Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    “Breaking News”, një histori për 10 mijë të përdhunuarat

    Regjisori Agim Sopi, në Fier për xhirimet e një filmi dramatik

    “Breaking News”, një histori për 10 mijë të përdhunuarat


    Elsa Demo


    Fier - UNMIK nuk ka lejuar që skenat e luftës, edhe aq pak sa janë, çerek ore, madje as pushkët rekuizitë të mos përdoren në sheshin e xhirimit. Kjo është arsyeja që regjisori kosovar Agim Sopi po xhiron në Shqipëri, në Azotikun e shkretë të Fierit kryesisht dhe më tej, pak ditë në Tiranë. E nëse mund t’i quash skena lufte këto tek Azotiku. Erë lufte përhap vetëm ajo tymosja ushtarake me pak barut. “Breaking news-Edicion i jashtëzakonshëm” është një film për pasojat pasluftës në Kosovë, konkretisht tek ajo pjesë e pambrojtur e vajzave dhe grave të përdhunura nga paramilitarë sërbë, që më pas u gjendën në mes të hiçit e të braktisura nga të vetët.
    Ky është një produksion i shtëpisë filmike “AsFilm Production” dhe i Ministrisë së Kulturës së Kosovës, që po realizohet me një buxhet 600 mijë euro. Skenari është shkruar nga regjisori Agim Sopi i mbështetur në veprën “Muzgu i Lirisë” i Teki Dervishit. Në rolet kryesore interpretojnë Lumnije Sopi në rolin e Emës, aktori amerikan Douglas Berroë si dhe Deivid Shvorc, Enver Petrovcki në rolin e gjeneralit Llilliç, Blerim Gjoci si komandant Shpati, Blerta Syla gazetare etj.
    “Breaking news” do të jetë gati në vjeshtë.

    Çfarë është “Breaking News” që ju ka sjellë për xhirime në Shqipëri?
    Është një dramë që flet për fatin e një gazetareje shqiptare dhe një gazetari amerikan. Motivet janë marrë nga lufta, ndërsa drama në të vërtetë zhvillohet pas lufte, pra merret me pasojat e luftës. “Breaking news” është marrë nga raportet e drejtpërdrejta të luftës së gazetarëve amerikanë. Me pak fjalë subjekti është ky: Dy gazetarë amerikanë dhe një gazetare shqiptare që shërben njëherësh si përkthyese, raportojnë nga linjat e frontit gjatë luftës së Kosovës. Kur ashpërsohen bombardimet e NATO-s, amerikanëve iu vjen urdhri që të tërhiqen, ndërsa shqiptarja mbetet me familjen e vet. Kthehet në Prishtinën e zbrazur nga forcat sërbe, ikën në një kamp refugjatësh që nuk vonon dhe rrethohet nga sërbët. E zënë bashkë me të tjerët. Ata e njohin vajzën, pasi ajo ka qenë gazetare e shquar që ka punuar për shumë agjenci të huaja dhe në shenjë hakmarrjeje e përdhunojnë.
    Jeni nxitur nga ndonjë histori reale?
    Kanë ndodhur shumë gjëra në Kosovë dhe në këtë film ka episode që kanë ndodhur vërtet, ndërsa personazhet janë imagjinarë. Protagonistja është Ema Berisha që nuk ka të bëjë me ndonjë emër real, ndërsa protagonisti amerikan Deivid Shvorc. Ky është një gazetar, hebre në origjinë. E lidh një dramë e veçantë me Kosovën. Prindërit e tij kanë qenë të burgosur në një kamp nazistësh në Prishtinë, gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe babai i tij për ta shpëtuar të ëmën shtatzënë, është dorëzuar vullnetarisht. Babai i vritet në Kosovë. Kështu që e lidh një motiv emocional që e detyron të kapërcejë rreziqet gjatë raportimit nga Kosova.
    Atëherë është një film për luftën?
    Filmi prek një temë delikate, fatin e femrës së përdhunurar aksidentalisht dhe pasojat që i shkakton shoqëria jonë e cila në vend që t’i shërojë plagët, i hap plagë të reja. Vajza ka mbetur shtatzënë me të dashurin e saj, të gjithë i kthejnë shpinën, sepse mendojnë se fëmija është një “bastard sërbi”. Kështu nga një gazetare idhull i njerëzve gjatë luftës, Ema shndërrohet në një krijesë të urryer, të lënë, të braktisur.
    Është një edhe film akuzë?
    Këtu nuk akuzohet asnjëra palë. Thjesht tregohet një histori. Akuzohet moralisht një realitet i vrazhdë që ne nuk jemi të gatshëm ta perceptojmë. Nëse ndodh një fatkeqësi pa dashjen tënde, njeriu duhet të shtrijë dorën për të ndihmuar dhe jo të kthejë shpinën. Filmi është një shenjë respekti për më shumë se 10 mijë femra të përdhunuara dhe shumë fate të tilla në Kosovë që tani vuajnë larg syve të njerëzve, larg syve të botës. Dhe realisht për këto askush nuk është përgjigjur deri tani.
    Kineastët nga ish-Jugosllavia po tentojnë ta shohin realitetin pas lufte edhe si një situatë rehabilitimi. Keni bërë më parë një film për luftën? Po me “Breaking news” çfarë tentoni të thoni?
    Nuk e di. Është diçka krejt subjektive. Unë thuajse gjatë gjithë luftës kam qenë në Kosovë, në të gjitha anët e Kosovës, gjithnjë në ikje e sipër. Kam parë shumë tmerre me sy që as nuk mund të përshkruhen.
    E vërteta pse nuk kam bërë më parë një film për luftën është e thjeshtë: më është dashur një distancë kohore që të shkarkohem emotivisht që të mos i bëj gjërat me emocion. Shpresoj se tani është krijuar ajo distancë kohore, duke i parë gjërat ashtu siç janë dhe jo bardhë e zi. Nuk jam i prirur për t’u tallur me një realitet tepër të hidhur siç ka qenë, po as për ta dramatizuar më shumë se ç’duhet. Filmi nuk flet për luftën, por për fatin e njeriu të përdhunuar dhe të braktisur nga të gjithë.
    Mësuam se në Kosovë nuk ju kanë lejuar të xhironi disa skena lufte…
    Ne, siç e dini jemi nën një administratë ndërkombëtare që megjithatë përpiqet t’i retushojë gjërat sipas dëshirës së vet dhe t’i shohë me një dioptri jo fort realiste. Madje kam përshtypjen se i sheh me një dioptri socrealiste, do t’i zbukurojë me çdo kusht. Dhe fatkeqësisht me këtë logjikë dioptrie ne na është ndaluar të përdorim armë, qoftë edhe si rekuizitë në film. Kemi disa skena lufte, janë shumë pak, 15 minuta.
    Ju ka vonuar kjo burokraci?
    Më shumë se tre muaj. Kam trokitur derë më derë, nga instanca në instancë, por nuk gjetëm mirëkuptim. Unë do t’i falenderoj, megjithatë, të gjithë ata që kanë qenë të gatshëm për të mos e ndihmuar këtë projekt dhe për ta penguar në mënyra të ndryshme.
    Kur përfundon realizimi i filmit?
    Shpresoj në vjeshtë filmi të jetë gati.
    Në vazhdim…
    Kam edhe një projekt për luftën. Kam bërë një film të vogël po për luftën, para tre vjetësh, “Vjeshta e trëndafilave”. Ky është i dyti dhe kështu pritet të mbyll një triologji për plagët e luftës. Më nuk do të merrem me këto filma, me siguri.
    Më pas do të jetë një temë që më preokupton shumë, që prek fushën e mitologjisë. Është fati i një ushtari që e detyrojnë të luftojë. Duke ikur nga tmerret e trashëguara në familjen e vetë, ai në të vërtetë futet në udhët e krimit. Është histori e një Edipi të vërtetë. Ky Edip i Kosovës do ta ketë titullin “Maria e bukur”. Është vërtet e habitshme se si pas tre mijë vjetësh në këtë gadishullin tonë, në Ballkan mitet i gjen të gjalla, të prekshme. Për botën është e papërceptueshme, por janë tepër reale, të vrazhda, jetojnë me ne, janë hijet tona.




    29/05/2005
    KATEGORIA: Kulture
    Marre nga Shekulli
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Enver Petrovcki: Më thonë Kolonel Llilliç

    Aktori kosovar në filmin “Breaking news” që po xhirohet këto ditë në Shqipëri. Petrovcki: “Kemi fituar lirinë, por s’kemi fituar mirëkuptimin për të bërë art. Njerëzit që drejtojnë artin janë krejt politikë dhe jo ata që dinë dhe e çmojnë artin. Sa do të vazhdojë kjo, nuk e di. Ndoshta për aq kohë sa partitë politike të vendosin kush do të jetë artist dhe kush jo. Kështu do të vazhdojë, si këtu si në Kosovë”

    Enver Petrovcki: Më thonë Kolonel Llilliç


    E. Demo


    Fier - Si në vaskën e “American Beauty” ku pezulli i shkumës është i mbuluar me fletë trëndafilash. Në vend të bjondes amerikane është një gjeneral i vërtetë, në moshë, po i fuqishëm. Quhet gjeneral Llilliç. I përkëdhel lëkurën bjonde gazetares së kapur peng, ndërsa kolegen shqiptare po ia sjellin në moment.
    -Shqiptarka?… Si e shpjegoni zonjushë, ne ju ushqejmë, ju shkollojmë, kurse ju na ngulni thikën pas shpine?! Mos bëj kështu!
    Për paradoks të luftës, e ndërsa gjenerali bën banjë, në kokë i rri një prift, një vullnetar lufte, për t’i nanuritur ungjijtë.
    Enver Petrovcki për një orë ka mbetur në vaskën me trëndafila. I shtojnë ujë të ngrohtë, pasi është akoma maj dhe mund të marrë ndonjë të ftohtë, aty në një kthinë të rrënuar të Azotikut të Fierit. Po, aktori i duron të gjitha. Aktori i njohur kosovar i skenës dhe ekranit për herë të dytë, në këto tri vite, qysh pas filmit “Lule të kuqe, lule të zeza”, së bashku me drejtorin e fotografisë Afrim Spahiu, ndodhet në një shesh xhirimi në Shqipëri. Po xhirohet “Breaking news” i regjisorit nga Kosova Agim Sopi.
    Aktualisht aktori dhe pedagogu i artit dramatik është duke ngritur një akademi teatri në Shtëpinë e Babës, siç e quan ai strehën e babait, dhe do ta quajë “Teatri i Babës”. Ky është një reagim i artistit ndaj institucioneve në Kosovë, pasi nuk ka ndryshuar asgjë në kushtet e të bërit art në vendin e tij. Faji mbetet, dikur i regjimit, sot i politikës.
    Çfarë roli keni në film?
    Luaj kolonelin Llilliç, një kolonel sërb i cili kryen masakra në Kosovë. Ngjarjet janë para, gjatë dhe pas Luftës. Ky është një episod që e kam pranuar me kënaqësi dhe, një arsye e dytë është se kam dashur të ndihmoj regjisorin, skenaristin dhe producentin Agim Sopi, guximin e tij, duke marrë parasysh gjendjen jo shumë të mirë të filmit kosovar.
    Ç’është ky, gjenerali Llilliç?
    Është si shumë gjeneralë të tjerë që ne i njohim fort mirë. Ata të vetëquajtur gjeneralë, kolonelë, oficerë të cilët kanë djegur fshatra dhe kanë masakruar në masë popullin e Kosovës.
    Ose më saktë, populli i Kosovës nuk di kush kanë qenë ata. Bëhet fjalë për uniforma, paraushtarakë, oficerë profesionistë, por më të tmerrshmit kanë qenë policët, civilët gjithashtu të cilët janë përlyer me gjak të shqiptarit. Më vjen mirë, edhe pse vonë, që filluam t’i tregojmë botës nëpërmjet filmit, që për mua është shumë më i fuqishëm se letërsia, gazetat, të tregojmë së paku një të vërtetë të vogël të krimeve që kanë bërë ata. Pas këtij filmi do të vijnë të tjerë, sepse mendoj se absolutisht nuk ka në Kosovë një njeri që të mos e ketë përjetuar një tragjedi, duke filluar prej meje.
    Duke filluar prej jush? Cila është historia juaj nga lufta?
    Dy ditë para se të fillonte bombardimi, kam qenë me studentët e mi në një kafe dhe na kanë gjuajtur nga jashtë. Disa u plagosën, unë gjithashtu. Me ndihmën e zotit shpëtuam, ndërsa Adriana Abdullahun e kanë vrarë në vend. Por ky shpëtimi im nuk mund të jetë i lumtur, për tragjedinë që i ndodhi vajzës së re, 21-vjeçare. Pra nuk ka njeri që të mos ketë një tragjedi shumë më të fuqishme ose më pak se sa ajo që më ka ndodhur mua. Është mirë që bota të mos i harrojë këto dhe një prej mediave që i shpjegon më së miri këto, është filmi. Deri tani vendet e ish-Jugosllavisë janë realizuar filma që në një mënyrë a në një tjetër mbrojnë një palë, akuzojnë një tjetër, ndërsa ne tani me këtë film po fillojmë të tregojmë një prej të vërtetave që kanë ndodhur në Kosovë.
    Meqenëse dolët në këtë pikë, a është ky një film që merr në mbrojtje apo akuzon, është një film objektiv dhe me këndvështrim të drejtpeshuar?
    Sado që ky film do t’i duket dikujt i tmerrshëm, jeta ka qenë më e tmerrshme se ky film. Pra unë nuk besoj që kurrë ndonjëherë do të mund të tregohet tmerri që ka ndodhur në Kosovë nëpërmjet filmit. Megjithatë ai do të ndihmojë të tregojë së paku një të vërtetë të vogël. Akuza është pak, pasi akuza nënkuptohet tek ky film. Duhet ditur çfarë ka ndodhur në Kosovë. Mjerisht nuk kemi shumë gjëra për ta dokumentuar këtë, nuk kemi shumë fotografi, xhirime të mjaftueshme, më tepër kanë bërë të huajt. Jemi popull që kurrë nuk mendon për histori.
    Çfarë kishit parasysh me “gjendje jo të mirë” të kinemasë sot në Kosovë?
    Nuk kam kë të akuzoj. Nëse akuzoj kënd për këtë gjendje të kinemasë në Kosovë, atëherë më duhet të hyj në lojë me ta, të bëhem pjesë e tyre. Dua të them se njërëzit që qeverisin Kosovën, për momentin nuk janë të vetëdijshëm se ç’është kultura dhe sa kultura mund të ndihmojë popullin e Kosovës dhe të informojë botën se në çfarë niveli është Kosova. Edhe një herë nuk akuzoj kënd: aq dinë, aq punojnë.
    Po ata që krijojnë?
    Nuk e di për ata që krijojnë, për arsye se nuk kanë shans që të krijojnë. Prej kohës së regjimit të Millosheviçit dhe 15 vjet më herët, artisti ynë kurrë nuk ka pasur shans deri në fund që të plotësojë kushtet me qëllim që bëjë atë që mendon. Kjo politikë vazhdon dhe më tej. Pra ne kemi fituar lirinë, por s’kemi fituar mirëkuptimin për të bërë art. Njerëzit që drejtojnë artin janë krejt politikë dhe jo ata që dinë dhe e çmojnë artin. Sa do të vazhdojë kjo, nuk e di. Ndoshta për aq kohë sa partitë politike të vendosin kush do të jetë artist dhe kush jo. Kështu do të vazhdojë, si këtu si në Kosovë.

    Intervistoi: E. Demo

    29/05/2005
    KATEGORIA: Kulture Shekulli.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Dagllas Berrow: Unë përpiqem ta imagjinoj luftën

    Dagllas Berrow: Unë përpiqem ta imagjinoj luftën


    E. Demo


    Është vizita e tij e parë në Evropë ku nuk i ka rënë rasti të punojë. Douglas Barrow, aktori amerikan i shumë filmave fiction dhe në serialet e njohur televizive “Soprano”, “Seksi dhe qyteti”, interpreton rolin e gazetarit Deivid Shvorc në filmin “Breaking news” të regjisorit kosovar Agim Sopi. Nuk e ka shumë idene se ç’ishte lufta e vërtetë e Kosovës, cili ka qenë roli i gazetarëve të luftës dhe këtë boshllëk e ka plotësuar me informacion nga interneti. Berrou e di ç’do të thotë të xhirosh një film amerikan, për prodhime që kushtojnë miliona dollarë, me dritat fantastike, me një staf gjigant njerëzish, me shumë ritëm, ndërsa në Azotikun e Fierit vë re se secili bën shumë punë. “Kam biseduar me shumë njerëz këtu për përvojën e tyre gjatë luftës në Kosovë dhe kam parë disa dokumentarë. Unë përpiqem ta imagjinoj, por nuk mund ta njoh dhe kuptoj luftën, kjo mund të jetë gjë shumë e mirë në një kuptim. Kur je aktor duhet të merresh me shumë gjëra që nuk i ke përjetuar, nuk i ke provuar”,- thotë Berrou. Ai ka pasur një skenë të veçantë në film, e para në karrierën e tij, me serbë. Para kësaj kishte marrë shumë këshilla nga të gjithë si të interpretonte, sepse vërtet nuk mund t’i kuptonte, nuk mund të kuptonte në veçanti atë krenari që aktori thotë se manifestohet ndonjëherë edhe në Amerikë, pra ndjenja e të qenit i pathyeshëm.


    Lumnije Sopi
    Gazetarët, syri i botës
    Një hije disi e ngjashme me elegancën e francezes Emanuelle Beart, e brishtë, ndoshta ngaqë dhembja e saj diskrete e bën edhe më të bukur, 40-vjeçaren Lumnije Sopi.
    Pak e vështirë t’i besosh aktores kosovare, bashkëshorte e regjisorit Agim Sopi, kur thotë se është pak e demoduar. Tani më tepër ajo ndien se pak role shkruhen për moshën e saj, kështu që Ema Berisha, roli i protagonistes që i është besuar Lumnijes ndoshta do të jetë shansi i saj i fundit. Ema është një gazetare që ballafaqohet me dhembjen e luftës që kanë përjetuar shumë vajza shqiptare. Një gazetare që ka studiuar në Kembrixh, vjen si ndihmëse e dy gazetarëve amerikanë. Ngjarjet ndodhin më shumë pas luftës, ngaqë tragjedia më e madhe e Emës ndodh pas luftës, e dhunuar nga paramilitarët sërb. I dashuri i saj nuk e pranon, nuk do t’ia dijë nëse fëmija është i tyre. “Për mua ajo që u ka ndodhur shumë femrave shqiptare është tragjedia më e madhe se sa ajo që ndodhi në të vërtetë. Ka shumë raste kur kam dëgjuar për vajza që janë mbyllur në një dhomë të gjitha dhe gjatë natës kanë ndodhur gjëra të tmerrshme. Çfarë është bërë për rehabilitimin e tyre? Pak, pak fare pak. Roli im është një përgjegjësi shumë e madhe e imja. E ndiej aq të afërt atë që iu ndodhi vajzave shqiptare. Ti e di se je duke xhiruar, se ky është një film, se nuk është e vërtetë. Por gjithçka është aty, kërkon dikë të të ndihmojë, t’ia dalësh me realitetin. Kështu për Emën, askush nuk ishte aty. Dilemat janë gjithherë në mua dhe nuk e di sa do kem fat ta shpreh atë që ndiej para kamerave.” Aktorja kosovare në rolin e një gazetareje, karriera e të cilës shkatërrohet sa hap e mbyll sytë, pohon se gjatë kohës së luftës në Kosovë kanë qenë syri i botës. “Pa ta nuk do të ndodhte kjo që ndodhi. Po të mos kishin qenë ata, si do ta dinte bota çfarë po ndodhte në Kosovë. Ka qenë më shumë se përkrahje.”
    Lumnije (Muça) Sopi ka studiuar anglisht me qëllim realizimin e ambicjes për t’u bërë një ditë aktore. Kjo ishte e pamundur, nuk kishte mundësi financiare. Mbeti një vajzë që e ka dashur shumë teatrin, edhe atëherë kur i dëbuan nga teatri në vitin 1990. Kaloi shumë kohë pa dalë në skenë, përkrah dramës që kalonte gjithë Kosova. Ndodhi pikërisht me të njëjtin rol, në teatër, pasi ky film është bërë edhe teatër me titull “Muzgu i lirisë”, shkruar nga Agim Sopi me motive nga vepra e Teki Dervishit. Ky është versioni i fundit që Agim Sopi vendosi ta bëjë film. Lumnije Sopi ka interpretuar dhe në filmat “Njeriu prej dheut” dhe “Kulla”, të dyja vepra të regjisorit A.Sopi.


    Blerim Gjoci
    Është komandant Shpati, komandant i një zone të UÇK-së gjatë luftës dhe pas saj është një njeri idealist tani që Kosovës i është kthyer liria. Por më vonë kupton se kjo liri është shumë e brishtë dhe nuk është ashtu siç duhej të ishte. Ai mendon se pas luftës po ballafaqohet me një pushtim më të sofistikuar dhe gjatë kohës thotë: shpresoj të mos vijë koha që të përdor armën.
    Në rolin e komandant Shpatit interpreton aktori Blerim Gjoci, i cili në teatër pati një fillim të suksesshëm me rolin e Mark Alemit tek “Pallati i ëndrrave” i I.Kadaresë. Gjoci shprehet se regjisori A.Sopi ka bërë një qasje tipike ndaj strukturës më të përfolur pas luftës, UÇK-së dhe për mënyrën se si shihen ish- luftëtarët e saj pas luftës. “Pozicioni i regjisorit është i qartë, nuk ka dilema, ashtu si shumë mendojnë se periudha e luftës dhe UÇK-ja ka qenë periudha më e lavdishme e historisë së Kosovës. Por unë mendoj se skenari ka disa mangësi të vogla, të cilat kanë ardhur për shkak të kushteve materiale. Shumë karaktere kanë mbetur të cunguara, nuk janë zhvilluar deri në fund. Bota nuk është më e mbyllur, është e hapur dhe shohim se si operon kinemaja botërore, se si asgjë nuk mbetet pa thënë. Ky film do të lërë shumë gjëra të pathëna duke i lënë në ndërgjegjen e shikuesit. Filmi është një refleks i plotë i një mentaliteti që ekziston në Kosovë”. Blerim Gjoci ka filluar karrierën me teatrin në vitin 1993. Në 2001 interpreton në filmin “Guerreros” një prodhim spanjoll-amerikan i Warner Brothers. Film që ka qenë takimi i parë me një kinema që i dha të kuptojë se si duhet të jetë kinemaja. “Aty jam bindur se nuk është keq të jesh aktor”. Në vitin 2004 interpreton në filmin “Një dimër i tërë pa zjarr”, në rolin e një kosovari, i nominuar për rolin e dytë më të mirë për “Luanin e Artë” në Venecia.
    Pavarësisht karrierës në rrugë të mbarë, Gjoci thekson se një aktor nga Kosova e ka shumë të vështirë të luajë jashtë. Nxjerrja e lejës së punës, duke ardhur nga një vend që nuk është akoma shtet, është një histori më vete “papirologjike” siç e quan ai. “Breaking neës” është filmi i tij i tretë.


    Fotografia e Afrim Spahiut
    Është në sheshxhirim që nga koha kur ndodhej në Gjirokastër për “Lule të kuqe, lule të zeza” film i regjisorit Mevlan Shanaj, (2002). “Breaking news” e sjell sërish në Shqipëri, natyrën e të cilës drejtori kosovar i fotografisë e vlerëson në veçanti për dritën. Filmi në fjalë e ka ngacmuar shumë Afrim Spahiun, ngase këtu përfshihen, përveç historive që janë të njohura për situatën para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, edhe stinët e vitit që i japin mundësi për një realizim të veçantë të fotografisë, duke pasqyruar ato bukuri që ofrojnë vetvetiu. “E rëndësishme për fotografinë e këtij filmi, që më shumë ka marrë formën e një fotografie dokumentare, është dhënia e realitetit që ka qenë”.

    29/05/2005
    KATEGORIA: Kulture Shekulli.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Pasqyra e temave historike
    Nga Fiori në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 31-05-2011, 15:43
  2. Sikur Hollivudi Te Bente Filma Me Histori Shqiptare.
    Nga nikas në forumin Kinematografia dhe televizioni
    Përgjigje: 66
    Postimi i Fundit: 08-07-2009, 03:15
  3. "Një histori e deformuar nga serbët”
    Nga RaPSouL në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-01-2009, 21:44
  4. Histori me emra dhe emra pa histori
    Nga Enri në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 25-07-2003, 16:28
  5. E verteta ne Histori
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 21-05-2003, 11:23

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •