Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    2006-a, era e “Homo urbanus”

    OKB-ja: Më shumë se gjysma e popullsisë botërore do të jetojë në qytet

    2006-a, era e “Homo urbanus”

    Thuajse gjithkund zonat rurale vazhdojnë të shpopullohen. Tendenca është në pikën kulminante dhe së shpejti do të përcaktojë një ndryshim epokal. Evropa në kundërtendencë

    Belina Budini


    Edhe pak muaj dhe njeriu mund të hyjë në erën e “Homo urbanus”, erë në të cilën pjesa më e madhe e popullsisë botërore do të jetojë në aglomerate qytetëse me miliona banorë. Kjo do të ndodhë në fillim të vitit 2006. E ka konstatuar një gjë të tillë Hania Zlonik, drejtore e sektorit të OKB-së që merret me popullsinë botërore. Megjithë problemet e rënda të jetueshmërisë, njeriu priret të vendoset aty ku është i rrethuar me shumë njerëz. Në vitin 1900 vetëm 14% e popullsisë botërore jetonte në zonat e qyteteve, por që nga fillimi i mileniumit të ri, 47% e të gjithë njerëzimit jeton në qytete.
    Po kështu, nëse në vitin 1950 kishte vetëm 83 qytete në të gjithë botën, në të cilët numri i banorëve tejkalonte milionin, nga viti 2000 janë 411 të tillë me më shumë se një milion banorë. Të dhënat tregojnë se në fillim të 1800 në qytete jetonin jo më shumë se një miliard persona, që u bënë 2 miliardë në vitin 1985 dhe në fillim të vitit 2002 arritën të jenë tre miliardë. Rreth dy miliardë jetojnë në qytete të vendeve në zhvillim, të cilët në vitin 2030 parashikohet të presin 3,9 miliardë banorë.
    Bombay, San Paolo, Meksiko dhe Nju Jorku janë vetëm disa nga shembujt e këtyre aglomerateve urbane me popullsi mbi 10 milionë persona.
    Nëse në vitin 2000 kishte vetëm 18 qytete të këtyre përmasave, në vitin 2015, sipas sektorit të OKB-së për popullsinë botërore, do të jenë 23 të tillë. Studimet e vazhdueshme tregojnë se çdo ditë 180 mijë persona braktisin fshatrat dhe zonat rurare për të rendur drejt qyteteve. “Nëse kjo prirje do të vijojë të zhvillohet me të njëjtat ritme, popullsia urbane do të dyfishohet çdo 38 vjet”, - shpjegojnë specialistët e OKB-së për popullsinë botërore në sajtin e tyre në internet.
    Tendenca që e shpie popullsinë botërore drejt qyteteve shfaq karakteristika të ndryshme në vendet e avancuara teknologjikisht dhe ato në zhvillim. Në qytetet me teknologji të avancuar, fenomeni ka nisur qysh në kohën e revolucionit industrial, në mes të viteve 1800, dhe thuajse ka përfunduar. Kështu, për shembull, në Shtetet e Bashkuara 80% e popullsisë jeton tanimë prej kohësh në qytet. Vitet e fundit, këto aglomerate të mëdha po kalojnë fazën e një emigrimi të lehtë, për shkak se ata që banojnë prej vitesh aty dhe kanë një punë të sigurt, priren të gjejnë vendbanime më të qeta dhe jashtë qendrave urbane. Për sa u përket vendeve në zhvillim, largimi i njerëzve nga fshatrat ka nisur vetëm në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Megjithatë, shumë shpejt, thuajse dy miliardë persona, një e treta e popullsisë botërore, u transferua në zonat urbane, megjithëse duke jetuar në kushte të këqija banimi në zonat periferike e getot e qyteteve të mëdha.
    Dhe janë pikërisht këto vende që pritet të pësojnë një shtim edhe më të madh të popullsisë urbane, sipas sektorit të OKB-së për popullsinë. Ekspertët shprehen se kërkimi i një çatie metropolitane mund të shkaktojë incidente dhe probleme të mëdha. Por është e mundshme gjithsesi që njerëzit të mos tërhiqen drejt megapoleve, por drejt qyteteve gjysmë të mëdha. Të dhënat tregojnë se do të jenë kryesisht qendrat urbane me një milion a më pak banorë që do të presin numrin më të madh të rezidentëve qytetës, sepse megaqytetet nuk kanë thuajse asgjë ç’t’u orfrojnë më të ardhurve të rinj.
    Po në Evropë, si do të jetë situata? Paksa anormale në krahasim me pjesën tjetër të globit. Pas 15 vjetësh do të ketë pesë qendra të mëdha me më shumë se 5 milionë banorë: Parisi, Moska, Londra, Essen/Ruhrgebiet dhe Shën Petërburgu. Qytete të tjera si Roma ose Milano, nuk do të figurojnë më ndër qendrat më të mëdha urbane evropiane.


    Ekspertja e OKB-së: Dyndja mund të frenohet, duke përmirësuar jetën në fshatra

    Metropolet duhet të pregatiten

    “Kush shkon i varfër në qytet mbetet i tillë në 99% të rasteve, nëse nuk e përkeqëson akoma më tej gjendjen e vet. Kjo është e vërtetë për pjesën më të madhe të atyre që “kacafyten” në megapole të tilla si New York ose Londër, por është rregull për vendet në zhvillim. 50% e popullsisë qytetare është e detyruar të jetojë në kushte të këqija, madje në baraka, me vështirësi të pafundme për të siguruar deri edhe ushqimin”. Ky është shpjegimi që jep Anna Tibaijuka e United Nations Sttlements Programme në OKB.

    Po kush vjen në qytet nga fshatrat, ndeshet edhe me probleme të tjera.
    Sigurisht. Përqendrimet e larta të njerëzve në aglomeratet urbane të përmasave të mëdha shtojnë edhe problemet e lidhura me sëmundjet endemike dhe sëmundja e AIDS-it mund të gjente aty një përhapje më të shpejtë.

    Çfarë mund të bëhet për të kufizuar këtë turravrap drejt qytetit?
    Problemi duhet të shihet në dy prizme. Nga njëra anë duhet të veprohet në mënyrë të atillë që ambienti rural të ketë të njëjtët elemente bazë, si edhe në qytete: punë, shërbime, shkolla, në mënyrë të atillë që të kufizohet braktisja e fshatit. Nga ana tjetër është e nevojshme që qytetet të planifikojnë mbërritjen e personave të tjerë, gjë që sidoqoftë do të ndodhë, në përqindje pak a shumë të ndryshueshme.


    PËRKUFIZIMET
    QYTET: Zonë urbane me më shumë se 100 mijë banorë
    MEGALOPOL: Qytet me më shumë se 10 milionë banorë

    PRIRJA

    Turma metropolitane
    Fotot nga New York, Londra dhe Tirana

    2%
    Në vitet 1800, në kohën para revolucionit industrial, vetëm 2% e popullsisë botërore jetonte në qytet.

    14%
    Me zhvillimin industrial qendrat urbane të Veriut të Evropës u populluan me shpejtësi: në vitet 1900 jetonte në qytete 14% e popullisë globale.

    47%
    Brenda pak më shumë se një shekulli, përqindja e “qytetarëve” arrin 47 për qind, pas prirjes së urbanizimit edhe në vendet në zhvillim.

    50%
    Sipas parashikimeve të ekspertëve të OKB-së, ndryshim i madh epokal do të ndodhë në fillim të vitit 2006, kur në qytete do të jetojë pjesa më e madhe e popullsisë në botë.

    60%
    Nëse prirja do të ketë këto ritme, popullsia urbane do të dyfishohet çdo 38 vjet. Që në vitin 2030 bota do të ketë plot 60% të popullsisë së vet në qytet.



    Në kontinentin e vjetër do të ketë vetëm pesë qendra të mëdha me më shumë se pesë milionë banorë.




    25/05/2005
    KATEGORIA: Metropol
    Ndryshuar për herë të fundit nga Darius : 19-10-2006 më 12:52
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Edhe shqiptarët drejt qytetit

    Edhe shqiptarët drejt qytetit

    B. B

    Kurba e prirjeve të urbanizmit, sipas një raporti të fundit të PNUD-it, tregon se më 1919-ën vetëm 15% e popullsisë shqiptare jetonte në qytet. Larg qyteteve kanë qëndruar shqiptarët për shumë vite me radhë. Në 1929-ën, pas dhjetë vjetësh, vetëm 15,3% jetonte në qytete. Në 1939-ën u bënë 16%, në ’49-ën arriti në 21% dhe deri më 1989-ën pjesa dërrmuese e popullsisë jetonte në fshatra. Urbanizimi njohu ritme të reja pas ’90-ës, deri më 1999-ën më shumë se 40% e popullsisë ishte urbane, ndërsa kurba tregon se deri në 2009-ën në fshatrat e shumta shqiptare do të ketë më pak banorë se në qytete. Vetëm 8% më shumë jetojnë në fshat sipas këtyre shifrave. Në raportin e INSTAT-it thuhet se popullsia fshatare përbën 58% të të gjithë popullsisë së vendit. Niveli i urbanizimit (i cili llogaritet si raport i popullsisë që jeton në një qendër të banuar apo qytet) paraqitet më i ulët se mesatarja e vendeve të Evropës Perëndimore. “Duhet pranuar se krahasime të tilla janë ende të vështira për t’u bërë, meqë edhe përcaktimet që u bëhen zonave urbane dhe rurale nuk kanë përputhje. Duke u bazuar në të dhënat e regjistrimit për madhësinë e qyteteve (mbi dhe nën 10 mijë banorë) mund të vihet në dukje se prirja e urbanizmit shfaqet më shumë në kryeqytet dhe në qytete të tjera të mëdha, sesa në qytetet me përmasa të vogla”, - thuhet në raportin e Instat-it.

    SHIFRAT në vite

    Nga 1,5%, tani 42% në qytete

    Shqipëria ka qenë historikisht vendi me popullsinë më fshatare në Evropë. Para Luftës së Dytë Botërore vetëm 1/5 e popullsisë së vendit jetonte në qytete. Para se të ndodhnin ndryshimet demokratike, në fillim të viteve ’90, 35% e popullsisë jetonte në qytete. Gjithçka për faj të politikave frenuese të urbanizimit që u zbatuan gjatë 50 vjetëve të regjimit totalitar. Strehimi përfaqësonte gati një mankth kombëtar me mesatarisht 7 metër katrorë strehim për frymë dhe Shqipëria renditej e fundit në Evropë, pas Rumanisë me 17 metër katrorë për frymë. Sipas tabelave të botuara në raportin e fundit të zhvillimit njerëzor, tani përqindja e popullsisë urbane është 42,30%, ndërsa në 1989-ën ishte 35,74%. Dhjetë vjet më parë, pra në 1979-ën ajo ishte 33,45% dhe popullsia që jetonte në fshat zinte 66,55% të krejt popullsisë. Pasi autoritetet e kohës e mbajtën nën frena urbanizimin, gjatë periudhës ‘79-’89 ritmi i shtrirjes së tij ka qenë vetëm 2%. Sipas raportit të zhvillimit njerëzor, rajoni Durrës-Tiranë-Elbasan gjatë viteve ’80 banohej nga ¼ e popullsisë së vendit dhe aty ishin përqendruar 40% e prodhimit kombëtar industrial, më shumë se gjysma e prodhimit të industrisë së lehtë etj.




    25/05/2005
    KATEGORIA: Metropol

    Marre nga Shekulli
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •