Një film kundërrymë nga italiani Francesco Munzi
Nga Ennio Grassi
I vlerësuar njëzëri nga kritika në Festivalin Kinematografik të Venecias, vitin e kaluar, filmi “Saimir” i regjisorit debutues Francesco Munzi, po shfaqet këto ditë në kinematë e Italisë. Është diçka e rrallë që, në një treg kinematografik të vështirë, sikundër ai italian, i mbikëqyrur nga “të fuqishmit”, të shfaqet produkti i një regjisori të panjohur, i cili deri më tash ka qenë autor vetëm i disa filmave me metrazh të shkurtër. Rastësisht filmi në fjalë po shfaqet njëkohshëm edhe në Shqipëri (në të vërtetë unë, më fort se rastësi, besoj se ka qenë mirëdashja dhe ndjeshmëria e shpërndarësit shqiptar). S’na mbetet, pra, veçse të presim me kërshëri reagimin e publikut italian dhe atij shqiptar. Arsyeja e kësaj kërshërie lidhet me përmbajtjen e filmit dhe sidomos me sendërtimin e tij formësor. Për të shmangur çdo keqkuptim le ta themi menjëherë se nuk kemi të bëjmë me një film të rëndomtë mbi emigrimin, paçka se boshti i tij është pikërisht kjo dukuri. Pra mos pritni të gjeni në të kurrfarë mesazhi shembullor apo moralizues. Për fat të mirë, jo!
Djaloshi shqiptar quhet Saimir (interpretuar nga Mishel Manoku, për të cilin ky është roli i parë) dhe vjen si protagonist i një historie që zhvillohet në periferitë bregdetare të Lacios. I ka rënë pas të atit, emigrant shqiptar në Itali, dhe kalon një adoleshencë të kapluar krejt prej çoroditjes fizike dhe morale. Ndërkallja e jetës së Saimirit me atë të moshatarëve të tij është e vështirë, për të mos thënë e pagjasë. Edhe djelmoshat që e rrethojnë paraqiten në film si “djemtë që kanë dalë në jetë” te Pier Paolo Pasolini (përkapet edhe mesazhi që mbërrin nga Dardenne te “Premtime”). Djali shtyn ditët pa kurrfarë vegimi shprese dhe integrimi shoqëror. Kjo amulli emargjinuese e diktuar nga shoqëria (emargjinimi te ne ngjet vërtet, ndaj pse u dashka ta shohim si dukuri virtuale?), vjen e rëndohet për Saimirin edhe nga marrëdhënia e ashpër dhe e vështirë që ka me të atin, Edmondin (luajtur mjeshtërisht në film nga aktori i mirënjohur shqiptar Xhevdet Ferri), një trafikant klandestinësh, njeri i dhunshëm e harbut, por më anë tjetër, i ndërgjegjshëm se do të kishte dashur një jetë krejt ndryshe për të birin po aq sa për vetveten.
Filmi i Munzi-t nuk u lë shteg retorikave zvargane sentimentale. Madje nuk bie pre as e atij këndvështrimi sociologjik me stereotipe moralizuese e paksa hipokrit, të cilin shpesh na e servirin sa në Itali e në Shqipëri.
Regjisori zgjedh me vetëdije t’u shmanget paragjykimeve. Telekamera vërtitet rreth personazheve me respekt e përunjësi, duke pikasur në ta kontradiktat njerëzore të shpirtit. Po ato kontradikta, në prehërin e të cilave Saimiri nanurit dëshirën për t’ia dalë mbanë. Gjithçka Munzi e tregon thjesht, pa shumë lajle-lule e deri diku me nota kalviniane (si Italo Calvino te “Mësime amerikane”). Pikërisht kjo thjeshtësi, vlera parësore e artit, mbërrin të tejshpojë në thelbin e vërtetësisë së ngjarjeve e të na i paraqisë ato sikundër janë.
Them se është një film që nuk do lënë pa u parë.
Përktheu Ledi Shamku-Shkreli
për Gazetën "Shekulli"
Krijoni Kontakt