se gjeografikisht, si dhe njëherësh shteti i parë fashist i Europës. Një rast i tillë është i ashtuquajturi “Revolucion demokratiko-borgjez i qershorit 1924”. I studiuar historikisht, madje me të tepërt, si i lidhur mbas modelit bolshevik, me një kryeministër – Fan. S. Noli – të cilësuar prej kundërshtarëve të tij si “peshkopi i kuq”, mbas një shqyrtimi të vëmendshëm politologjik ky “revolucion demokratiko-borgjez i qershorit 1924” nuk do të rezultonte as revolucion, as demokratik dhe as borgjez. Vetëm muaji i qershorit ‘24 mund të quhet i saktë në emërtimin e tij të stërgjatë. Vetë Noli, njëri ndër udhëheqësit e lëvizjes së 24-s, si dhe krye i qeverisë që prej saj doli, në një intervistë dhënë si kryeministër gazetës greke Eleftheron Vima (17 tetor 1924), pyetjes se çfarë ishte ajo që sapo kishte ndodhur në Shqipëri, i përgjigjej drejtazi: “Ishte më shumë një coup d’état [grusht shteti, A. P.] politik, bashkë me një pronunciamento...”. Nga njëra anë, duket shpjegim që i bën nder peshkopit savant, i cili mes fakulteteve të tjera, në SHBA ku kishte jetuar, kishte kryer edhe studimet për shkenca politike në universitetin e Harwardit; porse, nga ana tjetër, kjo nuk e pengonte që, para popullit, lëvizjen e tij ta paraqiste si “revolucion”, sikurse e thirri atë deri në “Proklamatën e Kryeministrit”, të dhjetorit 1924, kur shtrëngohej ta braktiste pushtetin dhe të ikte prej Shqipërie.
Tanimë, me mundësinë e shqyrtimit të lëvizjes së 24-s drejtpërsëdrejti mbi burimet dokumentare, i ashtuquajturi model bolshevik, të cilit ia kanë brendashkruar këtë lëvizje, vjen e skajohet, ndërsa lidhjet e saj me modelin fashist bëhen gjithnjë më të lexueshme. Jo rastësisht lëvizja formësohej në maj-qershor të 24-s, d.m.th. fill mbas zgjedhjeve fashiste të prillit 1924 në Itali, ku kishte fituar “lista qeveritare”, i ashtuquajturi “listone”. Një ndërthurje e modelit bonapartist me atë origjinal mussolinian në organizmin e grushtit të shtetit nëpërmjet përdhunimit të parlamentit, dhe përkatësisht parlamentarizmit, dhe njëherësh rrekjeve për ta legalizuar atë po nëpërmjet një “parlamenti”, mund të lexohet tanimë në rragatjet në trajtë debatesh, të marra me stenografi prej S. Mazrrekut, të pjesës së anëtarëve të parlamentit shqiptar që patën braktisur Tiranën dhe qenë “strehuar” në Vlorë. (Vetë modeli i shkartisur bonapartist-mussolinian merr aty ngjyra origjinale “kombëtare” kur një pjesë e deputetëve të gjysmëparlamentit të Vlorës ngulmon ta lënë hëpërhë “revolucionin” dhe të largohen për në shtëpi “për me festue bajramin”.) Mes letërkëmbimit, mbajtur deri më sot secret, të organizatorëve të “revolucionit” në Vlorë me funksionarët e lartë të regjimit fashist në Itali, spikat një nga mesazhet e qershorit në të cilin Noli shkruante në italishte të pastër: “Non ci resta altro che pigliare le armi e marciare su Tirana, seguendo l’esempio classico del vostro illustre Duce” (“Nuk na mbetet tjetër veçse të rrokim armët dhe të marshojmë mbi Tiranë, duke ndjekur shembullin klasik të Duce-s suaj të përndritur”) (DDI, serie 1923-1935, III, nr. 222).
T’i vështrosh të ballafaquara të dyja lëvizjet, italiane dhe shqiptare, përfshirja në modelin fashist italian së paku e një pjese të elementeve të “revolucionarëve shqiptarë” të 24-s rezulton jashtë dyshimi: komportimi i “bashkimxhinjve” (anëtarë të organizatës “Bashkimi”), me rol dore së parë në lëvizjen e të 24-s, befason me imitimin e sjelljes së këmishave të zeza në Italinë e viteve 22-24; deri edhe praktikat rrugaçërore, si ajo e diskreditimit të “armiqve” duke u dhënë të pinë me përdhunë vaj recini, nuk janë veçse majmunëri të metodave të këmishëzinjve. Më shumë se kaq: shndërrimi i këtyre forcave “të lira” apo “vullnetare”, tanimë njerëz të armatosur që zinin stacionet apo kontrollonin rrugëkalimet pa qenë as karabinierë, as ushtarë, as policë, por thjesht “bashkimxhinj”, shndërrimi i këtyre forcave pra në një trupë të posaçme për “ruajtjen e rendit” nga qeveria e dalë prej “Revolucionit” nuk përbën veçse ndjekjen e modelit mussolinian: krijimin e “milicisë fashiste” si veshje legale për grupet e shthurura të quajtura “squadre d’azione” më 1923-shin. Në praktikë regjimi i vendosur në 24-n ta përkujton regjimin autoritar “transformistik-personal” me një pjesë të spikatur të tipareve të tij. Athua se i verbuar brenda një modeli të tillë, kreu i “qeverisë revolucionare” nuk ngurronte t’i mburrej gazetës Vreme të Beogradit: “Tani për tani, ne qeverisim pa parlament, dhe më mirë...” (13 shtator 1924). Duket e pabesueshme të ketë dalë nga goja e Fan S. Nolit. Mirëpo deri edhe para Lidhjes së Kombeve, e cila i përmendte kryeministrit shqiptar domosdonë e thirrjes së një parlamenti, Noli vijonte ta quante institucionin në fjalë “ajo plagë, ajo fatkeqësi e madhe, ajo bestytni e shëmtuar, që është parlamenti...” (10 shtator). Si për kulmin e kërshërisë, një ndër rezultatet e përdorimit të modelit fashist nga lëvizja e 24-s do të ishte edhe theksimi i ndarjes së vendit jug-veri: në Itali me një veri antifashist dhe jug profashist, ndërsa në Shqipëri me një “revolucion” që nisej drejt Tiranës nga jugu, ndërsa potencialet mbështetëse të ish-kryeministrit të detyruar të arratisej përqendroheshin në veri.
Për t’u pasur parasysh: vënia në dukje e përdorimit të “modelit fashist” nuk është baras me fashistizimin e lëvizjes dhe, përkatësisht, të qeverisjes së 24-s; ishte vetëm viti 1924, pra kur vetë “revolucioni fashist” ndodhej ende në fazën e tij të parë, gjatë të cilës edhe vetë Italia nuk mund të quhej ende e fashistizuar. Por përdorimi i modelit në fjalë është, pa dyshim, njëri nga shkaqet reale të dështimit të trishtuar të “sprovës 24”.

Ndryshe do të ishin punët me përdorimin e “modelit fashist” për futjen në dorë të shtetit nga ana e lëvizjes komuniste në vitet 1941-44. Që një pjesë jo e vogël e milituesve të lëvizjes komuniste të atyre viteve vinin nga vetë radhët e fashistëve shqiptarë, kjo tanimë po bëhet e njohur qartë; në këtë kuptim formula e Mussolinit mbetet me vlerë edhe në të anasjelltën e vet: të këmishës së zezë nën këmishën e kuqe. Posaçërisht në rastin e atij që mëtonte të ishte “udhëheqës” i Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri, madje i së quajturës “Luftë Nacionalçlirimtare”, ky ndërrimkëmishe rezulton flagrant. Se ç’shije ideologjike (për “formim ideologjik” nuk mund të flitet) kishte në ato vite z. Hoxha, personazh i tipologjisë së shkartisur gjysmë dandy e gjysmë misfit, mund të deduktohet prej një numri kujtimesh të bashkëkohësve të tij, të cilat tanimë është bërë e mundshme të botohen; mes tyre ato të z. Beqir Ajazi (“Kalorës në Urdhrin e Meritës”), në librin e tij Nga Shkaba dykrenore te Drapëri me çekan (1999), po i përmend kalimthi si një shembull të vyer. Ndërsa mekanizmi i agjit-propit na kishte ngulitur gjatë viteve shkollore stereotipin me “shkrimet komuniste” të Hoxhës në të ri, në gazeta si Humanité etj., kur erdhi moti që ato të verifikoheshin në shtypin e kohës përfundimi ishte: një hiç. I vetmi shkrim i diktatorit të ardhshëm rezulton një recension mediokër në një revistë vendëse me emrin Minerva, gjithsesi i fshehur xhelozisht, në të cilin Hoxha nga Brukseli shfynte simpatitë e tij të thekura për dikatorë si Mussolini, Hitleri, Stalini, Ataturku. Kaq. Por edhe më gjerë se vetë Hoxha, në nivelin e përgjithshëm të lëvizjes antifashiste, kompozita nuk mund të mos paraqitej si një imitim: nëse në lëvizjen fashiste qenë përzier sa idealistë, aq dhe aventurierë, sa “djem mamaje”, aq dhe të nxjerrë përanash shoqërie, e ngjashme do të vinte duke u përftuar edhe kompozita e lëvizjes kundërshtare të saj.
Gjatë së quajturës “Luftë Nacionalçlirimtare” komunistët vetë do të binin në kurthin e përdorimit të teknikave të fashizmit për marrjen e pushtetit. Përbën kjo një nga situatat më paradoksale, në dukje, të lëvizjes komuniste: ata që kishin marrë përsipër një pjesë të mirë të luftës antifashiste nuk i bënë dot ballë tundimit të imitimit të teknikave të kundërshtarit. Ja një djalosh familjeje të mirë, bir i një profesionisti të mirë, i paracaktuar për të ndjekur gjurmët e t’et, ecën një ditë nëpër rrugët e Torinos. Ndeshet në një grup punëtorësh. “Levati il colletto!” i gërthasin ata, duke e vështruar me pamje aspak miqësore. Prej atij çasti djaloshi, që deri atëherë kishte ndjekur thuajse me shpërfillje zhvillimin e ngjarjeve politike, bëhet fashist i thekur. Sado të ngjajë anekdotik, episodi është i vërtetë: e jep njëri prej historianëve të fashizmit italian. Problemi është se episode të tilla janë thuajse familjare për ne prej letërsisë së realizmit socialist: në mënyrë të ngjashme magjepseshin edhe të rinjtë shqiptarë “asnjanës” prej “guerrilasve” me nagant në brez. Nga ana tjetër, qysh në atë ndërkohë, të “Luftës Nacionalçlirimtare”, goditja dhe asgjësimi i komunistëve disidentë nuk ndryshonte si teknikë prej goditjes dhe heqjes qafe të fashistëve disidentë të tipit Cesare Forni apo Alfredo Misuri. Sa u përket “kundërshtarëve”, kush njeh sadopak epistolarin partiako-ushtarak të Mussolinit mund ta vërë re menjëherë ngjashmërinë e porosive të tij për shpartallimin e kundërshtarëve politikë me direktivat e lëshuara prej Hoxhës për “shpartallimin” e Ballit Kombëtar etj., si ajo e 9 shtatorit 1943: “Ne duhet të punojmë në drejtimin që vijon: Me anën e një demaskimi të zgjuar dhe pune të palodhur, të diskreditojmë Ballin në popull, të shkaktojmë divergjenca në radhët e Ballit dhe ta godasim me zgjuarsi. Të paraqesim në popull Ballin si përçarës dhe shkaktar të vëllavrasjeve. Të përgatitet populli në përpjekje me armë, të agjitojmë që populli të revoltohet për këtë gjë dhe përgjegjësia t’i mbetet Ballit Kombëtar” etj. Ja edhe një motiv i mjaftueshëm që, gjatë periudhës së diktaturës komuniste, të mos na e mësonin në shkolla historinë e fashizmit: leximi edhe i “burimeve” të palës tjetër do të na çonte vetiu drejt zbulimit të simetrive.

Në hyrjen e “pushtetit të ri” komunist në Tiranë në nëntor të 44-s, me një qeveri të formuar në një tjetër qytet – jugor – vetëm pak javë më parë, mund të ketë gjithashtu ndonjë recidivë të vetën edhe “marshimi” i Mussolinit drejt Romës. Por, më shumë se kjo recidivë, sa u përket teknikave për marrjen e pushtetit me mjete jolegale imitimi i modelit fashist bie në sy në atë fazë të parë duke filluar prej zbatimit e parimit dyfish: të butësisë hipokrite dhe forcës së zhveshur ndaj atyreve që tanimë nuk do të qeverisen, por do të sundohen. Skemë tipike mussoliniane e fazës së parë të revolucionit fashist, të viteve 22-24, mund të quhet ajo e përdorur nga regjimi i sapovendosur: mjeshtëria për të joshur ndaj vetes intelektualë “asnjanës” në të njëjtën kohë kur në bodrumin e një hoteli të quajtur “Bristol” masakrohen një grup intelektualësh po aq “asnjanës”, arrestuar brenda natës simbas një liste të hartuar qysh para hyrjes në kryeqytet të “Qeverisë Demokratike”. Për cilindo specialist të politolologjisë është i lehtë leximi i një “banje gjaku” të tillë. Deklaratat kërcënueese kundër opozitës qysh vitin e parë të ardhjes në pushtet të asaj që, për nga emërtimi, quhej gjithnjë “Qeveria Demokratike e Shqipërisë”, mbyllja përdhunshëm e një vargu organesh të shtypit dhe suprimimi i lirisë së shtypit qysh në 45-46-n, instituimi i një “gjyqi special” dhe asgjësimi i opozitës në parlament së toku me suprimimin e forcave të tjera politike do të qenë akte të mirëfillta brendashkruar modelit fashist të teknikave të marrjes së pushtetit. Me to do t’u jepej fund në Shqipëri edhe mbetjeve të mbrame të luftës së lirë politike, sikurse kishin marrë fund ato në Italinë e 1926-s me instituimin e të quajturit “tribunale speciale” mbas “Fjalës së 3 Janarit” të Duce-s, me ekspulzimin e deputetëve antifashistë nga Dhoma, me dhunimin e lirisë së shtypit italian etj. Mjetet mandej do të vinin duke u mëveshur me “legalizim” nëpërmjet një parlamenti/asambleje të mbledhur në mënyrë më se të dyshimtë nga ana legale dhe nën kërcënimin e terrorit. Riformimi me të shpejtë prej regjimit të ri i kodeve civil dhe penal do të ndiqte po modelin e krijimit të të quajturave “le leggi fascistissime”: në Shqipëri mund të quheshin paskëtaj “le leggi comunistissime”.
Kështu do të zinte fill në Shqipëri komunistizimi i shtetit, që do të kishte për model gjithnjë atë më të afërtin, gjeografikisht por sidomos mendërisht: modelin fashist italian. Këmishat e zeza të fshehura nën këmishat tanimë të kuqe nuk do të qenë vetëm çështje alegorie. Fashistizimi i administratës shtetërore nëpërmjet spastrimit të saj prej funksionarëve e nëpunësve jo vetëm antifashistë, por edhe thjesht jofashistë, ngushtimi dhe mandej suprimimi i autonomive lokale, ngritja e ekzagjeruar e figurës së kreut të “Këshillit të Ministrave” mbi të gjithë anëtarët e tjerë të “Këshillit”, dhënia e një një roli kyç “ministrisë së brendshme” të drejtuar madje nga vetë Mussolini (deri mbas “krimit Matteotti”), sikurse kishte drejtuar për një copë kohë edhe “ministrinë e jashtme” – thuajse të gjitha teknika të përvetësuara prej pushtetit të ri në Shqipëri për komunistizimin e shtetit që kishin futur në dorë. Deri edhe sajimi i “Bashkimeve Profesionale” më 1945-n, gjatë të quajturës “Konferencë Nacionale e Punëtorëve dhe Nëpunësve”, në fakt nën udhëheqjen e Partisë Komuniste ose, sikurse mburren vetë tekstet e historisë së PKSh, “në bazë të porosive dhe të kujdesit të drejtpërdrejtë të sh. Enver Hoxha”, bart mjaft elemente të fashistizimit të lëvizjes sindikale italiane, pavarësisht mungesës së skemës me “paktin e pallatit Verdoni”: prej vetë konceptit të “sindikatave integrale” deri te mohimi de facto i së drejtës së grevës. Të gjitha këto nën qeverisjen e asaj që quhej, e përsëris: “Qeveria Demokratike e Shqipërisë”. Është me vlerë nënvizimi i faktit të përvetësimit të kësaj tabele nga një pushtet si ai komunisti: “Qeveria Demokratike e Shqipërisë”. A nuk do të duhej t’u shërbente shqiptarëve si mësim historik: se jo çdo forcë a qeveri që përvetëson për veten një tabelë të tillë - “Qeveria Demokratike e Shqipërisë” – është vërtet “demokratike” dhe vërtet “e Shqipërisë”?
Kur sot ne mundemi të ballafaqojmë, për nga stili bombastik-demagogjik, fjalimet e Hoxhës, që i njihim, me ato të Mussolinit, një pjesë të të cilave i dëgjojmë e i shikojmë për së pari, - tanimë në Campo dei Fiori mund të blesh rëndom CD ose DVD me titull I Grandi Discorsi di Benito Mussolini: Credere, Obbedire, Combattere ecc., - simetria rezulton befasuese. T’u hedhësh mandej një sy ballafaques albumeve të propagandës fashiste për ndërtimin e shoqërisë “së lulëzuar” fashiste dhe atyreve komuniste për ndërtimin e shoqërisë gjithaq “të lulëzuar” socialiste, simetria nga befasuese bëhet neveritëse. Sado të ndryshme në dukje, parrullat “A chi Italia? A noi!” dhe “Pushteti buron nga populli dhe i takon popullit” shprehnin në thelb të njëjtin qëndrim mendor ndaj shtetit, futjes në dorë të tij me mjete jolegale dhe mbajtjes së tij me të njëjtat mjete të legalizuara me “parlamente” përftuar me rrugë të dyshimta. Dhe po sot, nëse bëjmë ballafaqim mes fitimtarësh dhe të mundurish, na shtohet vlerësimi për ata që menduan “ndryshe”, pavarësisht në qenë të “së majtës” apo të “së djathtës”, dhe nuk ua ndali mendjen e lirë as përdhumimi me burgje. Fundja: kush doli më i fituar, para historisë, një Mussolini apo një Antonio Gramsci, i dënuar me burgim prej Mussolinit vetëm për idetë e tij antifashiste dhe i vdekur mbas 11 vjetësh burgimi? (Që rezistenca e tij prej sardi kokëngjeshur ka diçka prej kokëngjeshjes shqiptare, si origjinë e stërgjyshërve të tij, nuk është nevoja ta hamendojmë: e pranon Gramsci vetë.) Prej të parit kanë mbetur do regjistrime karikaturore ulërimash histerike nga ballkoni i pallatit Venezia deri te pamjet makabre të ekzekutimit të tij rëndomqar, ndoshta sikurse e meritonte; prej të dytit bota e lirë ka tanimë trashëgim së paku dy monumente mijëra faqesh të mendimit të lirë: Letrat nga burgu dhe Fletoret e burgut, një korpus unikal mendimi politik dhe estetik që studiohet sot e gjithë ditën nga Franca në ShBA, nga Anglia në Japoni. Dhe kush doli fitimtar: një diktator i quajtur Hoxha apo një artist si Maks Velo, i dënuar me burgim prej Hoxhës vetëm për mendimet dhe shijet e tij të lira estetike? I pari përfundoi me shtatoret prej bronzi të hequra zvarrë rrugëve dhe të pshurrura; prej të dytit bota e qytetëruar po nxë tanimë prej vitesh një nga dëshmitë më autentike të rezistencës antikomuniste në art.
Mbas ngjarjeve të 1990-s, kur konkurimi politik për marrjen e pushtetit u bë edhe në Shqipëri një realitet faktesh, u vu re që politika shqiptare të mos ishte ende e çliruar nga “modeli i zi”: teknikat e modelit fashist për marrjen e pushtetit me mjete jolegale, apo për mbajtjen e tij me të njëjtat mjete, ende jepnin recidivat e veta mbi këtë politikë. Tundja para syve të shoqërisë shqiptare e cohës së kuqe të “rrezikut komunist” u bë një teknikë aq e rëndomtë, sa nuk mund mos të kujtonte të njëjtën politikë të shkathët të Mussolinit tek valaviste para borgjezisë italiane cohën gjithaq të kuqe të “rrezikut bolshevik”. Posaçërisht në ngjarjet e viteve 96-97, - që gabimisht quhen si vetëm të vitit ’97, - recidivat e modelit në fjalë u dukën përfaqe të realitetit në atë masë sa u desh ndërhyrja ndërkombëtare, përfshi edhe atë ushtarake, për ta nxjerrë politikën shqiptare nga modeli ku u pa të kishte hyrë. Madje nuk mund të mos thuhet që edhe ndërhyrja ndërkombëtare fillimisht nuk e pati të lehtë të veçonte mjetet legale nga ato jolegale, që shtinin në punë oreçast forcat poltike, në veçanti ato mjete do të vinin duke u legalizuar me të njëjtat teknika dhe do të dukeshin si “zgjidhje të pranueshme”. Nuk e pati të lehtë t’i veçonte këto mjete ngase e penguan idetë liberale? Apo paragjykimet demokratike? Ndoshta pak këto, pak ato. Ndër ekspertët e huaj të politikës që kam pasur rast të takoj në atë ndërkohë laboratorike, dikush nuk arrinte ta perceptonte nga afër “makinën kryengritëse”, ashtu si nuk dallonte se ku ndodhej “shteti”; një tjetri pritat nëpër rrugë, kërcënimet “me komitete” apo trotuarët e boshatisur dhe të shtënat “kot” në ajrí i ngjanin si komedi. Kur përpiqesha t’u kujtoja se, për të siguruar bartjen e trupave fashiste nga veriu drejt Lacios, fashistëve italianë u qe lypsur medoemos ruajtja e çelësit strategjik të Italisë qendrore, në pritje e sipër që bandat e këmishëzinjve, në marshim drejt kryeqytetit, ta detyronin qeverinë të lëshonte pushtetin në duart e Mussolinit, dhe se ndonjë “marshim” i mirëfilltë në Romë as që ishte realizuar, sikurse vijimisht ishte kërcënuar, më përgjigjeshin gjithë çiltërsi: “Nuk i kemi lexuar...”. Athua, vallë, as atyreve nuk ua kishin mësuar në shkolla historinë e fashizmit? Isha në realitetin faktik të 97-s apo në Grushtin e shtetit të Malapartes?
Idetë tona të sotme demokratike nuk kanë pse na bëhen pengesë për të dalluar shejnitë e përdorimit dhe ripërdorimit të teknikave për marrjen e pushtetit me mjete jolegale, apo për mbajtjen e tij me të njëjtat mjete, pavarësisht nëse këto shejni diktohen te “të majtat” apo te “të djathtat”. Si u rreckos nga valavitja me të tepërt coha e kuqe e “rrezikut komunist”, duhet të presim sa të bëhet zhele edhe coha ngjyrë kaki e “antikorrupsionit” e tundur nga grupe së paku të dyshimta në fushën e kapitaleve dhe të marrëdhënieve bankare? Përpos studimit të fashizmit si “rrymë politike dhe sociale e së majtës ekstreme, që përfaqëson diktaturën terroriste të elementeve të kapitalit financiar” etj. etj., shqyrtimi i tij si një varg teknikash për marrjen e pushtetit me mjete jolegale, të cilat vijnë duke u legalizuar po me të njëjtat teknika, dhe vijojnë të përdoren mandej edhe për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit të marrë kësisoji, mbetet detyrë e atyreve që punojnë për ta zbuluar të vërtetën. Sidomos për ta shqiptuar atë. Lypset t’ia dallojmë atij teknikat: prej ngjyrave të “këmishës” deri te tingujt e fjalës, prej stilit të gojëtarisë deri te hollësitë e sintaksës. Mua vetë më janë dashur vite që ta kuptoj se çfarë donte të thoshte shkrimtari dinak me “paradigmën sintaksore” të ndërtuar prej tij në bashkëbisedimin mes Mussolinit dhe një përfaqësuesi të liberalizmit anglosakson, Lordit Perth, asohere ambasador i Britanisë së Madhe në Romë:

Mussolini thotë: I want.
Lordi Perth thotë: I would like.
Mussolini thotë: I don’t want.
Lordi Perth thotë: I can’t.
Mussolini thotë: I think.
Lordi Perth thotë: I suppose, may I suggest, may I propose, may I believe.
Mussolini thotë: Inequivocabilmente.
Lordi Perth thotë: Rather, may be, perhaps, almost probably.
Mussolini thotë: My opinion.
Lordi Perth thotë: Public opinion.
Mussolini thotë: The fascist revolution.
Lordi Perth thotë: Italy.
Mussolini thotë: The king.
Lordi Perth thotë: His Magesty the King.
Mussolini thotë: I.
Lordi Perth thotë: The British Empire.
Mësimet nga e kaluara, të cilave këtu vetëm sa u bëra një skicim, i kemi me bollëk. Figura si Noli, na kanë ofruar, ndoshta krejt padashur, dëshmi mësimdhënëse. Duke i hequr m’anësh supozimet me “angjentura bolshevike” apo “konspiracione ndërkombëtare”, na duhet të mbajmë mend si mësim aktual që kur, në 24-n, qeveria e tij e shpërndau parlamentin, kryetari i saj i mburrej gazetës greke Skrip: “E shpërndamë parlamentin, që të bëjmë disa kursime të nevojshme...” (17 tetor 1924). Madje, pa e fshehur spastrimin që po bënte në administratë për ta mbushur atë me “bashkimxhinj” ose “antizogistë”, sqaronte: “Nga marsi do të bëjmë zgjedhje, pasi më parë të përfundojmë punën e spastrimit...” (po aty). Nga ana tjetër, petku i agjit-propit bolshevik vetëm sa rrekej më kot ta mbulonte “modelin e zi”, duke u treguar “masave” se qeveria e tij vetëm brenda pak muajsh “për të bërë ekonomi” kishte pakësuar 25 % të nëpunësve dhe rrogat e tyre i kishte zbritur në 40 % (Intervistë në Nea Imera, 11 tetor 1924). Dhe kush na i ka ofruar këto dëshmi, që na bien në vesh krejt si “deklaratat për shtyp” të zyrave aktuale kryeministrore? Na i ka ofruar një figurë savanti: themelues i Kishës Autoqefale Shqiptare dhe peshkop i saji, përkthyes në shqipe i Shakespeare-it dhe i Cervantesit, ringjallës i Skënderbeut për shqiptarët, studiues i Beethovenit dhe i Revolucionit frëng, ai që na vu në shqipe Ungjijtë dhe Librat e shërbesave, kompozitor, estet, poet. A nuk duhet t’ua kujtojmë, pra, zotërinjve kryeministra të Shqipërisë moderne - ata le t’u bëjnë zë edhe zyrave të tyre të propagandës sa i përket terminologjisë - që t’i mbahen larg “modeli të zi”, sikurse përpiqen tash sa vite t’i skajohen “modelit të kuq” prej nga kanë dalë?
Ndonëse as sot e gjithë ditën në shkollat tona nuk e mësojnë siç duhet historinë e fashizmit, tani që e kemi mundësinë të gjithë t’i qasemi historisë tij, t’ia nxëmë praktikat dhe teknikat, ndryshimi i “ngjyrave të këmishës” nuk ka përse të na gjënjejë në idetë tona liberale apo në paragjykimet tona demokratike.


Kumtesë e përgatitur për konferencën ndërkombëtare “Intelektualët dhe fashizmi në Europën Qendrore dhe Juglindore. Histori dhe Kujtesë”, Tryezë e rrumbullakët, 24 - 25. 11. 2005, Bukuresht




18/12/2005

shekulli