Ese
Për themelim të një gjuhe letrare
Faik KONICA
Një nga çështjet më të rënda të literaturës shqipe është pa fjalë edhe çështja e themelimit të një gjuhe letrare. Kemi nëntë vjet që shënuam, këtu, nevojën e atij themelimi, kemi nëntë vjet që, - duke trajtuar “Albanien” si një urë të vërtetë për të bashkuar gegët dhe toskët (të cilët gjer atëherë ishin si vendasit e dy ansujave të lidhura bashkë me avullore) – gatitmë udhën e atij themelimi aq të nevojshëm, sa pa të nuk do të quhet kurrë komb i vërtetë populli ynë.
Ca kaptie, ca alkoolikë, ca kafshë, armiq të amëshuar të çdo përparimi të cilët e marrin kufirin e mendjes së tyre për kufirin e botës, nuk e kanë pëlqyer kurrë këtë qëllim tonë. Vërtet, është më e lehtë të pijë rakie njeriu, të pështyjë të shara, se të përpiqet të kuptojë. Po këtu kuptimi s’është i vështirë. A ka punë më të kulluar e më të kuptueshme se kjo?
Gjer më sot shqiptarët nuk kanë njohur si jetë të përbashkshme, përveç jetën e katudit a të qytetit, prandaj, cilido ka qenë i kënaqur me dialektin e rretheve ku jetonte. Sot shqiptarët zunë të rrojnë një jetë më të gjerë, jetën kombëtare. Ky zgjerim i madh në jetë, na shtrëngon të zgjerojmë edhe gjuhën. Ky trup i ri, Kombi – ka nevojë për një organ të ri. Si do ta ndjejë shqiptari i Pejës se është nga një komb me shqiptarin e Filatit, kur të mos jetë një gjuhë e përbashkët mes tyre? Secilido që ka ca derhem tru në kokë, kupton se më e madhja nevojë që kemi sot ne shqiptarët është për një gjuhë të përbashkshme, letrare. Sot librat që shtypen s’hyjnë në punë, përveç në qytete të auktorit. Vetë pa thënë se, për shqiptarët sadomos të ditur është një lodrë të kuptojnë e të shkruajnë çdo dialekt… qoftë. Po flas për shumësien. Duhet të vihemi në vend të shqiptarëve të mirë, po të paditur, në vesh të të cilëve ai më i vogli ndryshon nga dialekti i veçantë i tyre, tingëllon si në gjë e huaj dhe e pakuptueshme. Si të marrim vesh atëherë një shqipe që ndryshon në çdo libër?
Po le të themelojmë një gjuhë të përbashkshme, me të cilën të shkruhen të gjithë librat, - dhe njeriu më i pagdhendur, duke parë kudo e kurdoherë fjalë të shkruara me një fytyrë, gjëra të thëna me një mënyrë, do t’kuptojë mirë e do t’këndojë me gaz se veshi do t’i mësohet në pak kohë. Si duhet bërë, pra, që të trajtojmë edhe ne një gjuhë letrare të përbashkshme?
Në vise të huaja, si orthografia u bë pak nga pak, pas fuqies së kohës dhe jo pas vullnetit të ca vetave të lidhur për të msue orthografi më parë se të shkruajnë, - ashtu edhe gjuha letrare nuk u zgjuadh prej këtij a prej atij, por u pëlqye vetëm për një shkak a për një tjetër. Në disa vende dialekti i folur në oborr, prej mbretit e prej gjindjes së rritur mirë, arriti të bëhej dialekti i përgjithshëm; secilido për të shkruar si i rritur mirë, mundohej të flasë e të shkruajë si në oborr. Në shumë vise, goditi që ca shkronjëtarë të mëdhenj, duke i dhënë dialektit të tyre një shkëlqim të madh, e ngijtën më sipër se dialektet e tjerë, dhe me kohë dialekti i tyre u njoh, a, për të përdorur një fjalë më të vërtetë, mbretëroi vetëm si gjuha e përbashkshmë e vendit. Po ne s’kemi oborr; dhe koha na mungon për të lënë dialektet që rriten gjersa më në fund, dialekti më i zoti, i zgjedhur natyrisht, të dalë më sipër se të tjerët e të mbretërojë si gjuha e përgjithshme e Shqipërisë. Këtu si për abece e për orthografi jemi të shtrënguar të vemi shpejt, duke bërë me të marrë vesh atë punë që koha do ta bënte më mirë se ne sikur të prisjëm dot. Si duhet të merremi vesh ahere? E, për të nisur cilat janë, parimet themelore që na ndritin udhën? Jam gati dhe pres me padurim të dëgjoj mendimet e shkronjëtorëve shqiptarë, si edhe të gjith’ atyreve që duan të na ndihin në këtë vepër. Sa për mua, mendimi im mund të shkurtohet në nja dy fjalë: Është një gjë e thënë popullore në Shqipëri. “Turqisht’ e Stambollit, gerqisht e Anthinës (sic) shqip e Elbasanit.” Mjerisht Elbasani, sado q’është qendra e Shqipërisë, flet gegërisht, dhe lartësimi i dialektit elbasanor në shkallë të gjuhës letrare do të jetë dënimi i toskërishtes. Nuk mundim, pra, të zgjedhim dialektin e Elbasanit si udhëheqës e si pajtor. Le ta shkoqit mendimin tim ca më gjerë, sado qëllimi im në këtë artikull është më tepër të tregojë nevojën e një gjuhe të përbashkshme se mjetin për të përmbushur këtë nevojë.
Është sigur se nuk kemi në dorë të forcojmë botën të sillet si e do arsyeja, atdhesia, nevoja e kohës. Edhe ta kishim në dorë s’jemi nga ata që kllasin gjindarmërit në fushë të mendjes. Po besoj se do të kemi një autoritet të vërtetë përmi shqiptarët e arsyeshëm: autoritetin e njerëzve që, duke shkuar një kohë të kushtueshme në mundime për të lartësuar gjuhën shqipe, nuk duan të heqin botën posi dele, po duan t’i japin secilido të kuptojë.
1905
Lutja e shkrimtarit
… Dhe mbasi fola për shkrimtarët, do t’ju them një gjë: kam vënë re se librat e lutjeve fetare ndërsa kanë lutje për çdo shkollë e zanat, s’kanë ndonjë lutje të veçantë për shkrimtarët. Unë nuk jam shumë fetar, por ngandonjëherë më hipën zjarri për ndonjë besim të shkurtër. Jam në një gjendje të tillë dhe kam gatuar një lutje të shkurtër, të cilën ju kërkoj leje ta këndoj. S’ka të bëjë me ndonjë fe të veçantë dhe njerëz të çdo feje mund ta pranojnë.
“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë që ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!
1933
Shënim: Ky artikull, i cili është shkruar njëqind vjet më parë, çuditërisht vazhdon të ruajë aktualitetin e tij edhe sot. Një ndër paradokset që ka shoqëruar jetën shqiptare veçmas nga 1991 e këtej, ka qenë dhe është edhe debati në lidhje me gjuhën letare. Në këtë debat paradoksal, i cili në momente të caktuara është karakterizuar me tone acaruese, të pasqyruara si një “ big show” edhe në mas-median shqiptare, kanë marrë pjesë mjaft njerëz, intelektualë të ndryshëm, shkrimtarë, poetë, politikanë, përkthyes dhe të vetpretenduar njerëz të artit dhe të kulturës, njerëz të thjeshtë, etj.
Ne urojmë dhe shpresojmë që ky botim që ne i bëjmë sot këtij artikulli të Faik Konicës, intelektualit më brilant që ka nxjerrë ndonjëherë kombi shqiptar, të shërbejë si epilog i këtij debati paradoksal.
Marre nga Tirana-Observer.
Krijoni Kontakt