SOS
Viti i ri shkollor po afron. Nxënësit shqiptar si çdo vit do të gjejnë kohën të shkojnë në kurset e mësimit të gjuhëve të huaja dhe në sporte e në balet (dhe shumë mirë bëjnë).
Po në kurset për mësimin e gjuhës shqipe? Sa nxënës shkojnë? Sa fëmijë shqiptarë ka në shtetin Helen? Praktika tregon se kurse janë hapur në të gjithë Greqinë. Shpesh me sakrifica private të individëve apo shoqatave. Në të gjitha rastet që njohim këto kurse ofrohen FALAS. Këta janë rilindësit e rinj, siç shprehej publicisti Abdurahim Ashiku.
Por a i përkrah komuniteti këta «Rilindës të rinj» në punën e tyre fisnike? Praktika tregon se nuk përkrahen sa duhet.
PROBLEMI KRYESOR QË HASIN KËTO KURSE ËSHTË NUMRI I VOGËL I NXËNËSVE QË I FREKUENTOJNË.
Le të mos fshihemi nga vetvetja. Nuk mund ti thurim lavde gjuhës sonë dhe të botojmë shkrime akademike për bukurinë dhe lashtësinë e gjuhës sonë dhe në të njëjtën kohë fëmijët tanë të mos i çojmë të mësojnë shqip.
Le të përpiqemi të gjithë së bashku të ndryshojmë sadopak situatën që është tepër kritike. Të gjithë kemi fëmijë, nipër e mbesa ose miq që kanë fëmijë. Le të bëmi të gjithë misionar të gjuhës shqipe. Le ta propagandojmë atë.
Le të ndihmojmë të gjithë së bashku që fëmijët tanë të mësojnë gjuhën shqipe.
Krijoni Kontakt