E njëjta gjë i kish ndodhur dhe një anëtari tjetër në forum dhe ai arriti të kthente shumicën e dokumentave me programin Recover My Files. Megjithatë, para se të përdorësh këtë program, provo këto më poshtë:
I - Së pari, shiko se mos ke ndonjë kopje të dokumentave te My Computer\C\Documents and Settings\. Aty gjenden dosjet e llogarive. Në situata të tilla, dosja origjinale mund të jetë dëmtuar dhe Windows krijon një dosje të re. Pra, hapi dosjet nën Document and Settings me radhë dhe shiko nëse do gjesh skedarët e humbur.
II - Së dyti, nëse mban mend emrin një prej skedarëve të humbur, provo ta kërkosh atë tek start > search. Aty shkruaj emrin e skedarit dhe shiko nëse do dalë në ndonjë dosje tjetër. Për të gjetur të gjitha fotografitë që ke në kompjuter, tek kutia e kërkimit shkruaj "*.jpg" ose "*.jpeg" ose "*.gif" pa thonjza.
III - Nëse dhe kërkimi nuk jep rezultat, atëherë të ngelet të përdorësh programin Recover My Files. Ky program bën një kërkim më të thellë të hard diskut dhe mund të gjejë shumë skedarë të vjetër. Për të rritur shanset e kthimit të skedarëve, mos bëj asnjë ndryshim të kompjuterit. Duhet të tregosh kujdes që të mos ndryshojë struktura e tanishme e skedarëve sepse, nëse lëviz, hedh, ose shton skedarë të rinj, mund të mbishkruash (fshish) skedarët e vjetër. Me pak fjalë, mundohu ta përdorësh sa më pak kompjuterin deri sa të kthesh mbrapsh skedarët e humbur.
Biles, nëse ke dy hard disqe në kompjuter, edhe programin Recover My Files këshillohet ta instalosh në hard diskun e dytë (jo atë ku kanë humbur skedarët).
1. Shkarko programin Recover My Files:
http://download.getdata.com/RecoverMyFiles-Setup.exe
2. Instaloje në kompjuter dhe hape nga menuja start > recover my files
3. Hap menunë help > activate product dhe përdor numrin e regjistrimit
4. Pastaj shtyp butonin "start search" për të kërkuar skedarët e humbur. Ka disa mënyra kërkimi por në fillim provo "fast file search".
5. Prit sa të mbarojë kërkimi dhe në listën e skedarëve zgjidh skedarët që do të kthesh mbrapsh. Është e rëndësishme që t'i zgjedhësh të gjithë skedarët përnjëherësh sepse nëse bën prapë kërkimin, mund të mos gjesh përsëri të njëjtët.
6. Në fund shtyp butonin "save files" dhe ruaji në një dosje tjetër. Nëse ke ndërmend të kthesh mbrapsh skedarë të tjerë, atëherë është e rendësishme që t'i ruash skedarët në një hard disk të dytë, disk USB, ose CD/DVD.
7. Pasi t'i kesh ruajtur skedarët, provo t'i hapësh dhe shiko a janë kthyer të plotë.
Nëse Recover My Files nuk jep rezultat, hapin 4 përsërite me "complete file search". Kjo do marrë më shumë kohë por gjen më shumë skedarë të humbur.
Nëse edhe Recover My Files nuk jep rezultat, mund të përdorësh programe të tjera por nuk besoj të kesh rezultate më të mira pasi pak a shumë të njëjtën gjë bëjnë të gjithë. Lexo temën Rikthimi i skedarëve të fshirë/formatuar për të gjetur emrat e programeve të tjerë.
Krijoni Kontakt