Belina Budini

Intervistë me drejtorin e përgjithshëm të arkivave, Shaban Sinanin, për Shqipërinë komuniste në arkivat e Kinës, pas lidhjes së një marrëveshjeje të re bashkëpunimi shqiptaro-kineze. Kësaj radhe, për të “lexuar” miqësinë dhe bashkëpunimin e 30 viteve të Shqipërisë me Kinën. Sipas Shaban Sinanit, burimet kineze për Shqipërinë ende nuk janë prekur nga askush dhe përbëjnë interes të madh për historianët dhe publikun


Nuk është krejt e panjohur Shqipëria në arkivat e Bashkimit Sovjetik dhe as periudha e mjaltit shqiptaro-jugosllave në arkivat e Jugosllavisë. Por janë krejt të bardha 30 vitet e marrëdhënieve shqiptaro-kineze, të ruajtura në arkivat e Kinës. Sipas drejtorit të përgjithshëm të arkivës, Shaban Sinanit, burimet kineze për Shqipërinë ende nuk janë prekur nga askush, megjithëse përbëjnë mjaft interes, sidomos për historianët shqiptarë. Plotësimi i të vërtetave për marrëdhëniet shqiptaro-kineze është edhe arsyeja e nënshkrimit të marrëveshjes së djeshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave me palën kineze.

Periudha e miqësisë midis Shqipërisë dhe Kinës është e fundmja kronologjikisht deri në ndryshimet demokratike. Qysh në vitet 1960, por më shumë në vitet 1970, ka pasur një varg udhëheqësish të lartë komunistë që janë dënuar për qëndrimet që kanë mbajtur gjatë bisedimeve me udhëheqjen kineze. Kjo marrëveshje do të ndihmojë për të kuptuar më mirë këtë të shkuar?

Një prej qëllimeve themelore të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje është pikërisht plotësimi i të vërtetave për marrëdhëniet shqiptaro-kineze gjatë afro tri dekadave miqësi e bashkëpunim. Në arkivat e Shqipërisë ruhen të vërtetat e paplota të udhëheqjes së vendit, kurse në arkivat kineze ruhet pjesa tjetër e të vërtetave. Ruhen po ashtu shënimet e mbajtura nga udhëheqësit shqiptarë gjatë vizitave dhe takimeve po aq intensive në Pekin. Deri tani burimet kineze për historinë e këtyre marrëdhënieve nuk janë shfrytëzuar nga shkenca shqiptare. Studiues të huaj që kanë bërë kërkime në arkivat kineze, kanë qenë më të interesuar për çështje të tjera, për shembull, për konfliktet kino-sovjetike, për nyje apo episode të “luftës së ftohtë“, apo për “luftërat e nxehta“ rajonale. Disa dokumente janë botuar në mënyrë fragmentare nga Cold War International History Project (duke përfshirë bisedimet e Beqir Ballukut me Mao Ce Dunin). Por mund të thuhet se burimet kineze janë krejtësisht të pashfrytëzuara nga studiuesit vendës. Dhe këto burime janë me një peshë politike jashtëzakonisht të madhe, së paku për Shqipërinë, e cila për një kohë të gjatë nuk kishte lidhje zyrtare efektive me ndonjë vend tjetër, përveç RP-së së Kinës.

Në AQSH-ja ruhen mbi 500 procesverbale takimesh të nivelit të lartë midis delegacioneve shqiptare dhe kineze në të gjitha fushat. Shumë nga këto procesverbale kanë 150-200 fletë. Me mijëra janë takimet e zhvilluara në nivel të mesëm e në atë vendor. Ne nuk jemi informuar ende nga pala kineze se ç’vend zë Shqipëria në arkivat e Pekinit, por, duke e ditur se marrëdhëniet midis dy vendeve janë zhvilluar mbi bazën e ndërsjelltësisë, mund të përfytyrohet se në këto arkiva ka jo më pak lëndë për takimet dhe bisedimet dypalëshe të zhvilluara në Kinë. Për më tepër që disa vizita të delegacioneve shqiptare, si ato të viteve 1967-1968, ku kanë bërë pjesë gati gjysma e qeverisë dhe e ish-Byrosë politike, nuk kanë zgjatur me ditë e javë, por me muaj. Marrëveshja krijon lehtësira për të bërë kërkime në këto dokumente dhe për të shkëmbyer fotokopje të tyre.

Nuk ka mundësi krahasimi për shkallën e shfrytëzimit të burimeve kineze për Shqipërinë me ato ruse apo jugosllave. Burimet ruse në një pjesë të madhe janë shpallur nga shkolla ruse e albanologjisë, e cila ka qenë dhe mbetet një prej shkollave më të fuqishme të kësaj shkence. Burimet jugosllave, sido që me vështirësi, janë bërë të ditura, në mos të tëra, të paktën pjesërisht nga studiuesit shqiptarë të Kosovës, si dhe nga albanologët kroatë, malazesë, sllovenë e serbë. Kurse burimet kineze mund të thuhet se s’janë prekur fare. Kjo u jep atyre një rëndësi të përveçme.

Në Kinë sistemi politik nuk ka ndryshuar, kurse në Shqipëri gjërat janë ndryshe. A krijon ky fakt pengesa për shkëmbimin e dokumenteve?

Është e vërtetë se ka ndryshime midis dy vendeve në rregullimin ligjor të shërbimit arkivor. Në Shqipëri dokumentet rezervohen për arsye maturimi vetëm 25 vjet që nga data e krijimit, kurse në Kinë ka afat tjetër. Në Shqipëri, qoftë meritat, qoftë përgjegjësitë e udhëheqjes ish-komuniste nuk përbëjnë më faktor për të ndikuar në jetën publike, sepse së shkuarës sonë as i del zot kush, as ia trashëgon kush të këqijat. Ndërsa në RP-në e Kinës Partia Komuniste qeveris vendin si dhe më parë. Veç kësaj, në Shqipëri, përveç akteve ligjore vendore, veprojnë edhe norma të tjera të rëndësishme ndërkombëtare, për shkak të anëtarësisë së vendit në struktura ndërshtetërore ose në aleanca politiko-ushtarake.

Por këto ndryshime në bazën ligjore nuk përbëjnë pengesë për të pajtuar interesa me frytshmëri të barabartë. Palët i kanë shpallur interesat me kohë. Marrëveshja përbën aktin e vlerësimit dhe të barazimit të tyre, mbi bazën e filozofisë së pragmatizmit, por dhe duke respektuar traditën e marrëdhënieve miqësore që kanë ekzistuar midis dy vendeve. Mendoj se duhet theksuar se arkivat e RP-së së Kinës, pavarësisht se e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kushtet e një shoqërie ideologjikisht homogjene, janë vlerësuar nga faktorë të njohur ndërkombëtarë si arkiva të prirura për më shumë hapje ndaj publikut dhe partnerëve, sidomos ndaj botës së shkencës. Vitin e kaluar Cold War International History Project zhvilloi në Kinë një konferencë të suksesshme për historinë e “Luftës së Ftohtë”, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga institucione të larta të shtetit shqiptar. Presidenti i kësaj nisme të mirënjohur ndërkombëtare që kujdeset për historinë e “Luftës së Ftohtë”, dhe hapjen e burimeve në funksion të ndriçimit të përmasave të dhunës sociale (“The lustration”) dr. Ch. Ostermann, gjatë një vizite që zhvilloi vjet në arkivat e Shqipërisë, pohoi se në arkivat kineze zbatohet një standard komunikimi i vlerësueshëm. Të gjitha këto e bëjnë më të lehtë bashkëpunimin nga sa mund të duket.

A ka mundësi bashkëpunimi edhe për komunikimin?

Po, është edhe kjo mundësi. Është krejt logjike që, nëse një dokument me rëndësi për lidhjet dypalëshe është deklasifikuar në arkivat kineze, nuk ka pse të mbetet i rezervuar në arkivat e Shqipërisë dhe ndërsjelltas. Bashkëpunimi për këtë proces do të fillojë me shkëmbimin e informacionit për dokumentet e hapura që palët kanë për njëra-tjetrën. Hapi i dytë do të jetë shkëmbimi i informacionit për dokumentet që kanë ende status të rezervuar. Pastaj specialistë të të dy rrjeteve arkivore mund të këshillohen për të sinkronizuar procesin e hapjes. Kjo do të sjellë një ekonomizim të kohës dhe të energjive, për atë pjesë të dokumenteve që kanë mbetur ende të padeklasifikuara dhe që është pakrahasimisht e kufizuar në raport me pjesën e dokumenteve të hapura. Jam i bindur se do të ketë një veprimtari të frytshme edhe në këtë fushë.

Çfarë dokumentesh ruhen në Arkivin Qendror për marrëdhëniet shqiptaro-kineze?
Pjesa më e madhe e dokumenteve përbëhet nga korrespondenca zyrtare dypalëshe dhe procesverbalet e takimeve dhe të vizitave reciproke. Sipas standardeve ndërkombëtare, për këto dokumente DPA është autoriteti publik që ushtron të drejtat e pronarit dhe njëherësh të vendimmarrjes për mënyrën e komunikimit, sipas ligjeve vendëse dhe zotimeve në kuadër të organizatave apo nismave ndërkombëtare. Një kategori dokumentesh që kanë si fond krijues institucione të shtetit kinez kanë ardhur në Shqipëri jo si pjesë e ndonjë letërkëmbimi zyrtar, por thjesht për informim të zhvillimeve të brendshme në Kinë, në jetën e shtetit dhe të partisë që drejton. Edhe e kundërta ka ndodhur: udhëheqja ish-komuniste e Shqipërisë ka dërguar në Pekin rregullisht akte dhe dokumente thjesht për informim për çka ndodhte në gjirin e saj dhe në zhvillimin e brendshëm të shtetit shqiptar. Kjo kategori dokumentesh ka qarkulluar vice-versa, bazuar në mirëbesimin e palëve dhe në konsideratën se “punët e brendshme“ të njëra-tjetrës duhet të bëhen të ditura ndërsjelltazi. Juridikisht, arkivat e Shqipërisë trashëgojnë një të drejtë mbi ato dokumente të krijuara nga shteti shqiptar që u janë dërguar thjesht për informim udhëheqësve kinezë dhe që sot ruhen në arkivat e Kinës, sikurse këto të fundit kanë të drejtën e një interesimi të posaçëm për dokumentet që kanë ardhur prej institucioneve fondkrijuese kineze në Shqipëri vetëm “për dijeni“. Natyrisht, nuk bëhet fjalë nga asnjëra palë për të pretenduar të drejta pronësie, por janë mundësitë që fondkrijuesi t’i gëzojë disa të drejta, në formën e informimit, këshillimit, marrjes së kopjeve, madje edhe të rregullimit të hapjes. Sipas legjislacionit shqiptar, dokumentet e fondkrijuesve të huaj, që janë “në ruajtje“ pranë AQSH-së, mund të rezervohen deri në 150 vjet, nëse pala fondkrijuese e kërkon një gjë të tillë. Ekziston edhe një kategori e tretë dokumentesh, që s’janë as dypalëshe (korrespondencë), as njëpalëshe (informim i njëanshëm), por me një karakter më të gjerë. Sikurse dihet, udhëheqja komuniste e Shqipërisë dhe ajo e RP-së së Kinës kanë asistuar e mbështetur njëra-tjetrën në nisma dhe veprimtari ndërkombëtare shumëpalëshe, kanë diskutuar dhe investuar edhe për të tretë. Me këtë bashkëpunim Shqipëria dhe Kina nuk i kanë bërë dëm kujt.

Por një pjesë e dokumenteve të këtij bashkëpunimi është ende politikisht me ndikim aktiv. Arkivat, për t’u bërë trashëgimi, kudo në botë duhet të kalojnë një periudhë stazhionimi. Për këto dokumente, të kufizuara në vëllim, të cilat mund të kenë akoma ndikim në jetën publike të palëve, do të zbatohen në pajtim të ndërsjelltë ligjet në fuqi të vendeve nënshkruese të marrëveshjes, me aktet ndërkombëtare që sigurojnë hapjen dhe transparencën. Komisionet e deklasifikimit do të shkëmbejnë përvoja dhe ndihmesa që të inkurajojnë deklasifikimin masiv të dokumenteve, por pa përjashtuar edhe rezervimin përzgjedhës, sipas përgjegjësisë që u njeh ligji.